Op Ed

Pse kemi krizë të valutës në Turqi

Nga Berat Rukiqi

Kriza politike dhe ekonomike në Turqi, shkaktoi rekord negativ historik të vlerës së lirës turke në raport me dollarin amerikan, këtë të premte dhe rriti shqetësimet që kjo krizë në ekonominë turke do të shpërndahet në tregjet financiare, anembanë botës.



Po cila është origjina e krizës? Presidenti Erdogan ka dominuar në 15 vitet e fundit në jetën politike, ekonomike dhe kulturore në Turqi, në mes të tjerash, duke marrë lëvdata dhe përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar dhe investitorët e huaj, për drejtim të suksesshëm të reformave ekonomike në vend, reduktim të inflacionit dhe rritje ekonomike rreth 60% në terma realë.

Por, pas dështimit të grushtshtetit, Erdogan filloj të ndryshojë drastikisht mënyrën e udhëheqjes së vendit, duke rritur presionin në çdo institucion të pavarur, përfshirë edhe atë që është më shqetësuesja për investitorët e huaj, te politikëbërësit e Bankës Qendrore Turke.

Për të arsyetuar ndryshimin radikal dhe udhëheqjen autoritare, e vetmja rruge e sigurt ishte krijimi i kushteve për performancë të fuqishme ekonomike, prandaj Erdogan i shtyu bankat të kreditojnë më shumë ekonominë, ndërsa bënte thirrje të vazhdueshme për Bankën Qendrore të ulë normat e interesit, për të rritur kërkesën për kredi të reja. Rezultati doli befasues. Inflacioni arriti në 16%, ndërsa Lira turke po shënon rekorde negative, me një trend të pandalshëm të rënies së vlerës.

A ka zgjidhje Turqia për të tejkaluar krizën?

Krizat si kjo nuk ndreqen me apele për nxjerrje të “arit nga jastëku”. Këto kriza zgjidhen me mjete konvencionale: qoftë me rritje të normës së interesit për kreditim (të cilën nuk do ta lejojë Erdogan), qoftë me një sasi të caktuar të dollarëve amerikaën, që do të mundësonin të ndalnin rënien e lirës turke në tregjet ndërkombëtare, por problemi qëndron në faktin që Turqia, rezervat e veta valutore nuk i mban në dollarë, por i mban në ar, vlera e të cilit është në rënie. Pra, Erdoganit, i kanë mbetur pak opsione për këtë krizë. Kur politika përzihet në ekonomi, nuk të ndihmon as Zoti.

Kriza e valutës turke, nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë, do të ketë ndikime, sidomos në tregjet financiare në Europë dhe klimën politike në Europë. Kriza do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në marrëveshjen e Turqisë me vendet europiane, për strehimin e refugjatëve nga Siria. Me krizën në rritje, Turqia do ta ketë të pamundshme t’iu ofrojë kushte këtyre refugjatëve, të cilët alternativë do të kenë Europën.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas