Editorial

Që nga 41-shi i kemi shpallur luftë kapitalizmit, është koha ta vendosim plotësisht

Nga Ervis Iljazaj

Dje në Forumet UET ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët Samir Mane, njeriu më i pasur i Shqipërisë, i cili shpeshherë merret shembull se si një person mund të jetë i suksesshëm në sipërmarrje dhe në iniciativën e lirë ekonomike. Por, në të njëjtën kohë, Samir Mane mund të jetë edhe nga personat më të urryer nga një pjesë e shoqërisë dhe e opinionit publik, pasi simbolizon për këtë mendësi të mykur, atë që sot e quajnë oligarkinë shqiptare.



Një absurditet, i cili vjen nga padituria se çfarë është oligarkia, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq, nga lufta e shpallur publikisht që një pjesë e opinionit publik dhe personave që merren me të, bëjnë kundër kapitalizmit. Sepse, Samir Mane, në një farë mënyre simbolizon kapitalizmin shqiptar, i cili po has rezistencë pikërisht nga kjo mendësi, që të instalohet plotësisht.

Në fakt, lufta kundër kapitalizmit në Shqipëri vazhdon e njëjta që nga viti 1941 e deri më tani. Pikërisht ky është problemi i shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Është koha që të kthejmë sytë nga e kundërta nëse vërtet dëshirojmë të arrijmë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Është koha të shpallim “luftën” kundër shtetit.

Ende në Shqipëri, mendojnë se hallet tona do na i zgjidhë shteti dhe për këtë arsye jemi në pritje të një politikani profet që do të merret me to. Një profet i cili nuk do të mbërrijë kurrë, pasi, me përkufizim, sa më shumë kompetenca t’i japim politikës duke menduar në këtë mënyrë, aq më shumë rritet pushteti i tyre, sa më shumë pushtet të kenë ata, aq më shumë është tendenca për korrupsion dhe abuzim në dëm të ekonomisë dhe shoqërisë. Kështu që, e vetmja rrugë për zhvillim e Shqipërisë është vendosja e plotë e kapitalizmit. Të gjitha të tjerat janë rrugë hipokrite dhe nuk të çojnë asgjëkund. Në fakt e kemi provuar këto 27 vite çdo gjë tjetër përveçse kapitalizmit dhe kemi dështuar në mënyrë të suksesshme.

Rrënjët e kulturës antikapitaliste janë të thella në shoqërinë shqiptare dhe në një pjesë të elitës së saj. Për këtë arsye kapitalizmi has vështirësi për t’u instaluar njëherë e mirë.

Po të vështrosh me kujdes, edhe në ditë e fundit, me protestën e qytetarëve të Kukësit, përtej rastit konkret, shumë shpejt u ngrit një frymë pothuajse bolshevike kundër kapitalit dhe biznesit privat, me thirrje publike kundër tij, a thua se ende nuk i kemi mbyllur punët njëherë e mirë me luftën e klasave.

Megjithatë, në një shoqëri si kjo e jona, e cila ka tashmë shumë dekada që jeton me premtimin e lumturisë së përjetshme që ofron ekonomia shtetërore, e cila falimentoi kudo që është provuar, kapitalizmi ka për të patur vështirësi për t’u kthyer në sistem. Për një arsye shumë të thjeshtë, ekonomia shqiptare nuk e ka njohur asnjëherë ekonominë e tregut të vërtetë.

Në librin e tij “Mentaliteti Antikapitalist”, Von Mises, një nga mendimtarët më të rëndësishëm të liberalizmit, jep një mesazh shumë të qartë se përse ekziston një mentalitet i tillë në shumë shoqëri. Sepse, kapitalizmi dhe ekonomia e tregut, i heq çdo justifikim njeriut për dështimet e tij. Në këtë mënyrë, ekonomia e tregut kthehet e papërballueshme në aspektin psikologjik të çdo personi. Prandaj, për të vazhduar për të ëndërruar dhe gjetur justifikimet përkatëse për çdo dështim, njerëzit i kthejnë sytë nga shteti dhe premtimet e tij për lumturinë e përjetshme. Premtime, të cilat janë faktuar që janë thjesht iluzione. Megjithatë njerëzit kanë nevojë për iluzione, prandaj edhe vazhdojnë iu besojnë atyre.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas