Editorial

Pse Eurozona s’mësoi asgjë nga kriza greke? Tani radha e Italisë

Nga Euroactiv

Këtë javë, Greqia ktheu zyrtarisht faqen duke deklaruar çlirimin nga barra e borxheve, por Eurozona mbetet më e ndjeshme se kurrë ndaj trazirave të mëtejshme ekonomike. Tanimë, ekonomistët janë tejet të shqetësuar për situatën në Itali.



Pas tetë viteve të gjata dhe përplasjeve të ashpra, Athina la zyrtarisht ombrellën e shpëtimit financiar të kreditorëve të BE-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Dalja nga programi i shpëtimit, shënoi pa dyshim një moment historik për Greqinë, por tanimë “karvani i sfidave dhe borxheve” duket se do të kalojë nga 19 vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, të cilat përdorin monedhën e përbashkët.

Bumerangu grek

“Kriza greke nuk është zgjidhur, thjesht është shtyrë- thotë Charles Wyplosz, profesor ekonomie në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Gjenevë- Athina nuk do të fillojë të paguajë borxhin deri në vitin 2032, i cili arrin 180% të prodhimit të brendshëm bruto. Ndërkohë, është e pamundur të thuhet se ku do të jetë politikisht dhe ekonomikisht vendi në të ardhmen”.

FMN-ja ka lëshuar muajt e fundit një sërë paralajmërimesh për pasojat afatgjata të borxhit grek, pavarësisht marrëveshjeve të arritura së fundmi nga Eurozona për zvogëlimin e tij. Sipas Wyplosz BE-ja ka treguar një “cinizmin spektakolar” gjatë krizës.

“Problemet nuk u zgjidhën, por burokratët e BE-së pretenduan se ia dolën- shprehet ai-Një mënyrë apo tjetër, ‘bomba’ që kanë qenë duke fshehur do të shpërthejë. Në mos Greqia, një tjetër vend anëtar do të zhytet në krizë para vitit 2032”.

Borxhet e Europës

“Ne ende nuk kemi zgjidhur problemin e borxhit publik në kontinent, i cili vazhdon të jetë i lartë në Itali, Greqi dhe Portugali, pavarësisht sakrificave të tyre ekonomike, paralajmëroi Anne-Laure Delatte, zëvendësdrejtore e CEPII- Fuqitë e mëdha europiane, si Franca dhe Spanja, kanë gjithashtu borxhe të konsiderueshme, të cilat parashikohet të rrezikojnë edhe më shumë eurozonën”.

Pothuajse të gjitha vendet anëtarë të Bashkimit Europian që përdorin euron janë përballur me rritjen e borxheve. Tanimë eurozona është e ndarë midis vendeve që mbështetin rigorozitetin buxhetor dhe kontrollin e shpenzimeve dhe vendeve që kërkojnë më shumë solidaritet.

Kërcënimi italian

Sipas ekspertëve, Italia po bëhet një rrezik serioz për Eurozonën për shkak të borxheve, bankave të brishta dhe mbi të gjitha për shkak të një qeverie populiste që duket e prirur të ballafaqohet me Brukselin.

“Italia ka një borxh që arrin 130% të PBB-së së saj, probleme serioze të brendshme dhe një sistem bankar të korruptuar që po udhëhiqet tanimë nga njerëz që nuk e dinë se çfarë do të bëjnë. Kërcënimi është shumë i qartë”, thotë Charles Wyplosz.

Strategjia ekonomike e qeverisë së re italiane është ende fluide, ndërkohë që nga Roma po vijnë shumë sinjale kontradiktore. Shembja e ure Xhenova javën e kaluar, u pasua nga një përplasje e ashpër mes ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini, dhe BE-së, për shkak të kufizimeve të shpenzimeve.

Por sikur të mos mjaftonin problemet e brendshme, Italia është duke u kërcënuar tanimë edhe nga qëndrueshmëria e ekonomisë turke. Presioni i tregut, ekspozimi financiar dhe një rishikimi i marrëveshjes së emigrantëve me Turqinë, e ka bërë Italinë vendin më të prekshëm nga trazirat e fundit financiare në Ankara.

“Tani për tani, Eurozona tani nuk ka as mjetet dhe as institucionet e nevojshme për të përballuar krizën e borxhit italian”, thotë Philippe Martin, një profesor në Universitetin e Parisit, gjithashtu këshilltar i Presidentit francez Emmanuel Macron.

E ardhmja e Eurozonës

Kriza e borxhit grek e ka lejuar Eurozonën të përgatisë veten për trazirat e ardhshme ekonomike, veçanërisht falë krijimit të fondin të shpëtimit dhe përforcimin e të ashtuquajturit Bashkimi Bankar.

Por reformat mbeten të papërfunduara dhe politikat e Macronit për zbatimin e hapave të mëtejshëm, duke përfshirë edhe miratimin e buxhetit të dedikuar për eurozonën, janë parë me mjaft skepticizëm nga Veriu i Europës, i cili ka frikë të paguajë për borxhet e Jugut.

“Euroja duket se është kthyer në një monedhë kaotike që sjell turbullira të përhershme, edhe pse u projektua fillimisht për të garantuar stabilitetin”, shprehet Martin./Euroactiv/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas