Aktualitet, Rajoni

Qosja: Rama u dëshmua si lider i rajonit

ramua dhe vucicAkademiku i njohur, Rexhep Qosja deklaroi dje se vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd ka rëndësi shtetërore.

“…Ka rëndësi politike dhe shtetërore në radhë të parë, se e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ka rëndësi sepse e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë për inkuadrim në Bashkimin Europian. Ka rëndësi shtetërore sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një shtet me të cilin Shqipëria ka sot marrëdhëniet më të mira në historinë e saj. Ka rëndësi për përkushtimin ndaj SHBA sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshirojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshirojnë në përgjithësi normalizimin e marrëdhënieve shqiptare – serbe pas gjithë atyre që kanë ngjarë”, – tha mbrëmë Qosja në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga.



I pyetur mbi përshtypjet e tij për qëndrimin e Ramës në Beograd, Qosja u përgjigj: “E kam ditur se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me përgatitjen që ka, me përvojën që ka, me dhuntinë politike dhe intelektuale që ka, do të jetë sipëror në atë takim, në ato bisedime, dhe u tregua kjo që në momentet e para, sidomos në konferencën me gazetarët”.

Një koment akademiku Rexhep Qosja përcolli edhe për kryeministrin serb Vuçiç “…Më ka befasuar shumë zgjedhja e Vuçiçit si kryeministër, sepse ai ka një barrë të rëndë në jetëshkrimin e tij politik. Ai ka bërë me Sheshelin një politikë shumë agresive, jo vetëm nacionaliste por shoviniste ndaj shqiptarëve, ndaj myslimanëve të Bosnjës e të Hercegovinës. Jo vetëm për mua, zgjedhja e tij si kryeministër i Serbisë ishte befasi për shumëkënd, por ja që u zgjodh sepse ai mori një drejtim politik pro evropian, me një ndryshim nga një numër i madh i politikanëve dhe intelektualëve  në Serbi që janë të orientuar më tepër nga Rusia, e që e quajnë veten patriotë kurse këta i quajnë pro europianë”.

Por për çfarë do të shërbejë kjo vizitë në të ardhmen? “Këtë vizitë mund ta shikojmë në kontekstin e takimit në Berlin, është vazhdimi i asaj që u bë në Berlin. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, dëshmoi një superioritet politik, në të vërtetë edhe në Berlin e dëshmoi. Tani, edhe më fort në Beograd. Edi Rama, e them me kënaqësi të veçantë, u dëshmua jo vetëm Kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët”, – u përgjigj Qosja.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas