Op Ed

Radiohead, ose në hijen e mazhorancave të heshtura

Nga Klementin Mile

Thom Yorke, vokalisti i grupit muzikor Radiohead, thoshte në një intervistë: “Për mua, i gjithë qëllimi i të krijuarit muzikë, është t’u japësh zë gjërave që normalisht nuk u jepet zë dhe shumë prej këtyre gjërave janë ekstremisht negative. Personalisht, duhet të mbetem pozitiv, që të mos çmendem”.



Radiohead është një grup muzikor fenomenologjik. Fenomenologjia studion përvojën vetjake, përvojën që nuk është vendosur (ose nuk është vendosur ende) në fjalët që përdorim për të komunikuar me të tjerët dhe për të menduar mendimet tona private. Fenomenologjia e studion përvojën në format e kulluara të saj, para se të bëhet e reflektuar, e sistemuar, e kujtuar dhe e tipizuar në modele si “e mirë”, “e keqe”, “romantike”, “eksituese”, “e mërzitshme”, “e frikshme” etj.

Duke qenë se vjen pas përvojës origjinale, gjithë ky diskurs zakonisht e fsheh përvojën, ose aspekte të përvojës, prej vetëdijes dhe të kuptuarit tonë të mëpasshëm. Fenomenologjia synon të zbulojë, të rigjejë dhe të kuptojë atë që ne e humbim ose nuk i kushtojmë vëmendje.

Kur dëgjon albumin OK Computer neuronet e trurit duken të intonohen me një muzikë që gjithmonë e kanë njohur. Sido që të përpiqesh ta përshkruash, Radiohead bëjnë sens thuajse menjëherë – muzikalisht, pavarësisht kompleksitetit të stilit dhe emocionalisht, pavarësisht se fjalët janë shpesh të errëta dhe të mbytura në tinguj. Duket sikur melodia e tyre luhet poshtë sipërfaqes së jetës.

Për të shquar cilësinë fenomenologjike të albumeve kryesore të Radiohead mjafton të shohim se çfarë nuk trajtojnë ato. Përjashtim është kënga “Creep” (1992). Këngë për dëshpërimin dhe tëhuajësimin adoleshentesk prej një vajze. Këtu nuk ka fenomenologji, pasi është rikompozim i një kënge të shkruar shumë herë më parë për një perëndeshë të padisponueshme.

Por në albumin e dytë, The Bends, Radiohead nisën të largohen nga shqetësimet e zakonshme të muzikës pop me përvoja dhe emocione standarde, të parapaketuara (si romanca, seksi, paqja dhe dashuria, Zoti, refuzimi, denoncimi, joshja). Tek albumi i tretë, Kid A, Radiohead i kishin braktisur tërësisht këto shqetësime, për të eksploruar cilësitë dhe teksturat origjinale të botës ku jetojmë.

Ishte sikur ata të kishin hapur një derë muzikore që përmbante një kurth, derë e cila ishte e padukshme për shumicën e grupeve muzikore, derë që të shpinte poshtë skenës së rëndomtë të jetës – ku The Beatles, The Rolling Stones dhe Roy Orbison u këndonin vajzave dhe Pink Floyd i këndonin vdekjes, parasë, kapitalizmit dhe çmendurisë – ku mund të shohim telat, gypat dhe qarqet neuronale që na e mundësojnë perceptimin dhe pasjen e një ndërgjegjeje për çfarëdolloj gjëje. Aty poshtë fjalët janë pa kuptim.

Ajo që dëgjon aty poshtë këtyre dyshemeve është shpesh e tmerrshme dhe frikësuese. Akordet hapëse të pianos te kënga “Karma Police” p.sh. të rrëqethin. Radiohead orientohen kaq shumë drejt këtyre aspekteve themelore të përvojës, saqë shpesh na drejtojnë te çfarë është shqetësuese dhe paralajmëruese në vetë pamjen dhe të ndjerët e jetës moderne.

Për shembull te kënga “No Surprises” fillimisht Radiohead duket të japin një parodi ose satirë të klisheve politike dhe kulturore për shtëpinë (home), sigurinë dhe rutinën. Rrëzojeni qeverinë, …ata s’flasin pro nesh / Një punë që të vret dalëngadalë; mavijosje që nuk do shërohen / Pa alarme dhe pa surpriza; një shtëpi kaq e bukur dhe një kopsht kaq i bukur.

Por pastaj teksti bëhet më pak sarkastik dhe më shumë një studim i fëminorizimit politik – përmes klishesë, llomotitjes, mençurisë konvencionale dhe rutinës – të të rriturve që ose janë të paaftë ose nuk kanë vullnet të jetojnë lirisht dhe në mënyrë kreative.

Videoklipi i këngës, ku Thom Yorke këndon me kokën brenda një sfere qelqi, e cila mbushet dalëngadalë me ujë, tregon që këta votues po mbyten në pasivitet, injorancë dhe mohim të realitetit./Mapo.al/

/Pedagog në UET/Rubrika: Peripatos/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas