Op Ed

Qeveria e detyrimeve

shkelzenNga Shkëlzen Maliqi

 



Skepticizmi dhe kritika mund të luajnë rol pozitiv në punën e Qeverisë së re, duke e vetëdijesuar se është nën vëzhgimin e vazhdueshëm jo vetëm të opozitës por edhe të opinionit. Vetëm se ato mund të bëhen kundërproduktive dhe bllokuese nëse nisen nga premisat nihiliste dhe hakmarrëse, ose edhe pritjet e tepruara, të cilat mund të realizohen brenda mandatit të kufizuar të një qeverie

“Zero tolerancë për Qeverinë e re”, është njëri nga sloganet dominuese në mediumet e Kosovës që po shprehen me skepticizëm për koalicionin e madh qeverisës të arritur pas marrëveshjes PDK-LDK. Ky është një sinjal se Qeveria e re, ndonëse i ka 2/3 e votave në Kuvend, nuk do të qeverisë lehtë dhe pa kontroll të opinionit, edhe pse opozita e tri partive të mbetura nga formacioni VLAN, tani e VAN-itur, nuk jep shenja se mund të veprojë si një opozitë e bashkuar dhe ndikuese.

A e gëzon, megjithatë, Qeveria e re atë luksin e njëqind-ditëshit që i lihet për konsolidim dhe shpalosje të programit më të detajizuar të saj, gjatë cilës kohë ajo zakonisht nuk kritikohet? Opinioni dhe mediumet e pakënaqura që i gëzoheshin shumë bllokut anti-PDK të VLAN-it, jo vetëm që nuk e pëlqejnë kthesën e papritur politike të LDK-së, por nuk i japin aspak kohë Qeverisë Mustafa të argumentojë se qeveria e tij mund të ketë program pozitiv. Ashtu sikur që më parë kritikohej PDK-ja dhe ish-Kryeministri Thaçi, se e kanë “kapur shtetin”, tani pohohet se po ky subjekt, me gjithë SHIK-un, e kanë kapur edhe Mustafën dhe LDK-në, duke “shkretuar” kështu edhe më shumë gjasat e Kosovës që të dalë nga ngecja.

Mbase është deri diku e arsyeshme që pas gati 6 muajsh vonese në krijimin e Qeverisë shprehet mosdurimi ndaj pritjes shtesë tremujore që të shihet se çfarë premton Kryeministri i ri. Kjo aq më parë kur shihet ashiqare se ai ka bërë një skuadër të komponuar sa nga dëshira për të pasur një profil të rinovuar të ministrave, po aq edhe me përzgjedhjet të imponuara nga raportet e forcave brenda dy partive. Për të pasur një besim fillestar më të madh te Qeveria e re, Mustafa dhe Thaçi është dashur ta freskonin atë me emra të rinj dhe ekspertë të fushave nga programi prioritar i qeverisjes. Por, meqë ky koalicion u krijua nga zori dhe jo mbi bazat e negociatave programore, asnjëri nga liderët kryesorë nuk ka mundur të kushtëzojë tjetrin që lista e ministrave t’i përshtatet qëllimeve të Qeverisë.

Vetëm se unë jam i mendimit se kjo Qeveri nuk duhet të ngarkohet me pritje të mëdha. Për më shumë, jo vetëm ky koalicion konkret, por as ndonjë tjetër, si ai i VLAN-it, nuk ka pasur gjasa të bëjë më shumë në situatën çfarë e kemi. P.sh. duhet kujtuar se VLAN-i, edhe pse paraqitej me retorikë përmbysëse, gjatë gjithë asaj kohe që e priste ardhjen në pushtet, nuk ishte në gjendje që të ofrojë ndonjë program të qartë dhe të realizueshëm për zhvillimin e përshpejtuar të Kosovës. “Përmbysëse” mbase dukeshin vetëm disa pika majtiste të programit të Lëvizjes Vetëvendosje, që partitë e tjera i gëlltisnin në heshtje, ndonëse e dinin se Kosovës do të mund t’i sjellin vetëm telashe…

Në këtë aspekt, duke vlerësuar paraprakisht edhe strukturën “kompromise” të Qeverisë Mustafa, për periudhën e re katërvjeçare mund të themi lirisht se edhe kjo qeverisje do të jetë tranzitore me obligime më shumë detyruese sesa të programuara zhvillimore.

Zhvillimi i shpejtë i Kosovës dhe punësimi masiv edhe ashtu kanë qenë përralla të fushatave parazgjedhore, dhe jo premtime të realizueshme gjatë mandatit të kësaj qeverie. Ajo çka realisht mund ta bëjë kjo Qeveri, është krijimi i parakushteve për zhvillim të përshpejtuar dhe konsolidimi i funksioneve të shtetit. Jemi ende në fazën e shtetndërtimit të brendshëm si dhe njohjes së plotë ndërkombëtare; pra, duhet të bëhemi sovranë së brendshmi dhe së jashtmi. Pa i përfunduar këto dy ndërmarrje të mëdha, më kot flasim për investime të mëdha të huaja dhe stabilizimin e ekonomisë së vendit. Këto janë procese të kushtëzuara.

Megjithatë, është një përparësi që koalicioni aktual i ka dy elemente që mund të komplementojnë detyrimet e Qeverisë Mustafa. E para është ajo e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, ku procesi kyç është i dialogut me BE-në dhe Serbinë. E dyta është ngritja e një modeli të qëndrueshëm të ekonomisë. Për këto dy detyra Qeveria është e komponuar relativisht mirë. Nëse pjesa e PDK-së në Qeveri do të ketë për detyrë prioritare vazhdimin e dialogut më Serbinë dhe integrimet euroatlantike, për LDK-në mund të thuhet se në Qeveri sjell ekspertizën ekonomike vendore, e cila është zhvilluar në projektet hulumtuese të Instituti Riinvest, pjesë e të cilit ka qenë edhe Kryeministri Isa Mustafa, kurse është drejtuar nga Zëvendëskryeministri Muhamed Mustafa, kështu që kjo Qeveri ka gjasa që në praktikë të aplikojë rekomandimet e Riinvest dhe të studimeve tjera të ekonomistëve, mbi kahjet dhe tempon e zhvillimit ekonomik të Kosovës, që deri më tani ka qenë më shumë zhvillim stikik.

Por, është e qartë se dijet ekonomike të Kosovës, edhe nëse do të ishin në nivelin më të avancuar botëror, nuk mund të kenë aplikime çudibërëse pa përmbushjen e atij programi tjetër të konsolidimit të shtetit, ndërtimit të infrastrukturës dhe avancimit në proceseve integruese europiane.

Me këtë sugjerim, thjesht doja të bëja një kundërbalancim për qasjet negativiste ndaj Qeverisë Mustafa. Ajo është zgjedhur nga shumica dërmuese e votuesve, dhe edhe pse një pjesë e tyre mund të jetë e zhgënjyer, duhet t’i jepet shansi LDK-së dhe PDK-së se mund të punojnë bashkë për interesin e vendit, luftimin e korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë dhe infrastrukturës, të shërbimeve publike etj.

Padyshim, skepticizmi dhe kritika mund të luajnë rol pozitiv në punën e Qeverisë së re, duke e vetëdijesuar se është nën vëzhgimin e vazhdueshëm jo vetëm të opozitës por edhe të opinionit. Vetëm se ato mund të bëhen kundërproduktive dhe bllokuese nëse nisen nga premisat nihiliste dhe hakmarrëse, ose edhe pritjet e tepruara, të cilat mund të realizohen brenda mandatit të kufizuar të një qeverie.

Marrë nga Express

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas