Ekonomi

Qeveria miraton: Përjashtime nga taksat për hotelet me vlerë mbi 8 milionë euro; FMN: Do krijojnë evazion




               Publikuar në : 14:07 - 11/11/17 |
mapo.al
Këshilli i Ministrave ka miratuar mbrëmë projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për turizmin, ku përcaktohen kriteret që hotelet me 4 dhe 5 yje të marrin statusin special.

Sipas projektligjit, lehtësitë fiskale i përfitojnë hotelet me 4 yje për vlerë investimi të paktën 8 milionë euro dhe për hotelet me 5 yjë të jetë të paktën 15 milionë euro.


Statusi special do të jepët nga Ministria e Ekonomisë, por kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, përcaktohen nga Këshilli I Ministrave, duke i lënë fuqi të madhe në dorë këtij të fundit.

Paketa fiskale ka përcaktuar më herët se hotelet me status special do të përjashtohen nga tatim fitimi për 10 vitet e para, ndërsa hotelet me 5 yje nuk do paguajnë as taksën e infrastrukturës.

FMN është shprehur kundër këtyre lehtësive pasi ka “Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiscal”.

“Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime”, ka deklaruar FMN./Monitor

 

Drafti

Drafti përcakton që Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin,  jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:

  1. a) Është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të certifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse sipas këtij ligji.
  2. b) Vlera e investimit është të paktën 8 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

Aplikimi për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” dhe marrëveshja me investitorin

  1. Kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.
  2. Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella.”.

Statusi special

“Strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton strukturën akomoduese që përfshin hotelin dhe/ose resortin me 4 ose 5 yje, e cila përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 33/2, të këtij ligji.

“Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton subjektin i cili financon ndërtimin dhe/ose merr përsipër ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, i cili përmbush kriteret e përcaktuara në nenet 33/1, të këtij ligji.

“Operator menaxhues në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton grupin hotelier i cili merr përsipër operimin dhe menaxhimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kontratave “franchising” apo kontratave të tjera, të ngjashme me këtë të fundit.”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA NË LIGJIN NR.93/2015, “PËR TURIZMIN”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, bëhen këto shtesa:

Neni 1

Në nenin 4 “Përkufizime”, pas pikës 52 shtohen pikat 53, 54 dhe 55, me përmbajtje:

“53. “Strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton strukturën akomoduese që përfshin hotelin dhe/ose resortin me 4 ose 5 yje, e cila përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 33/2, të këtij ligji.

54.“Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton subjektin i cili financon ndërtimin dhe/ose merr përsipër ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, i cili përmbush kriteret e përcaktuara në nenet 33/1, të këtij ligji.

55.“Operator menaxhues në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton grupin hotelier i cili merr përsipër operimin dhe menaxhimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kontratave “franchising” apo kontratave të tjera, të ngjashme me këtë të fundit.”.

Neni 2

Pas nenit 33 shtohen nenet 33/1 dhe 33/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 33/1

Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special

Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin,  jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:

a) Është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të certifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse sipas këtij ligji.

b) Vlera e investimit është të paktën 8 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

Neni 33/2

Aplikimi për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” dhe marrëveshja me investitorin

1. Kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të  Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.

2. Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella.”.

Neni 3

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 9 (nëntë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të pikës 1, të nenit 33/2.

Neni 4

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.



loading...
KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas