Kryesore, Mapo Format

Pushimet verore mbaruan, por ky problem i madh ia vlen të paktën të diskutohet

A keni menduar ndonjëherë se si funksionon kujtesa dhe harresa? Këta janë terma të rëndësishëm për botën e zhvilluar, sidomos kur bie fjala te shkollimi. Përpara syve tanë po konsumohet një problem i madh, ai i ‘harresës së mësimeve gjatë verës’

Nga Enton Palushi



Për disa ai ishte tipiku i gjermanëve. Një tip që jo vetëm të mësonte gjuhën, por edhe më shumë se kaq. Më shumë se dy dekada më parë, do pyeste se si e kalonim kohën e lirë. Mjerisht, shumica dërrmuese i thanë se shihnim televizor. Dy dekada më pas, shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Ekrani nuk na shqitet nga para syve.

***

“Nxënësit janë kthyer në klasa dhe prindërit më në fund mund të marrin pak frymë nga shqetësimi rreth përdorimit të tepruar të ekranit nga fëmijët” , shkruan gazetarja britanike, Jenny McCartney në kolumnën e saj te ‘Spectator’. Ajo prek një problem që po bëhet gjithmonë e më i madh edhe në botën shqiptare. Sipas saj, emrat më të njohur të teknologjisë në botë nuk i lënë fëmijët e tyre të përdorin celularët, pasi kanë frikë nga ana e errët e saj.

Një nga shkollat më të mira në Luginën e Silikonit, ku shumica e guruve të internetit dërgojnë fëmijët e tyre, nuk i lejon pajisjet teknologjike në mësim. Bill Gates, themelues i Microsoft, thotë se ai i ka ndaluar tre fëmijët e tij që të kenë një celular derisa të bëhen 14 vjeç. E shoqja, Melinda, thotë se nëse do mund ta kthente kohën pas, ajo do i kufizonte akoma më shumë celularët. “Ndoshta do kisha pritur më shumë përpara se të vendosja një kompjuter në xhepin e fëmijës tim”, thotë ajo.

I ndjeri Steve Jobs, themelues i Apple, ishte më i rreptë. Ai pati deklaruar në vitin 2010 se fëmijët e tij nuk e kanë përdorur produktin e ri të kompanisë, iPad-in. “Ne ua kufizojmë sa më shumë teknologjinë fëmijëve tanë në shtëpi” , tha ai. Pasuesi i tij, Tim Cook nuk ka fëmijë, por thotë se nipit i ka vendosur kufij, sidomos duke e lënë jashtë medias sociale.

***

Shumë prindër mund të ndihen mirë se tashmë pushimet kanë mbaruar dhe fëmijët mund të kthehen në shkollë. Memet që kanë mbushur rrjetin me prindër të lumtur dhe fëmijë të trishtuar, nuk janë diçka thjesht për të qeshur: Ato fshehin pas një problem për të cilin diskuton bota vazhdimisht. Bëhet fjalë për pushimet e gjata verore të fëmijëve.

Ende nuk dihet mirë se nga e kanë origjinën pushime të tilla, por ‘The Economist’ shkruan se bëhet fjalë për shekullin e 19-të dhe të shkuarën agrare të Perëndimit. Në atë kohë, familjet kishin nevojë për fëmijët që t’i ndihmonin në fusha për të punuar.

“Në imagjinatën popullore, pushimet verore të shkollës vijnë në panoramën e një eksplorimi rinor të lumtur. Por për shumë fëmijë dhe familjet e tyre, realiteti është i ndryshëm”.

Nuk është nevoja që të thuhet, por të gjithë e dinë se sa e vështirë bëhet që prindërit të përputhin punën e tyre me pushimet e fëmijëve. Këta të fundit shumicën e kohës të pushimeve e kalojnë të ngulur përpara ekraneve ose të mbyllur brenda katër mureve. Të tjerët që mund të kenë një fat më të mirë, bëhen pjesë e qendrave ose kampeve verore, një biznes që po njeh lulëzim. Prapë as kjo nuk është se i jep një zgjidhje dramës së madhe të prindërve, e cila nuk zë thuajse aspak vend në median shqiptare, kurse në median perëndimore është e pranishme vazhdimisht. “Përse duhet që prindërit të mbarojnë punën dy orë pasi fëmijët mbarojnë shkollën” , ishte një nga shkrimet më të lexuara në një revistë amerikane. Pikërisht ky dyorëshi kthehet në një ankth për prindërit.

***

Por nëse këto të mësipërmet janë probleme të mëdha, kryeproblemi lidhet me atë që shumë ekspertë e quajnë “humbja verore e mësimeve”. Kujtesa dhe harresa janë dy tema të rëndësishme, por teksa tek ne vijon inercia socrealiste se truri është si një kompjuter ku ruhen dokumentet, të cilat mund të nxirren sa herë duam dhe si të duam, realiteti nuk është i tillë.

“Studimet, kryesisht ato që vijnë nga Amerika, sugjerojnë se fëmijët kthehen pas pushimeve të gjata verore, duke harruar shumicën e asaj që kanë mësuar gjatë vitit të mëparshëm. Fëmijët e varfër janë më të prirur të preken nga humbja verore e mësimeve. Të dhënat që vijnë nga jashtë Amerikës kanë gjetur po ashtu se ka regres edhe në vende që pushimet verore i kanë më të shkurtra si Britania, Belgjika, Kanadaja, Gjermania apo Malavi”, shkruan “The Economist”.

Shqipëria, ashtu si Amerika, ka tre muaj pushime, në mos më shumë. Vende të tjera kanë më pak, me mesataren që shkon në gjashtë javë. E frikshme është se pushimet verore krijojnë një hendek të madh dijesh mes të varfërve dhe të pasurve. Kjo pasi këta të fundit kanë mundësi që t’i mbajnë fëmijët e tyre në kontakt me dijen dhe larminë e aktiviteteve gjatë verës. Hendeku po bëhet gjithmonë e më i madh, çka përkthehet në rezultate e më vonë në karrierë më të pasur. Nuk thotë kot filozofi Alain de Botton, ne i urrejmë ata të klasës sonë, që kanë ecur përpara.

Për të zgjidhur këtë situatë, ekspertë sugjerojnë tre gjëra: Së pari, të shkurtohet koha e pushimeve; së dyti, të shtrihen pushimet në kohë të tjera të vitit; dhe e treta, të ofrohen më shumë aktivitete gjatë pushimeve verore nga shteti. “Na duhet të mësojmë më shumë gjatë verës, por jo domosdoshmërisht më shumë shkollim” , thotë Matthew Boulay.

***

Dakord, kjo është një nga ato shumë tema që ose bien në vesh të shurdhër, ose nuk i thonë asgjë publikut. Kur doli raporti i fundit i PISA-s, “The Economist” publikoi së paku dy editoriale, kurse te ne pati nja dy-tri akuza politike dhe çështja u mbyll me kaq. Të gjithë bien dakord me parimin se nëse nuk përparon arsimi, lodhemi kot. Sa për dijeni, Koreja e Jugut është një shembull i habitshëm. Ata kanë vitin më të gjatë shkollor dhe vetëm tre javë pushime verore. Madje gjatë kësaj kohe, shumica e nxënësve regjistrohen nëpër kurse. Kjo është arsyeja se përse nxënësit nga Koreja e Jugut kanë rezultate brilante kur bie puna tek testimet e PISA-s në matematikë, shkencë dhe lexim. Nuk do mend se kjo është edhe arsyeja përse ekonomia e tyre është aq lart. Por ka edhe një kosto: Ata kanë një numër shumë të lartë të problemeve mendore tek nxënësit në krahasim me vendet e tjera. Thonë se gjithçka e ka një kosto anësore. Pastaj, ne sikur aspirojmë të bëhemi si vende të tilla si Koreja e Jugut apo Gjermania…

***

Të hapësh diskutime për çështjet e arsimit në Shqipëri është e vështirë, sidomos kur mendon se mund të vësh dorë mbi një gjë kaq të shenjtë, si pushimet verore. Nuk ka rëndësi, është thjesht një sprovë. “Të gjithë flasim çdo ditë nëpër shtëpitë tona për arsimin”, thotë gjeniu Ken Robinson. “Por në publik çështja e arsimit vjen kaq e ngurtësuar”. Ndoshta ka të drejtë.

PasPara


CLOSE
CLOSE
Pas