Kryesore, Politika

“Jam kryeministër për të ndryshuar situatën”

edi ramaPavarësisht kërkesave të opozitës, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mazhoranca dhe qeveria që ai drejton nuk tërhiqet nga nevoja për të bërë shtet me çdo kosto dhe se do të vazhdojë në rrugën e reformave të mëdha.

Në një intervistë dhënë për Top Channel, Rama i kërkoi opozitës të mos rrijë rrugëve, ndërkohë që foli edhe për çështjen e dosjeve dhe modalitetet e hapjes së tyre. Me zotin Rama bisedoi gazetari Muhamed Veliu.



Zoti kryeministër, thatë se qeveria juaj do ta marrë gjykimin pas 4 viteve. Por a do ketë një reflektim nga qeveria për ato masa që janë quajtur drastike, në veçanti sa i përket politikës fiskale?

Edi Rama: Ne jemi zgjedhur për të marrë masa drastike dhe jo për të vijuar havazin e vjetër. Besoj se mua shqiptarët, koalicioni qeveritar dhe partneritetit strategjik me LSI më kanë besuar detyrën e kryeministrit dhe jo rolin e Lala Gjonit. Koha e Lala Gjonit thoshte ‘sa të jem unë hani, pini dhe këndoni dhe pastaj bëni ç’të doni’. Ndërtoni pa leje sa të doni dhe vidhni energjinë. Ne do ta shërojmë Shqipërinë nga kanceri që ka në sistem. Kemi kudo metastazat e një kanceri sistematik dhe reformat tona janë reforma që ndryshojnë sistemin. Kanceri nuk luftohet me aspirina, me kozmetikë, etj, por me kimioterapi, me rreze dhe operacione të dhimbshme por që janë e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar lëngimit dhe agonisë së një shoqërie dhe ekonomie siç e gjetëm ne. Pra, unë ju siguroj se jo vetëm që nuk do të tërhiqemi nga asnjë gjë, por do vijojmë drejt. Nuk ka vend për të zbutur ndonjë masë, por ka vend për të vijuar më tutje me masa drastike për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria e pisllëkut, e rrumpallës dhe e një pabarazie të madhe.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ju ka drejtuar 9 kërkesa të karakterit ekonomik, që sot janë përkthyer në 31 amendamente. A jeni të gatshëm t’i bisedoni?

Edi Rama: Ne jemi në krye të detyrës, aty ku kemi detyrën të jemi: në qeverisjen dhe në Parlamentin e vendit. Në çdo moment opozita është e mirëseardhur të vijë në Parlament dhe ne do të diskutojmë me të, por ne nuk do lëmë punën dhe të shkojmë ta gjejmë opozitën aty ku ajo ka vendosur të mblidhet për të diskutuar amendamentet e saj që, e përsëris, janë produkt i të njëjtit vizion, i të njëjtit program dhe i së njëjtës filozofi për shtetin që e shkatërroi Shqipërinë.

Muhamed Veliu: Zoti kryeministër, sa i shqetësuar jeni për marrjen e një kostoje politike, më së afërmi në zgjedhjet e vitit 2015, për këto reforma dhe vullnetit tuaj për të mos u ndalur? Natyrisht reformat janë përshëndetur nga qytetarët, por ka edhe të pakënaqur…

Edi Rama: Po ju them shkurt. E dini pse Shqipëria u katandis aty ku u katandis dhe është sot në këtë gjendje që vazhdojmë të luftojmë përditë për ta nxjerrë? Sepse Shqipëria u qeveris për vite të tëra me filozofinë ‘unë të mbaj pushtetin dhe pas meje të bëhet qameti’. U qeveris me filozofinë që të mos u presim dritat qytetarëve sepse na mërziten dhe s’na japin votat; të mos u prishim ndërtimet pa leje sepse mërziten dhe nuk na japin votat; të mos bëjmë shtetin sepse na duhet pushteti. Për çfarë na duhet ky pushtet? Unë nuk kam kërkuar votat për t’u plakur në krye të qeverisë. Unë kam kërkuar votat bashkë me Ilir Metën dhe koalicionin tonë për të bërë ato gjëra që kemi marrë përsipër. Ato gjëra që kemi marrë përsipër janë shumë të bukura për t’u dëgjuar por kërkojnë mund, sakrifica dhe kanë dhimbjet e tyre për t’u realizuar. Nuk ka lindje që nuk ka dhimbjet e veta dhe nuk ka rilindje pa kostot e veta. Për sa na përket, ne jemi gati të marrim përsipër të gjitha kostot dhe nëse do të marrim një mandat tjetër atë do ta kemi bazuar në sa reforma bëmë dhe sa e vumë në vijë shtetin shqiptar.

PasPara

1 koment

  1. Ka te drejte dobici se dhimbjet I ndjen populli fukara ndersa band e tij shton shpenzimet e lluksit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas