Arkiva 2

Rama në Luginën e Preshevës: Do kërkojmë fond për hapjen e dy shkollave


TIRANË Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim në Luginën e Preshevës, ku prezantoi edhe librin e tij të fundit “Kurbani”. Kryetari i opozitës ka komentuar herë pas here në faqen e tij në Twitter vizitën që po zhvillonte në Luginën e Preshevës. Rama është shprehur se ka gjetur një mikpritje të ngrohtë, duke zhvilluar takime me qytetarët e më pas me të zgjedhurit. “Mikpritje befasuese dhe bashkëbisedim i paharrueshëm me qytetarët e Preshevës. Fatkeqësisht qindra vetë s’mundën të hyjnë në sallë!”,- shkruante Rama në Twitter. Ndërkohë, sipas njoftimit për shtyp të PS-së, Rama është shprehur se “Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se shteti shqiptar duhet të mbrojë dhe të përkujdeset për të drejtat e popullit shqiptar, kudo ai banon. Kësisoj, duhet angazhim dhe vëmendje më e madhe për shqiptarët që banojnë në Luginën e Preshevës. Tashmë që Kosova është një Republikë e pavarur dhe një shtet sovran, tashmë që çështja e Kosovës është një çështje e zgjidhur, angazhimi i Shqipërisë në raport me shtetin serb duhet të përqendrohet te problematika e Luginës së Preshevës”. Duke u ndalur gjerësisht në gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale në të cilën janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, Edi Rama u është referuar disa propozimeve konkrete që do të paraqesë në Kuvend: “Gjendja e shkollave në Luginë është e vështirë, pak shkolla e shumë nxënës, pra shkolla të mbipopulluara, duke qenë se në Luginë mungon një maternitet dhe nënat e Preshevës detyrohen të sjellin në jetë fëmijët e tyre 70 km larg Luginës, Partia Socialiste do propozojë vendosjen e një fondi të veçantë nga Parlamenti Shqiptar për të ndërtuar dy shkolla dhe një maternitet në Preshevë gjatë këtij viti”. Kryetari i PS-së, Edi Rama, është pritur në takim të veçantë nga Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, Besim Abduli – kryetar i Kuvendit komunal të Preshevës, Shaip Kamberi, dhe Faik Jashari, zv.kryetar i Këshillit Kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës. Në këtë takim Edi Rama falënderoi të zgjedhurit për mikpritjen dhe ndau me ta ide për zhvillimet politike rajonale, si dhe diskutuan mbi zhvillimet politike të Luginës. Rama ashtu si dhe në takimin me shqiptarët e Preshevës, zhvilluar në sallën e Kuvendit komunal, u shpreh për atë se çka do të bëjë Partia Socialiste përmes programit të ri “Për një Rilindje shqiptare”. Duke u fokusuar në këtë takim në riorganizimin shërbimit konsullor, Rama theksoi se “PS në krye të punëve të vendit, do të hapë një konsullatë shqiptare në Preshevë, për të qëndruar më pranë dhe për të ndihmuar banorët e Luginës.”

Gjatë këtij takimi me të zgjedhurit e Luginës Edi Rama propozoi një nismë mbarë ballkanike për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në rajon. Kryetari i PS-së mori me vete përshtypje mjaft pozitive për qytetarët e këtij vendi. “Po ikim nga Presheva me mbresa të forta dhe mirënjohje!”, shkruante Rama mbrëmë në Twitter.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas