Kryesore, Op Ed

Pyetja e papranueshme e emisionit Opinion: “Pse ka rënë arsimi në Shqipëri?”

Nga Klementin Mile

Arsimi në Shqipëri nuk ka rënë; ai ka ndryshuar. Metafora e rënies, e cila në emisionin Opinion të kësaj jave nënkuptoi dështimin e arsimit shqiptar për të përmbushur misionin e vet, nuk arrin të shohë përtej dikotomive të thjeshta të tipit: rënie/ngritje, sukses/dështim e të tjera si këto. Problemi është se mendimi dikotomik nuk është i pajisur dhe i pasur sa duhet për të kuptuar gjendjen dhe problematikat e një fenomeni kompleks si arsimi.



Arsimi nuk është një objekt fizik, për të cilin të mund të thuhet se ka rënë apo është ngritur; as nuk është ngjarje, e cila mund të përshkruhet si e suksesshme apo e dështuar. Arsimi është proces. Si i tillë, ai konsumon kohë. Pikërisht brenda kësaj kohe të procesit arsimor shpalosen edhe ngjarjet dhe objektet e tij. Duke qenë proces, arsimi mund të rrijë i njëjti duke i ruajtur strukturat, ose të ndryshojë përmes ndryshimit të këtyre strukturave. Në këtë kuptim, arsimi në Shqipëri ka ndryshuar. Vlerat, normat, programet, institucionet, rolet dhe personat që e strukturojnë procesin arsimor kanë pësuar ndryshime rrënjësore përgjatë dy dekadave të fundit.

Këto ndryshime i kanë profilizuar më qartë nivelet arsimore në vend, duke i dhënë universitetit pozicionin dhe prestigjin që meriton, e kanë kushtëzuar ekzistencën e këtij të fundit me nivelin e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, kanë bërë të shtohen dhe diversifikohen operatorët e arsimit në treg, ku spikasin operatorët privatë dhe kanë vendosur një balancë në arsim ndërmjet interesave shtetërore dhe interesave individuale të nxënësve dhe studentëve.

T’i vlerësosh këto ndryshime si “rënie” apo “ngritje” e arsimit do të thotë të marrësh pozicion ideologjik ose partiak në gjykim. Ideologjitë dhe partitë janë të interesuara për pushtetin, jo për arsimin. Prandaj është më mirë, për hir të arsimit, që këtë të fundit ta gjykojmë sipas kritereve të veta. Në esencë, arsimi është reagim ndaj mungesës së të mësuarit të natyrshëm që vjen prej interesave të fëmijës. Pra, nevoja për arsim lind atëherë kur socializimi nuk mjafton për të mësuar. Në dallim nga socializimi, arsimi është proces i qëllimshëm. Por edhe pse i dallueshëm, arsimi është i rrënjosur në socializim. Kështu në vendin tonë, me ndryshimet e mëdha që pësoi socializimi i individit në shoqëri, – për shkak të rritjes së rëndësisë së disa agjentëve socializues si rrjetet sociale dhe rënies së rëndësisë së disa të tjerëve si familja, apo edhe për shkak të ndryshimit radikal të përmbajtjes së vlerave dhe normave socializuese në krahasim me regjimin komunist – edhe procesi arsimor u detyrua të ndryshojë. Kështu, në kushtet kur nxënësi dhe studenti socializohen nëpër rrjetet sociale me informacion të pafund për gjëra nga më të ndryshmet, thuajse pa kurrfarë censure, detyra e arsimit nuk është të shtojë informacion, por më shumë t’i bëjë ta përpunojnë, kategorizojnë dhe kuptojnë atë.

Çdo diskutim për arsimin duhet të nisë nga rrënjët e fenomenit, të cilët, siç e pamë, janë te socializimi. Problematikat e arsimit janë derivate të procesit të socializimit. Ky i fundit i jep arsimit lëndën e parë, nxënësin dhe studentin, e cila mund të përpunohet më tej përmes metodave dhe kurikulave arsimore. Arsimi shqiptar nuk duhet gjykuar në raport me arsimin në vende të tjera, as në terma sasiorë të rëndomtë të tipit sa shkolla po mbyllen, sa po ndërtohen, sa maturantë janë në shkollë etj., por në raport me mangësitë që lë procesi i socializimit. Socializimi bën njeriun, arsimi ekspertin. Thënë ndryshe: misioni i shkollës fillon aty ku përfundon “shkolla e jetës”.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

PasPara

2 komente

  1. Zbrit profo nga maja thanës, se je shumë larg realitetit. Arsimi shqiptar është akoma në stafin e riprodhimit te dijes së profesorit apo autorit! Lexo për shkruaj zgarë them unë, dhe nga riprodhimit në provim. Prodhojmë jurista që njohin ligjet, por dhanë të aftë të bëjnë një ligj e t’a argumentojnë pse; prodhojmë ekonomista por asnjë nuk kupton që ekonomia e tregut nuk funksionon po nuk dëshirojnë të mirën e tjetrit se po nuk u zhvillua tjetri e pa konkurrencë nuk ke nxitje për zhvillim; prodhojmë filozofë, por s’kanë njohuri për teologjinë, djepi dhe nëna e çdo filozofie! Krijime artistë që dijnë të jenë kohës të mirë, por asnjëherë unik e pararojë. Krijojmë art akoma si në kohën e realizmit socialist, kokë të realiteteve të hidhura sociale, droga, emigracioni, varfëria, por asnjëherë nuk kemi heroin që të nxit ta imitosh, që kurrë nuk thotë kurrë, nuk kemi një Xhejms Bond, Korado Katani, Superman…

  2. Don ke te drejte ket profesorin nuk e njoh personalisht por nga artikulli mjafton te kuptosh se sa e si kuptojne ceshtjen e arsimit persona te angazhuar drejt ne arsim. Arsimi fillon me aftesine e kualifikimet e demek profesoreve (te pakten ketyre te ashtuquajturve universitete private qe kane kushte mete mira se ato publike) ku jane botimet e mirefillta shkencore (artikuj si ky i konsiderojne botime oh my God)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas