Shëndeti

QSUT, pjesë e rrjetit botëror kërkimor për barna të rinj për fëmijët

Prof. asoc. dr. Manika Kreka, morën pjesë aktivisht në Samitin Botëror të organizuar nga iCAN në Edinburgh- Skoci, theksoi se: Zhvillimi i barnave të efektshme, të sigurta dhe vënia në dispozicion e formulimeve të përshtatshme për moshën pediatrike është një sfidë e madhe

Zhvillimi i barnave për fëmijë nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të të rriturve. Fëmijët nuk duhet të konsiderohen si të rritur të vegjël duke qenë se edhe metabolizmi i tyre nuk është i njëjtë. Për këtë lind domosdoshmëri zhvillimi i barnave të duhura për fëmijë çka përbën një sfidë të madhe për kompanitë farmaceutike dhe shkencëtarët. Për këtë arsye, një infrastrukturë e re kërkimore, EPTRI, do të ndihmojë për të mbuluar mungesën serioze të barnave për fëmijët në mbarë botën, si një element shtesë i Infrastrukturave kërkimore ekzistuese dhe duke bashkëpunuar me komunitetin pediatrik shkencor. Në vitet e fundit një rol të rëndësishëm ka luajtur përfshirja e pacientëve të rinj dhe të rinjve të shëndetshëm në kërkimet pediatrike, të cilët mund të kontribuojnë në të gjitha fazat e provave klinike, duke bashkëpunuar me kompani të ndryshme farmaceutike në zhvillimin e barnave inovative të përshtatura për nevojat e fëmijëve.



EPTRI (European Paediatric Translational Research Infrastructure), është një projekt i koordinuar nga Consorzio per Valutazioni Biologiche e Farmacologiche (CVBF), që synon të propozojë modele zhvillimi për një infrastrukturë kërkimore të ardhshme të fokusuar në medikamentet pediatrike. Në veçanti, në fushën e shkencës së formulimit, EPTRI do të ofrojë ekspertizën dhe kompetencat e nevojshme brenda shkencave farmaceutike për të mbështetur zhvillimin e barnave për popullatën pediatrike, duke krijuar një model të ardhshëm të platformës kërkimore për formulimet pediatrike për të përshpejtuar përshtatjen e teknologjive inovative për formulime më të përshtatshme dhe me dozim më të sigurt për fëmijët. Në këtë projekt marrin pjesë 26 vende te Bashkimit Europian dhe jo të BE-së (Shqipëria), që përshijnë infrastrukturat kërkimore ekzistuese, si ekspertiza kryesore pediatrike për të mbuluar temat shkencore në propozim si edhe ekspertizën e mëparshme.

Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ është një nga partnerët e projektit si një spital i nivelit terciar dhe e vetmja Qendër Spitalore Akademike dhe Kërkimore në Shqipëri. Në vitin 2017, është promovuar YPAG i parë në Shqipëri, grupi i të rinjve këshillues, i quajtur KIDS Albania. YPAG (Young Person Advisory Group) është një grup këshillimor i përbërë nga pacientë pediatrikë dhe bashkëmoshatarë të tyre jo pacientë, që së bashku japin kontributin e tyre në kërkimet shkencore për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. KIDS Albania është iniciuar nga Consorzio per Valutazioni Biologiche e Farmacologiche –Degë e shoqërisë së huaj, Albanian Branch Office (CVBF-AL) në bashkëpunim me TEDDY Network (European Network of Excellence for Paediatric Clinical Research) dhe Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ , dhe është pjesë rrjetit global iCAN (International Children’s Advisory Network) që punon në nivel botëror për të ngritur zërin për fëmijët dhe familjet e tyre në çështjet që lidhen me shëndetin, mjekësinë, kërkimet shkencore dhe inovacionin. Grupi ynë, përbëhet nga të rinj pacientë dhe jo pacientë që dëshirojnë të bëjnë dallimin, të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të ndikojnë në zgjedhjet e komunitetit shkencor, të qendrave të kujdesit shëndetësor dhe të industrive farmaceutike. Fillimisht, të rinjtë janë trajnuar për tema që i përkasin kërkimit mjekësor si: biomjekësia, kërkimi bazë, provat klinike, rëndësia e kryerjes së provave klinike, inovacioni dhe humanizim të kujdesit shëndetësor dhe janë të përfshira në një sërë aktivitetesh praktike brenda spitalit. Pas aktiviteteve të trajnimit, të rinjtë janë të gatshëm të mbështesin pacientët e rinj, të advokojnë fëmijët, pacientët dhe pjesëmarrësit në provat klinike, duke i informuar ata rreth rëndësisë dhe procesit të përfshirjes në një studim klinik, për të mbështetur kërkuesit në hartimin e studimit, duke u dhënë prioritet kërkimeve të ardhshme dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kërkimet klinike duke punuar me shkollat dhe përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit.

Një grup prej 6 fëmijësh, në shoqërimin e Drejtueses së grupit, Kids Albania, mjekes pediatre, Prof.Asoc.Dr. Manika Kreka, morën pjesë aktivisht në Samitin Botëror të organizuar nga iCAN në Edinburgh- Skoci, në korrik 2018. Gjatë ditëve të takimit shumë frytdhënës, fëmijët dhe të rinjtë ndanë me bashkëmoshatarët e tyre njohuri dhe eksperienca si edhe fituan disa çmime për projektet më të mira të realizuara prej tyre. Zhvillimi i barnave të efektshme, të sigurta dhe vënia në dispozicion e formulimeve të përshtatshme për moshën pediatrike është një sfidë e madhe. Për të kapërcyer këtë EPTRI do të krijojë kuadrin e duhur për të përshpejtuar procesin e zhvillimit të barnave në pediatri dhe për të përfshirë inovacionet më të fundit në kërkimet për shëndetin e fëmijëve. Përfshirja e YPAGs në procesin e kërkimeve do të promovojë planifikimin dhe zhvillimin e iniciativave kërkimore klinike për fëmijët, do të ndihmojnë studiuesit të zhvillojnë pyetje kërkimore dhe në projektimin e studimeve klinike, do të përmirësojë komunikimin me popullatën target. Ata do të ndihmojnë në përmirësimin e mjekësisë pediatrike!

 

 

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas