Mapo Format

Qeveria studentore UET: Studentët kanë zërin e tyre në Senatin Akademik

Javën e kaluar u zhvillua mbledhja e parë e Qeverisë së re Studentore të UET. Nga kandidaturat e prezantuara, janë shpallur 36 fitues, nga cikli Bachelor dhe Master. Senatorët e rinj kanë prezantuar objektivat e tyre për detyrën ku janë zgjedhur me votat e studentëve. 

Nga Elda Dedja



Studentët në Universitetin Europian të Tiranës kanë tanimë Qeverinë e re Studentore. Ishin pikërisht ata, të cilët në mënyrë demokratike zgjodhën përfaqësuesit e tyre të rinj. Procesi i rinovimit të kësaj strukture zgjati thuajse një muaj, ku veçanërisht java e fushatës spikati pasi u karakterizua nga energjia dhe përkushtimi i kandidatëve për të fituar besimin e studentëve, votat e të cilëve do të përcaktonin fituesit. Pasi kanë patur mundësinë të njihen me kandidatët më tepër, të kuptojnë pikat e tyre të forta dhe të dobëta si dhe objektivat dhe ambiciet për të ardhmen, studentët u janë drejtuar kutive të votimit për të dhënë verdiktin e tyre.
Procesi i votimit ka qenë mjaft pozitiv, ku është vënë re një pjesëmarrje e konsiderueshme votuesish të cilët kanë shprehur vullnetin në lidhje me përfaqësuesit e tyre të ardhshëm. Procesi i numërimit të votave dhe i shpalljes së fituesve ka qenë po ashtu transparent, duke siguruar edhe një herë cilësinë e këtyre zgjedhjeve dhe rëndësinë që Qeveria Studentore ka në shprehjen e vullnetit të studentëve të UET dhe dëgjimin e zërit të tyre.
Javën e kaluar është zhvilluar edhe mbledhja e parë e Qeverisë së re Studentore të UET. Nga kandidaturat e prezantuara, janë shpallur 36 fitues, nga cikli Bachelor dhe Master. Senatorët e rinj kanë patur mundësinë të njihen më mirë më njëri-tjetrin, tanimë në pozicionet aq të dëshiruara.
E pranishme në mbledhjen e Qeverisë Studentore, ka qenë Dekania e Studentëve, dr. Anisa Subashi, e cila ka theksuar rëndësinë që kjo strukturë ka për Universitetin Europian të Tiranës, si transmetues i zërit të studentëve, i problematikave që mund të ekzistojnë por edhe ideve inovantore që ata mund të kenë.
Ajo, gjithashtu, i ka uruar senatorët e rinj për fitoren, duke kujtuar rëndësinë që ky post ka dhe përgjegjësinë që mbart në vetvete.
Si gjithnjë, edhe në këtë Qeveri Studentore, do të ketë tre anëtarë të saj, të cilët do të jenë pjesë e Senatit Akademik, në mënyrë që studentët të përfshihen në vendimet të cilat merren për universitetin e tyre, një përfaqësi kjo, e cila garanton transparencën dhe dëgjimin e vullnetit të studentëve.
Nga kandidaturat e paraqitura, senatorët votuan për të zgjedhur 2 përfaqësues të cilët së bashku me Presidentin e Qeverisë Studentore, do të jenë pjesë e Senatit Akademik.
“Senati Akademik është organ kolegjial, që përcakton politikat e zhvillimit të UET-it, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati akademik kryesohet nga Rektori. Anëtarët e Senatit Akademik, zgjidhen nga asambletë e personelit akademik të fakulteteve, gjithashtu anëtarë të senatit akademik janë edhe kryetari i Këshillit Studentor dhe dy studentë të tjerë që zgjidhen nga këshilli studentor, mandati i të cilëve është 2– vjeçar. Rëndësia e studentëve në këtë organ është sepse funksionet kryesore të Senatit Akademik në drejtimin akademik–shkencor janë të garantojë autonominë e institucionit të arsimit të lartë, lirinë akademike, si dhe të drejtat e studentëve. Funksion tjetër është vlerësimi dhe miratimi i programeve të studimit, programet e kërkimit dhe të zhvillimit, si dhe ndryshimet në këto programe, me propozim të Rektorit dhe/ose njësive kryesore të UET. Ndaj, duke qenë studentët pjesë e strukturës, e kanë më të lehtë garantimin e këtyre funksioneve dhe transparencës”, është shprehur Dekania e Studentëve, dr. Anisa Subashi, në lidhje me rëndësinë që ka përfaqësimi studentor në Senatin Akademik.

Ana Plaku, studente e vitit të tretë në degën Menaxhim Biznesi, si dhe Xhon Muslli, student i vitit të tretë në degën Juridik i Përgjithshëm, janë 2 kandidatët të cilët kanë marrë shumicën e votave nga kolegët e tyre dhe rrjedhimisht janë përfaqësuesit e rinj në Senatin Akademik.
Në mbledhjet e ardhshme do të zgjidhen edhe Presidenti i ri i Qeverisë Studentore të UET, zv.presidenti, Sekretari i Përgjithshëm, si dhe përfaqësuesit e tjerë të cilët do të jenë pjesë e strukturave të tjera në UET.
Vilma Beqa, Presidentja aktuale, u ka treguar senatorëve të rinj më shumë në lidhje me eksperiencën e saj personale në këtë post dhe i ka inkurajuar ata të kandidojnë për të qenë Presidenti i ardhshëm, duke e vlerësuar këtë post si një mundësi të shkëlqyer e cila ndihmon në krijimin e perspektivave të reja në të ardhmen.
Dëshira dhe ambicia për të fituar këtë post është e pranishme në shumë prej senatorëve, gjë e cila premton një tjetër garë të fortë, tanimë për të qenë në krye të Qeverisë Studentore.
Disa nga përfaqësuesit e rinj të studentëve, flasin në lidhje me fitoren që sapo kanë siguruar dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen, tanimë në postin e shumëdëshiruar.

Lista e fituesve të Qeverisë Studentore 2017-2018:

Juridik i Përgjithshëm
Klaudja Kamberaj v.1
Roeld Hysi v.2
Xhon Muslli v.3

Financë-Bankë
Marcello Kapaj v.1
Anxhela Zeqo v.2
Estina Trungu v.3

Menaxhim Biznesi
Xhesila            Miha v.1
Eglentina Iljazi v.2
Ana Plaku v.3

Shkenca Politike
Mirgen Çela v.1
Esimagra Latifi v.2
Griselda Mata v.3

Marrëdhënie Ndërkombëtare
Heidi Kasa v.1
Vergulla Shqevi v.2
Glindxhet Madhi v.3

Psikologji
Roi Vogli v.1
Liljana Resulaj v.2
Pamela Kofsha v.3

Komunikim-Dizajn
Marko Zhezha v.1
Greta Guçe v.2
Donela Lushka v.3

Komunikim dhe marrëdhënie publike
Enio Manahasa v.1
Fjona Çela v.2
Rinold Kaca v.3

Informatikë Ekonomike me profil FB
Emanuela Maraj v.1
Gerald Nuraj v.2
Andorela Ndoj v.3

Informatikë Ekonomike me profil MB
Klea Maskaj v.1
Xheni Alicanaj v.2
Andorela Ndoj v.3

Sociologji-Antropologji                                               
Diona Mehmetaj v.1
Liridona Hoxha v.3

Esimagra Latifi: Të qenit senatore të mëson mbi përgjegjësitë

Esimagra Latifi është senatorja e re në degën Shkenca Politike, viti i dytë. Për Megin kjo ishte hera e parë që kandidonte dhe fakti që u shpërblye me fitore nga studentët e degës së saj, të cilët i besuan ketë detyrë me anë të votave të tyre, e bën atë mjaft krenare.
“Gara për postin e senatores ka qenë relativisht e vështirë pasi veçanërisht në zgjedhje të tilla, të cilat duken të vogla, konkurrenca është e fortë. Megjithatë unë gjithnjë kam besuar në veten time. Kam besuar fort në fitore, por padyshim që gara ‘provokon’ emocione të forta dhe ç’është e vërtetë në momentin e numërimit të votave nuk mund të mos e ndieja tensionin e shpalljes së rezultatit. Kur u shpalla zyrtarisht fituese, tek unë mbizotëronte padyshim gëzimi dhe mirënjohja ndaj atyre të cilët më besuan misionin e përfaqësimit të tyre”, tregon Esimagra.
E karakterizuar nga vetëbesimi si dhe përkushtimi për të realizuar qëllimet e saj, kjo detyrë e re paraqet një sfidë interesante për studenten e Shkencave Politike.
“Edhe përpara se të zgjidhesha në këtë detyrë, dëshira për të realizuar projekte të cilat iu shërbejnë studentëve të degës ku unë studioj nuk kanë munguar. Falë bashkëpunimit me kolegët e mi shumë shpejt do të nisë konkretizimi i këtyre ideve dhe projekteve. Detyra si senatore është mundësia më e mirë për t’iu dhënë zë këtyre ideve dhe konkretizim projekteve inovatore. Ky është edhe qëllimi im primar, të nxis bashkëpunimin mes studentëve, të jemi pjesëmarrës, të jemi aktivë, zëri ynë të dëgjohet dhe projektet tona të realizohen”, shprehet Esimagra e motivuar për të dhënë më të mirën në këtë detyrë të re dhe të rëndësishme që ka marrë “mbi supe”.
“Pozicioni i senatores është mjaft me rëndësi, pasi ndër të tjera të mëson mbi përgjegjësitë, komunikimin, sipërmarrjet, menaxhimin. Këto janë aspekte mjaft të rëndësishme, të cilat kontribuojnë në një formim cilësor të kujtdo që aspiron të ketë një të ardhme profesionale të suksesshme. Mendoj se ky post është vetëm fillimi, hapi i parë drejt realizimit të aspiratave të mia”.

Emanuela Maraj: Së bashku me lumturinë e fitores, vjen përgjegjësia

Emanuela Maraj është senatorja e re, në degën Informatikë Ekonomike me profil Financë-Bankë, për vitin e parë. Emanuela u zgjodh përfaqësuese e vitit të parë, pas një gare të fortë, ku përballë kishte 3 kandidatë të tjerë. Pas një fushate dinjitoze të të katërt kandidatëve, Emanuela u përzgjodh nga studentët, si përfaqësuesja e tyre e re, në Qeverinë Studentore të UET.
“Emocionet e kandidimit ishin më se të kuptuara, duke qenë se ishte viti i parë që kandidoja. Gara nuk ishte aspak e lehtë pasi ishim katër kandidatë, me ambicie të qarta dhe secili me qëllimin për të fituar. Jam e kënaqur që mora në fitoren time votëbesimin e grupit tim dhe sigurisht me këtë vjen lumturia e fitores që më ka dhënë postin dhe përgjegjësinë e të qenit senatore”, shprehet Emanuela.
Sigurisht që pas një gare të fortë dhe shpërblimit me fitore, krahas kënaqësisë vjen edhe përgjegjësia. Emanuela shprehet e vetëdijshme për rëndësinë që ky post mbart në vetvete por entuziazmi dhe përkushtimi që e karakterizuan gjatë fushatës zgjedhore, nuk duket të jenë shuar, përkundrazi motivimi është edhe më i madh dhe objektivat janë të qartë.
“Së bashku me përgjegjësinë për postin e senatorit vjen dhe privilegji i të qenit pjesë e qeverisë studentore, përfaqësuese kryesore e zërit të studentëve. Por unë jam e qartë në synimet e mia. Një nga pikat kryesore të organizimit se si mendoj ta kryej punën time është ndarja e përgjegjësisë dhe punës midis grupeve. Çdo grup do të ketë një nënsenator në mënyrë që zëri dhe mendimi i gjithsecilit të dëgjohet dhe të vihet në funksionin e duhur. Në këtë mënyrë të gjithë mund të kemi mundësi të punojmë me njëri-tjetrin dhe zëri i gjithsecilit do të dëgjohet. Sigurimi i bashkëpunimit na siguron të gjithëve rrjetin e së ardhmes”.
Emanuela e sheh këtë post jo vetëm në funksion të rritjes së cilësisë së universitetit në të cilin studion, por edhe si një hallkë e rëndësishme në ndërtimin e ëndrrave të saj.
“Një nga pikësynimet e mia për të ardhmen është të jem pjesë e një strukture drejtuese qeverisëse, por përpara se të arrij atje më duhet të mësoj hapat e parë të bashkëpunimit dhe çfarë mund të bëj unë në ndihmë të masës, hapa të cilët do mësoj t’i hedh në këtë detyrë”, tregon ajo.

Heidi Kasa: Të qenit senator, një hap më pranë ëndrrës sime

Heidi Kasa është studente në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare, në vitin e parë dhe sapo është zgjedhur senatore. E motivuar nga dëshira për të qenë përfaqësuese e studentëve të grupit të saj, për të qenë zëri i tyre, për t’iu dhënë zgjidhje problematikave, por edhe për të konkretizuar idetë e tyre, Heidi është bërë pjesë e garës për të qenë anëtare e Qeverisë Studentore në UET.

Konkurrenca nuk e ka trembur atë, përkundrazi dëshira për të fituar e ka motivuar të japë më të mirën nga vetja, përgjatë fushatës zgjedhore.
“Nëse do të flisja në prizmin e konkurrencës, mund të them se gara ka qenë relativisht pak e vështirë. Kjo për faktin se të gjithë kandidatët ishin të fortë dhe studentë mjaft të mirë. Nga ana tjetër sigurisht që jam e kënaqur, por dhe e privilegjuar në të njëjtën kohë. Është diçka që e dëshiroja shumë dhe fakti që shumica të jep mbështetje me votë është diçka edhe më e bukur”, shprehet Heidi.
Në detyrën e re që e pret, Heidi nuk harron objektivat të cilët ua ka parashtruar kolegëve të saj gjatë fushatës.
“Pikë së pari, objektivi im themelor si senatore për degën Marrëdhënie Ndërkombëtare është të përcjell çdo problematikë apo sugjerim të shtruar nga klasa. Pastaj për sa i përket pjesës së Qeverisë Studentore, krahas detyrimeve që do të përmbush do të më pëlqente të nxisja frymën ‘team work’. Kjo për faktin se pas prezantimit që bëmë me njëri-tjetrin, edhe pjesa tjetër e senatorëve më ka përcjellë një frymë shumë pozitive dhe besoj se janë shumë të gatshëm për të bërë shumë. Jam e bindjes se kjo do ta rriste akoma më shumë performancën e Qeverisë Studentore në total, duke i bërë të gjithë ta shohin veten si pjesë e një skuadre dhe jo vetëm si individë”, shprehet Heidi në lidhje me objektivat e saj në këtë post të ri.
Ndërkohë për sa u përket aspiratave të saj në lidhje me të ardhmen, ato për të janë të qarta.
“Disa vite nga ky moment, më pëlqen ta shikoj veten si diplomate dhe ky do të ishte profesioni im i ëndrrave. Është një nga profesionet dhe degët që më ka pëlqyer gjithmonë. Kjo ëndërr po merr jetë e po fillon të rritet këtu në UET. Jam e mendimit se kjo detyrë e re si senatore, do të më ndihmonte në realizimin e kësaj ëndrre në dy aspekte. Pikë së pari, gjatë mandatit, pikërisht nga përmasat që merr kjo si detyrë, do të aftësohem shumë dhe besoj se do të akumuloj mjaft eksperienca si në menaxhimin e situatave të ndryshme ashtu edhe në aftësitë në komunikim, qoftë në cilësi, por edhe profesionalisht.
Posti i senatorit, është një detyrë me rëndësi dhe me përgjegjësi, por edhe një mundësi e artë për t’u përgatitur cilësisht për të ardhmen që aspiroj”.

Diona Mehmetaj: Do jem hallka mes studentëve dhe universitetit për çdo problem

Diona Mehmetaj është senatore për degën Sociologji-Antropologji, viti i parë. E karakterizuar nga energjia dhe motivimi për të sjellë ndryshimin, Diona e ka vlerësuar postin e senatorit në Qeverinë Studentore të UET, si një mundësi e mirë për të hedhur hapat e parë drejt të ardhmes së ndritur që synon të ketë. Pikërisht dëshira për të qenë përfaqësuese e studentëve të degës së saj dhe objektivat e qartë, e kanë shtyrë të bëhet pjesë e garës për postin e senatorit, garë nga e cila është shpallur fituese.
“Kandidatët për postin e senatorit, në degën time, kanë qenë konkurrentë të fortë dhe kjo gjë e bëri garën edhe më interesante, duke e ruajtur rezultatin ‘surprizë’ deri në votat e fundit. Jam vërtet e kënaqur dhe e lumtur që studentët e degës sime besuan tek unë, për një përfaqësim dinjitoz, dhe sot jam senatore. Ky post, ka qenë në synimet e mia, që në fillim të vitit shkollor”, ka treguar Diona në lidhje me eksperiencën e saj në garën e zhvilluar për postin e senatorit.
Tani që është pjesë e Qeverisë Studentore të UET, motivimi për të sjellë në jetë synimet dhe objektivat e saj është edhe më i madh.
“Të jesh pjesë e Qeverisë Studentore është një privilegj shumë i madh, i cili njëkohësisht mbart edhe përgjegjësi shumë të mëdha, pasi në këtë post je për të për të përfaqësuar të gjithë studentët e degës tënde, shqetësimet e tyre dhe dëshirat e tyre. Unë mendoj se do të jap maksimumin tim, për të artikuluar çdo problematikë që studentët mund të ngrenë dhe të jem një ndër hallkat që do të çojnë në zgjidhje të problematikave të ngritura. Kam shumë dëshirë të sjell ide të reja, për t’i dhuruar Qeverisë Studentore por edhe Universitetit Europian të Tiranës në tërësi, një frymë të re inovatore. Me pak fjalë, pres me padurim të filloj të ushtroj detyrën time të re dhe të vë në zbatim objektivat e mi”.
Diona është një studente ambicioze, e cila postin e senatorit e sheh si një post parapërgatitës për të ardhmen e saj.
“Ëndrra ime më e madhe është që në të ardhmen të jem pjesë e Parlamentit të Shqipërisë dhe realisht mendoj se kjo detyrë do të më ndihmojë shumë për ta arritur këtë synim timin. Kjo sepse posti i senatorit paraqet një eksperiencë tejet të vlefshme, e cila mendoj lidhet ngushtë me detyra të tilla, duke më ndihmuar të fitoj më tepër eksperiencë, krahas trajnimeve të ndryshme që kam ndërmend të zhvilloj edhe më vonë”, tregon Diona.

Donela Lushka: Posti i senatorit, një mundësi për karrierën time

Donela Lushka është senatore në degën Komunikim-Dizajn, për vitin e tretë. Ajo është një studente mjaft e përkushtuar dhe me synime të qarta për të ardhmen. Posti i senatorit paraqet për Donelën një mundësi mjaft të mirë, për të qenë një transmetuese e zërit të studentëve në degën e saj, për t’iu dhënë zgjidhje kërkesave të tyre si dhe për t’u mundësuar atyre të realizojnë idetë dhe projektet që kanë në plan të realizojnë.
“Dega e Komunikim-Dizajnit është një degë mjaft kreative dhe studentët e saj janë të prirur të kenë mjaft ide. E vlerësoj postin e senatorit si një mundësi shumë të mirë për të qenë unë ajo e cila transmeton këto ide në strukturat përkatëse të cilat mund të ndihmojnë në realizimin e tyre. Do të doja të kontribuoja për t’i dhënë më shumë hapësirë artit në ambientet e UET. Kjo ka qenë arsyeja primare që më ka nxitur të kandidoj për senatore. Jam mjaft e lumtur që studentët më kanë besuar një detyrë kaq të rëndësishme dhe jam e bindjes se në të ardhmen do të mund të sjellim në jetë projekte mjaft të bukura”, tregon Donela në lidhje me arsyet të cilat e kanë shtyrë të bëhet pjesë e garës për të qenë përfaqësuese e studentëve në Qeverinë Studentore.
“Jam e mendimit se kjo detyrë do të më mësojë shumë gjëra të reja, në lidhje me komunikimin si dhe bashkëpunimin në grup, ndaj e vlerësoj si një mundësi shumë të mirë për ndërtimin e një karriere cilësore në të ardhmen, në degën për të cilën unë studioj. Të qenit në kontakt të vazhdueshëm me persona të ndryshëm, përcjellja e problematikave apo ideve të reja është një pjesë plotësuese mjaft e rëndësishme, krahas aspektit artistik që ky profesion kërkon”, shprehet Donela, optimiste për detyrën e saj të re.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas