Politika

Psikologjia e pushtetit të ri: shteti dhe administrata janë pronë e partisë

shanoNga Alfred Lela

Intervistë me Dritan Shanon



-A ka aktualisht në ekonomi, në rrafsh botëror, një ide të ideve? Një lloj risie ose kundërideje në lidhje me shpëtimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë, pas krizës globale që nga viti 2008?

Një ide që të jetë si panacea, apo ilaçi që shëron çdo sëmundje në lëmin e ekonomisë sot më duket e pamundur. Dyshoj nëse sot ka një ide ekonomike, pasi mendoj se ato janë zëvendësuar nga idetë politike dhe luftërat ideologjike. Idetë ekonomike kanë demonstruar të kenë natyrë ciklike, dhe sot të tmerruar nga kriza e 2008 jemi ende në ciklin e pëlqimit të stimulit fiskal të injektuar në treg nga qeveritë. Pra, i jemi larguar ciklit të idesë neoklasike që sheh tregun si më të rëndësishmin në zhvillimet ekonomike dhe është përqafuar sërish ideja që shteti duhet të jetë një aktor në treg.

Kjo sepse ky instrument i stimulit fiskal duket sikur jep një lehtësim të menjëhershëm dhe politikanët dhe qeveritarët modernë nuk diskutojnë më realisht qëndrueshmërinë e ideve ekonomike përtej cikleve elektorale. Nga kjo pikëpamje, mendoj se sot anembanë globit ka me tepri shumë idera që marrin formën e rregullimeve të tregut, të ekonomisë. Shumica e këtyre rregullimeve të prodhuara me zell nga qeveritë, nuk janë krijuar aspak nga nevoja e tregut për rregullim, por thjesht si vendime politike që garantojnë pëlqim politik, favorizojnë grupe interesi apo që krijojnë mbështetje politike duke krijuar në fakt pabarazi në tregun e lirë, dhe duke qenë ato vetë në themel të krizave si ajo e 2008 që ju përmendni. Në fakt, të dyja administratat amerikane, si ajo e Klinton ashtu dhe ajo e Bush e nxitën rritjen e tregut të shtëpive duke favorizuar huadhënien ndaj minoriteteve dhe blerësve me të ardhura të ulëta; në këtë proces qeveria me rregullimet e saj, nuk arriti të garantonte barazi në trajtimin e palëve por favorizoi bankat (too big to fail) në marrëdhënien bankë-huamarrës.

Megjithatë, besoj se zgjidhjet e qëndrueshme afatgjata në zhvillimin ekonomik gjenden tek tregu i lirë ku shteti përmbush një nga ato pak funksione që duhet të përmbushë, të garantojë konkurrencën e ndershme. Siç e shpjegon Adam Smith, është institucioni i tregut të lirë ai që inkurajon krijimin e pasurisë dhe i motivon njerëzit që duke ndjekur interesin e tyre, të sillen në mënyra që i shërbejnë edhe interesit të të tjerëve. Pra, është bashkëpunimi i lirë i njerëzve, apo operatorëve ekonomikë, që garanton zhvillim të qëndrueshëm.

Ajo çka ndodh është se qeveritë, me ose pa dashje, dështojnë në garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e lirë, dhe në mënyrë ciklike ndeshemi me kriza. Kjo ka sjellë, me përjashtime të rralla, rregullisht, rritjen e rolit të shtetit në ekonomi, dhe për këtë arsye idetë për shpëtimin nga krizat janë gjithnjë e më shumë politike dhe të lidhura drejtpërdrejt me ciklet 4- vjeçare të pushtetit sesa me ciklet ekonomike.

 

A flitet sot për, dhe a ekziston një rrugë e mesme që e sheh ekonominë të zhvillohet përtej dikotomisë së ideve të Keynes dhe Hayek?

 

Përpjekja për të gjetur një rrugë të mesme, pra që kombinon idetë e Keynes me ato të Hayek apo neoklasikëve të tjerë ka filluar që pas Luftës së Dytë Botërore dhe është përkufizuar si “neoclassical synthesis”. Sot kemi një evoluim të saj, i cili thirret “the new neoclassical synthesis”, por që në fakt ndjek të njëjtin mekanizëm të kombinimit mes elementëve të ideve të Keynes me ato të neoklasikëve si Hayek, Friedman e kështu me radhë. Pavarësisht dëshirës së mirë të investuar në këtë përpjekje intelektuale, mendoj se beteja mes Keynes dhe Hayek, do të vazhdojë. Dy idetë janë fare të qarta, kanë ngjyra krejt të kundërta. Është si të themi që njëra është acide dhe tjetra është bazike. Arritja e pehashit neutral është utopi. Kjo betejë mund të ndryshojë, të paktën në terminologji, për t’iu përgjigjur globalizimit, zhvillimit të teknologjisë së informacionit, sofistikimi i saj do thellohet edhe më tej në nivele dhe në detaje teorike, por palët “ndërluftuese” të këtyre kohëve do të jenë gjithnjë, siç thoshte vetë Keynes “skllevër të ndonjë ekonomisti të vdekur”.

Keynes propozon ndërhyrjen shtetërore për të zgjidhur hallet dhe krizat, ndërsa Hayek shpjegonte se zmadhimi i shtetit në këtë formë ishte thjesht fillimi i të tatëpjetës së pandalshme drejt tiranisë. Në fakt, çdo ndërhyrje e shtetit justifikohet nga qëllime të mira, por ky proces bëhet thuajse i pandalshëm në një shoqëri demokratike ku qeveritë e ngjyrave të ndryshme pasojnë njëra-tjetrën në garë për të bërë diçka më mirë se qeveria e mëparshme. Dhe ku ka më mirë se ta financosh këtë garë me paratë e të tjerëve, – duke rritur taksat apo shtuar borxhin publik në mënyrë që të injektosh si qeveri para në ekonomi – stimulin fiskal të Keynes – për të nxitur punësimin, për të lehtësuar varfërinë, por pa ndonjë garanci suksesi. Këtë bëri Amerika pas 2008-ës; të gjithë i kujtojmë debatet e ashpra për të rritur borxhin që të stimulohej ekonomia. A ndodhi kjo? A u rrit punësimi? A u ul varfëria? Askush nuk mund ta thotë këtë gjë sot në Amerikë. Përkundrazi u rrit shqetësimi i uljes së borxhit. E majta në Francë ofroi ta çonte në një shkallë edhe më të lartë konceptin e shtetit si bamirës social që ia merr disave dhe ia jep ca të tjerëve duke e zgjeruar veten me rritjen vertikale të taksave; u votua fort për këtë gjë, dhe dështoi brenda një periudhe shumë të shkurtër siç tregon humbja e thellë në zgjedhjet lokale të Marsit 2014 që u pasua nga dorëheqja e kryeministrit francez.

Megjithatë, të përqafosh sot Hayek ndoshta ende nuk sjell asnjë votë, bile duket si herezi, ndërsa Keynes do të ketë gjithnjë një vend nderi sidomos mes politikanëve të çdo krahu, ku më shumë e ku më pak, vetëm pse ka krijuar një bazament teorik që mbështet politika të zgjerimit të shpenzimeve buxhetore, pavarësisht rezultateve të mjera të këtyre politikave.

Personalisht, nëse do isha i shtrënguar të isha skllav i ndonjë ekonomisti të vdekur, mes këtyre të dyve, në çdo rast apo rrethanë do preferoja si padron Hayek-un. Kjo sepse shoh si zgjidhje më të qëndrueshme, dhe besoj më shumë te reformat strukturore e forcimi i institucioneve të ekonomisë së tregut të lirë sesa tek stimuli fiskal.

 

-A nuk ju duket se pajtimi me një rrugë të tretë ekonomike apo politike, ose kombinimi i teorive apo praktikave ekonomike është në thelb streha e të pamundurve për të gjetur një ide të re në ekonomi apo politikë? Idetë e qarta e të forta, dhe jo shartimet apo hibridizimet, janë dëshmuar edhe si më të suksesshmet në ekonomi: për shembull Reagan, me atë që u quajt reaganomics apo politikat ekonomike të Thatcher-it…

Sot, përpjekja për të kombinuar idetë është mbizotëruese, dhe me ç’duket, ato gjenden më shumë në retorikën politike, retorikë e cila më pas paketohet si një ide ekonomike që tenton të gjejë miratim ndër qytetarët e një vendi, apo më thjesht akoma të imponohet për t’u zbatuar. Idetë e qarta e të forta në ekonomi dhe qeverisje sot vështirë se i përqafon njeri. Në fakt, duket se idetë e forta, pra linja të qarta të mendimit ekonomik duket se sot as nuk i artikulon më njeri.

Po tentohet me çfarëdolloj mënyre të “martohet” një shtet intervencionist me tregun e lirë, duke vënë theksin tek ulja e varfërisë dhe tek rishpërndarja e të ardhurave. Ky diskutim që zhvillohet sot me tone të larta nga qeveritë, klasat politike është në fakt debati që sjell apo largon vota dhe për këtë ka çuar në sforcime të mëdha intelektuale të gjetjes së një rruge të mesme, e cila më shumë se sa një zgjidhje e qëndrueshme e zhvillimit ekonomik, të shërbejë si ofertë politiko-ekonomike për të garantuar fitoren, apo mbajtjen e pushtetit. Pra, politikanë, një pjesë e mirë e shoqërisë, dhe natyrisht dhe shumë ekonomistë duket sikur kanë pranuar pamundësinë për të kufizuar shtetin, marrin si të mirëqenë dhe të pandryshueshme dështimin e shtetit në garantimin e lojës së ndershme mes operatorëve në tregun e lirë, pavarësisht nga përmasa e tyre, dhe tashmë i drejtohen eliminimit të pabarazisë në të ardhurat, në atë çka duket si rruga më e lehtë, një lloj “lufte klasash” demokratike – futja e dorës në xhepat e “të pasurve”, individë e sipërmarrës për t’ia dhënë, siç pretendohet, të varfërve. A ka sjellë kjo barazinë e premtuar? Me ç’duket, jo. Lufta ndaj pabarazisë në të ardhura vazhdon të mbetet premtimi kryesor elektoral anembanë globit, çka e bën këtë qasje thjesht një retorikë politike ende të suksesshme, por që mbetet një ide ekonomike e dështuar, për aq sa nuk drejtohet tek garantimi i barazisë së oportuniteteve për të krijuar të ardhura. Një gjë është e sigurt, që rritja ekonomike e bazuar mbi barazinë e oportuniteteve dhe jo rishpërndarja arbitrare politike, prodhon mirëqenie për të gjithë, në përputhje me kontributin dhe riskun që merr përsipër individi, kompania, korporata, multinacionalja etj, etj. Presidenti amerikan Kenedi ka të drejtë kur thotë se kur vjen batica (rritja ekonomike) ajo ngre njësoj si barkat e mëdha, ashtu dhe ato të vogla.

Ju përmendni Reagan dhe Thatcher. Të dy ata kanë mbetur në histori si kampionë të tregut të lirë dhe të zvogëlimit të rolit të shtetit. Reagan, megjithatë u dorëzua tek trefishoi borxhin publik gjatë presidencës së tij, ndërsa Thatcher i uli shpenzimet publike nga 42.5 % e GDP në ’79 në 38% të GDP në ’90. Po kështu ajo përmes politikave të saja të ndikuara nga Hayek uli borxhin publik nga 43.6 % e GDP në 1979 në rreth 26.7 % e GDP në 1990. Britanikët vazhdojnë ende sot të vjelin frytet e politikave të tregut të lirë të ndjekura rigorozisht nga Thatcher. Në parim idetë e forta gjithnjë ofrojnë zgjidhje, ndërsa idetë e mesme vetëm sa zgjasin sëmundjen pa e shëruar atë. Idetë e forta që mbështesin tregun e lirë, janë ato që e çojnë individin në mënyrë më të qëndrueshme drejt prosperitetit.

 

Një konferencë e Forumit Ekonomik të Tiranës, organizuar nga FLE, theksonte drojën për një rikthim të etatizmit në Shqipëri pas ardhjes së të majtës në pushtet?

Nuk ka drojë në këtë çështje. Etatizmi pas 20 vjetësh në demokraci është kthyer sërish në Shqipëri. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me vendosjen e taksës progresive në vend të taksës së thjeshtë. Kjo ka të bëjë gjithashtu me rritjen vertikale të borxhit publik që pritet të arrijë në 74% të GDP në 2014. Ka të bëjë me paralajmërimin për rritjet më tej të taksave siç mund të lexohet në marrëveshjen e nënshkruar me Fondin. Mos themi që nuk ka një aksion të qartë për uljen e informalitetit. Mbi të gjitha ka të bëjë me justifikimin ex post me ligje dhe akte nënligjore të veprimtarisë së qeverisë kundrejt personit dhe pronës private, standardeve të dyfishta në vlerësimin e shkeljeve ligjore lidhur me pronat, dhe mungesën e transparencës në hartimin e politikave fiskale. Kjo ka të bëjë me psikologjinë e pushtetit, se shteti dhe administrata është pronë e partisë, se e drejta është vetëm me të, dhe se ajo mund të kryejë reforma të rëndësishme pa pasur nevojën e arritjes së një konsensusi social më parë, çka realisht vendos në pikëpyetje qëndrueshmërinë e këtyre reformave pa i filluar ende ato, dhe cenon rëndë sigurinë e të bërit biznes në këtë Shqipëri.

 

Cila është ideja më e gabuar ekonomike?

Planifikimi i centralizuar i ekonomisë. Është përçudnimi më i madh në historinë e njerëzimit që i është bërë racionalitetit, bashkëpunimit vullnetar dhe incentivave që udhëheqin ekzistencën e njeriut.

 

Cila është ideja më e gabuar ekonomike e djathtë?

Objektivi i preferuar është tregu i lirë. Sidomos, kur ka kriza. Kampionët më të mëdhenj të tregut të lirë që nga Adam Smith, Hayek, Friedman and Co., mendimi i të cilëve është në themel të politikave të djathta, vërtet janë avokatë të lirisë në treg dhe mosndërhyrjes së shtetit si aktor në treg, por të gjithë pa përjashtim kërkojnë që shteti të garantojë konkurrencën e lirë në treg. Shteti aktor në treg nuk mund ta bëjë këtë. Sa herë nuk arrihet të garantohet konkurrenca e lirë në treg, për shkak të ndërhyrjeve dhe rregullimeve që bëjnë qeveritë e radhës, të cilat gjithmonë përfundojnë me favorizimin e një operatori ekonomik kundrejt një tjetri, me nxitim faji i vishet tregut të lirë. Pikërisht atij tregu të deformuar nga ndërhyrja shtetërore. Korrigjimi i kësaj shihet po tek ndërhyrja shtetërore. Çdo ide ekonomike e djathtë që i dorëzohet këtij interpretimi mbart në vetvete një marzh të madh gabimi i cili verifikohet në mënyrë ciklike.

 

Cila është ideja më e gabuar ekonomike e majtë?

E thashë pak më lart. Planifikimi i centralizuar i ekonomisë. Ka dhe shumë të tjera nën të; si për shembull: “Toka i takon atij që e punon” etj. Megjithatë, ato mund të përmblidhen të gjitha tek esenca e të majtës qe sheh shtetin si zgjidhje të gjithçkaje, dhe jo vetëm në lëmin ekonomik, dhe nga ana tjetër e sheh individin si një qenie krejt të pazonjën të marrë vendime të pavarura nga shteti.

 

Cila është ajo ide ekonomike, së cilës ju i qëndroni besnik dhe mendoni se do mbetet aksiomatike për zhvillimin e një vendi?

Nuk mund të pretendoj të jem aksiomatik, çdo vend ka specifikat e veta, ka kulturën, preferencat dhe historinë e vet të suksesit. Gjithnjë do të preferoj mbështetjen e zgjerimit të kapitalit kundrejt stimulimit të konsumit. Qëndrueshmëria e të parës, në vlerësimin tim është e padiskutueshme kundrejt jetëshkurtësisë së të dytës.

 

Cila është ajo ide ekonomike që keni ‘tradhtuar’? I keni besuar dikur, por jo më?

Mendoj se ekspozimi im, dhe përqafimi i idesë së tregut të lirë, forcimit të institucioneve të ekonomisë së tregut, shenjtërisë së pronës private ka ndodhur në një kohë kur unë ende nuk kisha përqafuar ndonjë ide tjetër ekonomike. Ka ndodhur në atë kohë kur unë sapo kisha filluar të kundërshtoja idenë ekonomike të socializmit që shihnim të aplikuar në Shqipëri. Deri tani jam ende te dashuria ime e parë dhe vazhdoj t’i besoj asaj. Megjithatë mendja duhet mbajtur e hapur. Mund të ndodhë që gjatë kohës që jetoj të artikulohet dhe zbatohet ndonjë ide tjetër më e fuqishme sesa institucioni i tregut të lirë, atje ku janë incentivat e secilit për një jetë më të mirë, për prosperitet, ato që udhëheqin zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Atëherë ndoshta do të më duhet, në mos të tradhtoj, të paktën të pranoj faktin.

 

Cila është ajo ide ekonomike që do i bënte punë Shqipërisë?

Para se të vijmë tek ideja ekonomike, Shqipëria ka probleme thelbësore për të zgjidhur. Në Shqipëri nuk ka ende rregulla loje të pranuara nga palët në ekonomi dhe politikë. Përfundimi i proceseve të pronës, titujve të pronësisë, apo kthimit e kompensimit, si dhe legalizimit janë çështja kryesore me të cilën duhet të merret Shqipëria. Politikat për zhvillimin e bujqësisë, turizmit apo sektorëve të tjerë do mbeten gjysmake, të pastrukturuara, thuajse në gjendje natyrale primitive, po nuk mori formë përfundimtare çështja e pronës. Mungesa e qartësisë mbi titullin e pronësisë nuk lejon krijimin e tregut të tokës dhe rrjedhimisht reformimin e thellë strukturor, modernizimin shoqëror që vjen me të – ekonomik dhe demografik. Sot Shqipëria flet për e-government, por mbetet e paurbanizuar, shpërndarja e saj demografike ndryshon fare pak nga ajo e kohës kur Skënderbeu luftonte kundër turqve. Çdo ide ekonomike e formuluar pa zgjidhur këtë problematikë do të rezultonte, siç dhe kemi parë, e paqëndrueshme.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas