Ekonomi

Qeveria vendos TVSH për reklamat në media në masën 6%

Një ndryshim në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar i miratuar nga Këshilli i Ministrave të mërkurën vendos TVSH për furnizimin e reklamave në median audiovizive. Disa media mund të përfitojnë rimbursim TVSH-je, ndërsa disa pritet të humbasin.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Furnizimi i reklamave për median audiovizive ka qenë i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që nga fillimi i viteve 2000 në Shqipëri, por një ndryshim i propozuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama pritet ta heqë nga lista e përjashtimeve dhe të vendosë për këtë shërbim një tarifë të reduktuar në masën 6%.



Ndryshimet në ligjin për TVSH-në, të miratuar të mërkurën në mbledhje qeverie, thonë: “Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, është 6 për qind.”

As qeveria dhe as Ministria e Financave nuk kanë dhënë shpjegime për çfarë arsyesh janë ndërmarrë këto ndryshime. Financierët e medias janë ndërkohë duke llogaritur efektet pozitive dhe negative nga ky ndryshim.

Nga njëra anë, vendosja e TVSH-së do të rrisë koston e blerjes së hapësirave publicitare nga kompanitë reklamuese ndërsa nga ana tjetër, televizioneve dhe radiove do t’u lindë e drejta të “shkarkojnë” TVSH-në që paguajnë për blerjen e mallrave apo shërbimeve gjatë aktivitetit të tyre të zakonshëm. Rrjedhimisht, në rast se televizionet kanë volum të lartë blerjesh në, fjala vjen, pajisje të ndryshme për të cilat kanë paguar 20% TVSH, ato mund të rezultojnë përfituese nga TVSH-ja në furnizimin e reklamave në masën 6%. Nga ana tjetër, në rast se volumi i blerjeve me TVSH në një televizion apo një radio është i vogël, për shembull, radiot kanë volum të vogël blerjesh, vendosja e TVSH-së do të rrisë koston e reklamimit.

Tregu i televizioneve në Shqipëri ka ardhur në tkurrje gjatë viteve të fundit për shkak të vështirësive të përgjithshme ekonomike.

Bilancet zyrtare të kompanive kryesore mediatike të analizuara nga BIRN tregojnë se të ardhurat ranë me 4% gjatë vitit 2017 në krahasim me vitin 2016.

Të ardhurat e televizioneve pa pagesë ishin në masën 3.9 miliardë lekë, të ardhura që krijohen në shumicën dërrmuese nga reklamat.

Ndërkohë, furnizimi i shërbimeve për median e shkruar vijon të mbetet i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas