Editorial

Qeveria e re italiane me taksa të ulëta dhe minimum jetik, a është e mundur?

Nga Ervis Iljazaj

Mbas shumë diskutimeve dhe përpjekjeve, Italia arriti më në fund të formojë një qeveri të përbashkët midis Lëvizjes Pesë Yje dhe Legës së Veriut me një Kryeministër profesor, emri i të cilit mori mbështetjen e dyja forcave politike.



Në fakt, edhe pse u debatua shumë për të krijuar një mazhorancë qeverisëse, zgjedhja përfundimtare ishte në thelbin e saj e drejtë për sa i përket votës dhe vullnetit të italianëve.

Dy parti politike që nga shumë konsiderohen si parti populiste për shkak të propozimeve të tyre. Dhe jo pa të drejtë. Për shembull sinteza e programit të përbashkët është taksa të ulëta dhe minimum jetik, ose ajo që Lëvizja pesë Yje e quante të ardhurat e qytetarisë, që në programin e tyre nuk është aspak i ulët, diku te 800 euro në muaj për ata që janë të papunë.

Për këtë program, qeveria e re është që tani e paralajmëruar nga Presidenti dhe Bashkimi Europian për të mbajtur në rregull parametrat makroekonomikë. Sepse, Italia është një vend i cili ka një borxh të lartë publik, dhe, aventurizmat e tillë do të ishin fatalë për ekonominë e saj.

Në këtë kuptim, ulja e taksave dhe garantimi i një minimumi jetik, jo pak të vogël për hir të vërtetës, komentohet nga zëra të rëndësishëm të ekonomisë italiane si e pamundur. Është një kosto që, një ekonomi në gjendjen aktuale ku ndodhet nuk mund ta përballojë.

Mirëpo, politika funksionon me një logjikë tjetër, me marrëdhënien emocionale midis politikës dhe qytetarëve. Në këtë drejtim, të dyja partitë politike arritën të zhvillojnë një fushatë elektorale emocionale, me premtime të cilat vështirësisht mund të kundërshtohen, por, që janë të vështira për t’u realizuar.

Për këtë arsye, jetëgjatësia e qeverisë së re italiane është e gjitha për t’u provuar. Sepse, tjetër gjë është të jesh në opozitë dhe të denoncosh, dhe një gjë tjetër kur je në qeveri. Kur përballesh me realitetin dhe përgjegjësinë e vendimmarrjes, e kupton fare mirë që premtimet politike e bëra nuk janë të lehta për t’u realizuar.

Nga kjo situatë, të dyja partitë politike nuk e kanë të lehtë për të dalë, pasi populli italian kësaj here kërkoi me ngulm dhe me votë një ndryshim radikal të zgjedhjeve politike, dhe, çdo devijim nga to do të jetë e papranueshme.

Zbatueshmëria e programit të përbashkët, bëhet e vështirë për faktin se, ka një kosto jashtëzakonisht të madhe, dhe, nuk dihet ende se ku do të gjenden këto para. Ka një kontradiktë që ekonomistët e quajnë hajekiano–kejnesian. Nga emri i dy ekonomistëve të njohur të shekullit të kaluar, ku i pari propozonte taksa të ulëta dhe ndërhyrje të vogël të shtetit në ekonomi. Ndërsa i dyti, taksa më të larta dhe ndërhyrjen e shtetit në ekonomi për të nxitur atë me anë të veprave publike. Të dyja këto filozofi bashkërisht nuk mund të aplikohen, pasi janë të parealizueshme.

Prandaj, me të drejtë, i gjithë programi që kanë propozuar Lëvizja Pesë Yje dhe Liga e Veriut, është konsideruar si një program që nëse vërtet tentohet të aplikohet do të rrezikonte një borxh publik shumë të madh, i cili është një nga problemet më të rëndësishme të ekonomisë italiane.

PasPara

2 komente

  1. E degjoj shpesh në media lakimin me sens negativ të fjalës “populizëm”, duke ja veshur si cilësi të së djathtës ekstreme.. Deri vonë në vënd të fjalës “populizëm” për të sulmuar të djathtën përdorej fjala “nacionalizëm” e në rrënjën e saj gjuhësre të dy fjalët janë të ngjashme sepse përfaqësojnë “popullin” apo “nacionin, kombin”.
    Ideollogjia politike që ka abuzuar më së shumti e për një kohë shumë të gjatë, edhe sot akoma me “populizmin” apo “nacionalizmin”, ështe komunizmi.
    Në sitemet diktatoriale komuniste, çdo gjë bëhej në emër të popullit Në emër të popullit diktatura e proletariatit i kthente njerëzit të gjithë proletare e më keq akoma skllevër që ju ndalohej edhe të mendonin.
    Në emër të popullit vriteshin e persekutoheshin ata që mendonin ndryshe.
    Në emër të popullit varfërohej ai deri në mjerim..
    Nuk ka sepse të trajtohen fjalët populizëm apo nacionalizëm me një përgjithësim negativ.
    Vetë fjala “demokraci” e ka rrënjën në kuptimin e pushtetit të popullit. Nëse njerëzit nuk do të kishin luftuar për kombin e tyre (si nacionalistë), sot bota nuk do të kishte rreth 200 shtete antare të OKB por do të kishte disa perandori të mëdha si ajo romake apo perandoria koloniale britanike.
    Në emër të “internacionalizmit” i shtërngoi me darët e diktaturës së proletariatit ish Bashkimi Sovjetik, republikat e saj të shumta e shtetet e Europës lindore.

  2. Ervis,shume mire e thua se kur premton,pa u menduar,do perballesh me realitetin,por kete deklarate,nuk e kemi degjuar ,ta thuash,per premtimet e PS-Rilindase,ne fushaten elektorale te 2013,qe jo vetem nuk jane zbatuar,por jane sikur te kerkosh qiqerra ne hell.Ne lexuesit e Mapo-s,duam me shume deklarata per qeverine tone ,qe te vihet ne terezi,e te filloje,qofte edhe ngadale,premtimet e saja,e pastaj,na tregoni perralla edhe per qeverite e huaja,qofte ajo edhe Italiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas