Op Ed

Rama me dronin e Kosovës në Beograd

arben vataNga Arben Vata

 



Serbët e krisur të paktën, sigurisht që do të kenë një “argument” më shumë tani pas vizitës së djeshme të Edi Ramës në Beograd, për ta akuzuar atë si organizator të shfaqjes së dronit me flamur mbi stadiumin “Partizani” në kryeqytetin serb gati një muaj më parë. Rama kryeministër përdori Kosovën si “dron” që e lëshoi papritur përgjatë atmosferës edhe ashtu të tensionuar në pallatin kryeministror, ndërsa vëllai i tij Olsi u etiketua nga qeveria serbe si ideatori i dronit mbi stadium më 14 tetor, ndërsa luante Kombëtarja e Serbisë me tonën. Homologu serb i Ramës me të vërtetë nuk e priste që Rama të fliste me gazetarët për Kosovën, dhe Rama me deklaratën e papritur i shërbeu në fakt politikisht kryeministrit Vuçiç dhe atyre që mbështesin teorinë që shqiptarët nuk iu përmbahen marrëveshjeve dhe praktikave diplomatike e atyre të mikpritjes. Por takimi i Ramës në Beograd nuk mund mbetet vetëm në këtë “incident”.

Ndryshe nga sa pritej, Rama nuk shpjegoi se përse e shtyu vizitën e planifikuar më 22 tetor. Rama nuk ishte ai i Nju Jorkut, ku i nxitur ndoshta nga reagimet në rrjetet sociale apo dhe qëndrimi atje për disa ditë në kohën e dhunës ndaj shqiptarëve, foli me tone të forta nacionaliste. Dje në Beograd, Kryeministri i qeverisë shqiptare nuk tha asnjë fjalë për Balën e futbollistë të tjerë shqiptarë që u dhunuan në stadium nga policë dhe persona në kërkim për dhunë e racizëm ndaj shqiptarëve. Ky duket të ketë qenë “pazari” i Ramës me kryeministrin Vuçiç për realizimin e vizitës.

Kosova duket se ishte pika e dytë e rëndësishme për të cilën serbët janë dakord që të mos përmendej, ndërsa palët bënin gati axhendën e takimeve. Shumëkujt në Tiranë e Prishtinë mund t’i jetë dukur ndonjë trimëri e Ramës, që tha se Kosova është e pavarur. Për të qeshur në fakt, sepse këtë e thonë politikanët e Prishtinës sa herë takohen nëpër Europë e SHBA me serbët. E këtyre ua thonë më shumë se gjysma e qeverive në botë. Ndryshe do të kishte qenë nëse Rama do të thoshte në mes të Beogradit se “Kosova është Shqipëri”. Në këtë rast të gjithë, pavarësisht pëlqimeve apo përkatësive politike, do ta kishim mbështetur pa asnjë mëdyshje Edi Ramën.

Rama shkoi në Beograd për interesa të veta politike, siç ia përmendi edhe Vuçiç në replikat e tij, por nuk shtoi asnjë kredit; as brenda dhe as jashtë vendit.

Ai u përpoq të paraqitej si europianist, por u akuzua si provokator. Shkoi për të dënuar dhunën e sharjet masive raciste ndaj shqiptarëve, por nuk foli asnjë fjalë e nuk kërkoi dënimin e autorëve nga drejtësia serbe. Nënshkroi dy-tri marrëveshje, që shumë mirë mund t’i firmosnin ministrat e tij, dhe asgjë më shumë. Ftoi Vuçiçin të luajë basketboll në Tiranë dhe mori një refuzim të pastër diplomatik. Tensionoi më tej atmosferën në një konferencë të trazuar shtypi dhe nuk mori as shtrëngimin e duarve të kryeministrit serb në fund të saj. Për ata që mbajnë mend vizitat e Ilir Metës në Serbi, kujtojnë se ato ishin ku e ku më të mira sesa kjo e Edi Ramës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas