Op Ed

Rama në Beograd, vazhdim i ndeshjes Serbi-Shqipëri

ArmandShkullakuNga Armand Shkullaku

 



Kryeministri Edi Rama nuk e anuloi vizitën e tij në Beograd pas skandalit të ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri, në emër të marrëdhënieve të reja me një vend fqinj (me të cilin historia na ndan më shumë se na afron) si dhe të perspektivës europiane të rajonit. Vizita ndodhi dhe pas saj shtrohet pyetja: A janë më të mira marrëdhëniet tona me Serbinë tani? A ndikoi vizita e Ramës për të lënë pas të shkuarën dhe për të shikuar drejt së ardhmes europiane?

Sigurisht që jo. Dhe Edi Rama e ka ditur këtë edhe duke pohuar të kundërtën ndërsa këmbëngulte të shkonte në Beograd. Ai e ka ditur që vizita e tij do të prodhonte lajm ndërkombëtar. Jo atë të “epokës së re mes dy vendeve”, por atë të konfirmimit të hendekut që i ndan ato. Në sytë e mediave botërore me siguri që do të rishkruhet prapë klisheja e vjetër e Ballkanit të mpleksur në konfliktet e historisë. Vizita e Edi Ramës në Beograd, ashtu si droni mbi stadiumin e Beogradit, vërtetoi që miti i marrëdhënieve të reja në rajon është pikërisht një mit i shpifur. Mjafton një incident, mjafton një deklaratë, për të shpërfaqur hipokrizinë e për t’i hapur udhë tensionit.

Shtyrja apo anulimi i vizitës së Ramës në Beograd nuk ishte për t’i hedhur benzinë zjarrit, por për të treguar se Shqipëria do të hynte në derën e dikujt vetëm pasi ky i fundit ta respektonte atë si shtet. Ta respektonte me bindje dhe jo për fasadë. Shtrëngimi i duarve nuk mund të mbulonte realitetin që është aty dhe që të gjithë e panë në fytyrën e kryeministrit serb. Megjithatë, Edi Rama shkoi në Beograd dhe mjaftoi një fjali e tij për Kosovën për të rindezur emocionet e njëjta me ato të pasndeshjes së futbollit. Nga ky këndvështrim, ndryshimi i vetëm është se Rama ua shau motrat serbëve në Beograd (ashtu si ballist Morina) dhe jo rrugëve të qyteteve shqiptare. Kjo sigurisht që shkon kah ndjenjat patriotike, pse jo nacionaliste, të goditjes së “armikut” në folenë e tij. Nuk është çudi që për kryeministrin shqiptar të nisin të thuren këngë ashtu si për Lorik Canën.

Politikisht, për konsum të brendshëm, Edi Rama ka arritur kulmin e simpatisë së tij. Por kur e krahason këtë që ndodhi me fjalimet e tij që i referohen luftës së parë botërore, një shekulli urrejtje dhe gjaku dhe misionit të vetë Ramës për t’i tejkaluar ato, ka një ngërç. Një ngërç për vetë Edi Ramën, që e mbërtheu mes kostumit perëndimor dhe nevojës për një xhamadan kuqezi. Sigurisht që Rama nuk mund ta shmangte Kosovën gjatë vizitës së tij, ashtu si edhe vizitën në Preshevë, por mënyra se si zgjodhi ta bënte tregon për një cytje nga protagonizmi individual dhe jo nga një vetësakrificë në emër të asaj që vetë predikon sot e gjithë ditën. Nuk do mend të parashikohej se si do të reagonin serbët ndaj shprehjes ‘Kosova e pavarur është një realitet i patjetërsueshëm’ dhe po ashtu merret me mend se Rama i hapi vetes një vend në historinë shqiptare duke e thënë këtë në mes të Beogradit, live, përpara gjithë botës. Por ai nuk mund të pretendojë më se në Serbi shkoi në emër të së ardhmes europiane, si misionar i epokës së re. Ai shkoi në Beograd si përfaqësues i zemërimit kombëtar dhe ia doli ta shprazë atë duke i bërë të ndihen krenarë miliona shqiptarë. Këtë mund ta kishte bërë edhe duke mos shkuar në Beograd, por do ishte një akt diplomatik dhe jo një ngjarje historike. Rama zgjodhi historinë. Sepse pas kësaj vizite, epoka e re përfundon aty ku kanë përfunduar deri më sot edhe iniciativa të tjera.

Pas incidentit mes dy kryeministrave, gazeta e njohur amerikane “Uashington Post” do të shkruante se shkrirja e akujve mes dy vendeve zgjati sa një konferencë shtypi. E në të vërtetë, ajo që pasoi e po vazhdon ende është rikthimi i tensioneve mes dy vendeve. Në Preshevë situata është e nderë, ndërsa në Kosovë dhjetëra serbë dolën në Mitrovicë e paralajmëruan protesta edhe në Graçanicë si reagim ndaj deklaratave të Ramës. Nuk dihet nëse në këmbënguljen për realizimin e takimit, kancelarja Merkel e kishte parashikuar edhe këtë përshkallëzim. Edi Rama, me siguri po. Ai e kërkoi takimin jo për të takuar Vuçiçin, por historinë.

Anulimi i vizitës do të kishte qenë më i urtë se sa një vizitë për të treguar se sa shumë nuk e durojmë njëri-tjetrin. Anulimi i vizitës ishte në vetvete shenjë dinjiteti, pa qenë nevojë ta tregonim që kemi dinjitet në një moment kur pritej diçka tjetër. Pritej që takimi të prodhonte ulje të tensionit në emër të një politike të re dhe jo një autor që ta nënshkruante atë.

Edi Rama nuk mund ta shmangte Kosovën. Por nëse kishte shkuar me një mision më të lartë, do të duhej ta përmendte atë siç bëjnë shumë zyrtarë të lartë perëndimorë. Që me Beogradin ndajmë qëndrime të kundërta për Kosovën, por le të shohim se ku mund të ecim përpara mes dy vendeve. Nëse serbët nuk meritojnë të trajtohen si shtet normal, atëherë vizita shërben vetëm si një zgjatim i dronit, historike por jo misionare. Rama, nën avujt e historisë zgjodhi të jetë i ashpër dhe i prerë. Ai zgjodhi të flasë në mënyrë absolute dhe definitive për Kosovën pasi e kishte parashikuar reagimin serb. Rama nuk provoi që homologu i tij të kërkonte ndjesë për thirrjet “vriti shqiptarët”, as që Beogradi të distancohej nga thëniet se shqiptarët nuk bëhen dot shtet, por zgjodhi Kosovën duke e ditur se kjo do ta bënte të hidhej përpjetë Vuçiçin. Efekti ishte i arrirë.

Ia doli. Shumë shqiptarë janë entuziastë sot po aq sa ditën kur Ismail Qemali e Isa Boletini fluturuan mbi Beograd. Të zhgënjyer mund të ndihen ata, brenda apo jashtë Shqipërisë, që këmbënguljen e Ramës për të shkuar në Beograd e shikonin si shenjë të një politike të re, moderne dhe pa komplekse. Në fakt ishte një vazhdim i dronit, ku meqenëse nuk qe protagonist herën e parë, nuk mund ta humbte shansin për të vënë vulën e tij në histori. Sigurisht që për këtë i erdhi në ndihmë një vend fqinj i kompleksuar, gati primitiv dhe ende nën presionin e së shkuarës, që ai e shfrytëzoi jo në emër të marrëdhënieve të reja, por të protagonizmit të vjetër ballkanik.

Ka shumë raste në botë, kur për hir të një qëllimi më të madh sakrifikohen çështje të nxehta në tryezën e bisedimeve. Përndryshe, siç thotë “Uashington Post”, përpjekjet për afrim zgjasin sa një konferencë shtypi. Për të gjithë ata që u ngritën në këmbë pas ndeshjes në Beograd, Edi Rama bëri mirë që shkoi në Beograd.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas