Arkiva 2

QSUT, ilaçet do të jepen vetëm nga shefat e shërbimeve


Jonida Tashi



Gjendja e medikamenteve në spitalin “Nënë Tereza” do të kontrollohet në çdo kohë vetëm nga shefat e shërbimeve. Do të jenë këta të fundit ata që do të bëjnë edhe përshkrimin e recetave mjekësore për pacientët, të cilat në mjaft raste janë plotësuar në mënyrë fiktive nga mjekët edhe për barna që kanë qenë në spital, por që të sëmurët i kanë blerë në farmaci private. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) tashmë ka një sistem online të të gjitha farmacive, duke filluar nga ajo qendrore e deri tek ato periferike pranë pavijoneve. Nëpërmjet një paswordi të veçantë, shefat e pavijoneve do të hyjnë në këtë sistem dhe shohin gjendjen e të gjitha medikamenteve dhe me pas bëjnë përshkrimin e recetës mjekësore. Me sistemin e ri të farmacive shefat e shërbimit kanë mundësinë të zgjedhin ilaçet që disponon institucioni. Sipas drejtorit të QSUT-së, Saimir Ivziku, kjo mënyrë e re e menaxhimit të barnave do të bëjë të mundur kontrollin e ilaçeve që nga farmacia e deri te pacienti. “Sot ne kemi realizuar lidhjen online të të gjitha strukturave që qarkullojnë medikamentet dhe materialeve mjekësore, kemi një saktësim të plotë, një data-base në lidhje me ilaçet që përdoren në qendrën tonë. Po kështu, në anën tjetër kemi një informacion që është i besueshëm, është online dhe është në kohë reale. Kjo do të thotë se ne në çdo kohë që kërkojmë të dimë fluksin e lëvizjeve të një ilaçi të caktuar, ne kemi të gjithë informacionin e nevojshëm për daljen e tij nga farmacia qendrore, lëvizjen e tij në farmacinë dytësore dhe më pas në shërbimin e kërkuar. Tashmë kemi forma të përcaktuara të cilat janë online, qoftë modeli i fletë-kërkesës që vjen nga shërbimi, po ashtu edhe fletë-dalja e farmacisë qendrore. Kjo do të thotë që asnjë ilaç nuk lëviz më pa hyrë në sistem”, – u shpreh drejtori i QSUT. Aktualisht, në spitalin “Nënë Tereza” ka nisur puna edhe për hedhjen online të terapisë mjekësore të mjekut për çdo pacient. Kjo praktikë do të implementohet fillimisht në Spitalin Francez dhe më pas në të gjithë QSUT-në. Në momentin që të dhënat e kartelës së pacientit do fillojnë që të hidhen online, do të vërtetohet që medikamenti i kërkuar për pacientin ka vajtur tek ai.

Por, derisa të arrihet në këtë pikë, pacientëve të shtruar në QSUT do t’u duhet të presin që spitali të furnizohet me ilaçet dhe materialet mjekësore më të domosdoshme, të cilat i mungojnë prej më shumë se një viti. E vetmja zgjidhje për pjesën më të madhe të pacientëve gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë blerja e barnave dhe gjithçkaje tjetër që u është kërkuar nga mjekët, si shiringa dhe fashë për t’u mjekuar, jashtë spitalit. Tashmë pritet që në fillim të këtij viti kjo situatë të zgjidhet, edhe pse jo përfundimisht, pasi përveç abuzimit me barnat, edhe dyndja e pacientëve nga të gjitha rrethet e vendit në QSUT bën që spitali të mos i plotësojë dot nevojat vazhdimisht.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas