Kronika, Kryesore

Pse askush nuk guxon të prekë dosjen Shullazi

Prokurorët e Krimeve të Rënda “refuzojnë” të përfaqësojnë në gjykatë dosjen e Emiliano Shullazit dhe katër anëtarëve të grupit të tij. Kryeprokurorja e krimeve të rënda thërret vartësit për të hedhur shortin, ata braktisin mbledhjen. Pritet ndërhyrja e Arta Markut. Pse po refuzojnë të bëjnë detyrën prokurorët?

Nga Sebi Alla



Prokurorët e Krimeve të Rënda “braktisin” dosjen për Emiliano Shullazin dhe katër anëtarëve të grupit të tij, duke refuzuar të përfaqësojnë akuzën. Ndërsa pritej të mbahej pretenca, në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk është paraqitur asnjë prokuror dhe kjo situatë detyroi kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për të thirrur në një mbledhje të gjithë trupën e prokurorëve, me qëllim hedhjen e shortit të dosjes së shumëpërfolur. Por teksa pritej të caktoheshin emrat që do të përfaqësonin akuzën për pesë pandehurit, mbledhja është braktisur nga prokurorët, duke lënë vetëm shefen e tyre. Ata e kanë konsideruar të paligjshme tentativën e Prelës për rishqyrtimin e dosjes dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku. Çështjen Shullazi e hetoi dhe përfaqësoi në procesin gjyqësor Elisabeta Imeraj, por ajo u caktua drejtuese e Prokurorisë së Tiranës dhe në kushte të tilla procedura e parashikon që çështja i kalon një tjetër prokurori. Më herët Prela kishte autorizuar paraardhësin e saj Besim Hajdarmataj të paraqitej në gjyq, pasi dosja mbeti pa prokuror, por Hajdarmataj u kundërshtua nga avokatët e të pandehurve dhe vetë prokurori kërkoi kohë që të njihej me dosjen. Duke parë çështjen mjaft deklikate dhe për më shumë para gjykatës kanë personazhet e njohur të botës së krimit, prokurorët po i shmangen përfaqësimit. Mendohej se kjo dosje do të ndiqej nga Ened Nakuçi, por ai paraqiti një raport mjekësor për gjendjen shëndetësore, duke e refuzuar të vijonte procesin ndaj Shullazit.

A ka prokuror të bëjë detyrën?

Mund të ngjajë në kufijtë e absurdit, por prokurorët e Krimeve të Rënda po përdorin çdo mënyrë për të mos marrë përsipër të përfaqësojnë akuzën në këtë moment kritik, pasi pritet pretenca. Gjykata e Krimeve të Rënda e shtyu procesin për në datë 25 shtator dhe shpresohet se deri në atë periudhë do të dalë “vullnetar” një prokuror i cili të marrë përsipër çështjen. Tashmë është kërkuar ndërhyrja e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku në zgjidhjen e ngërçit të krijuar, pasi ka mosmarrëveshje të theksuara me kreun e prokurorisë Donika Prela. Ajo tentoi ta “zgjidhë” situatën duke i thirrur prokurorët të gjithë dhe të hidhte shortin. Kjo është konsideruar e paligjshme nga prokurorët, të cilët tashmë po përdorin çdo formë, “sëmundjen”, lejen apo edhe kleçkat ligjore për të mos qenë ata që të përfaqësojnë akuzën ndaj Emiliano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të grupit. Po kthehet në një telenovelë nga ana e institucionit të akuzës çështja e Emiliano Shullazit, ku për të gjashtën seancë radhazi në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk është paraqitur pala akuzuese dhe procesi është shtyrë. Avokatët e të pandehurve kanë një tjetër qëndrim në lidhje me këtë zvarritje dhe sipas tyre gjithçka ndodh pasi prokuroria nuk ka prova dhe ende nuk është gati për të kërkuar pretencën për pesë të pandehurit. Shullazi dhe katër pjesëtarët e grupit të tij akuzohen për “shtrëngim për dhënie pasurie”, “kanosje për shkak të detyrës dhe shkatërrim të pronës me eksploziv, e kryer në kuadër të bashkëpunimit në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Deri më tani në këtë proces kanë dëshmuar shumë persona, por dëshmia që duket se e rëndon më shumë pozitën e Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë është ajo e biznesmenit Ylvi Beqja, i cili pretendon se është kërcënuar me jetë për të nënshkruar një kontratë noteriale ku i kalonte Shullazit 30 për qind të Hotel Vollgës në Durrës.

 

Shullazi, nga kërcënimi i profesorëve, në akuza për vendosje eksplozivi

Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi në prill të vitit 2016, ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi Emiliano Shullazin, pasi sipas tij në bashkëpunim edhe me persona të tjerë kërcënuan kandidatin për Rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni dhe ish-rektorin Dhori Kule që të tërhiqeshin nga gara. Sipas Berishës, pas këtij shantazhi fshihej kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Nuk kaloi gjatë dhe Shullazi dhe tre persona të tjerë u arrestuan dhe ndaj tyre u ngritën disa akuza. Në procesin gjyqësor dy profesorët Mynyr Koni dhe Dhori Kule të cilët sipas prokurorisë janë kërcënuar nga Emiliano Shullazi, nuk e përmendën atë me emër në dëshminë që dhanë në sallën e gjyqit. Rektori Koni tha se është kërcënuar nga disa persona të cilët e kanë futur në një makinë, por nuk ka mundur të shquajë fytyrat e tyre, ndërsa emrin e Emiliano Shullazit e kishte marrë vesh nga mediat. Të njëjtin version mbajti edhe ish-rektori Dhori Kule. Megjithatë Prokuroria e Krimeve të Rënda mundi të sigurojë dëshminë e tre biznesmenëve që në deklarimet e tyre pranuan se ishin kërcënuar me jetë, madje u ishte vendosur eksploziv, shantazhuar apo vënë gjobë në shuma të majme nga Emiliano Shullazi. Biznesmeni Ylvi Beqja pranoi që të merrej në mbrojtje nga drejtësia dhe dëshmoi kundër Shullazit, duke pretenduar se në disa raste është detyruar nën kërcënimin e armëve që të japë shuma të konsiderueshme dhe në fund të bënte edhe një akt noterial ku të pranonte se 30 për qind të Hotel Vollgës në Durrës ia kalonte Shullazit. Të gjitha këto sipas tij i kishte bërë nën kërcënime të vazhdueshme. Shullazi mbetet një nga emrat më të njohur i dyshuar dhe akuzuar për disa vepra penale. Edhe pse mbi të rëndonin akuza të rënda ka mundur që t’i shmanget dënimit të gjatë për shkak se akuzat kanë rënë gjatë procesit gjyqësor. Gjithashtu, mundi t’i shpëtojë një atentati në nëntor të vitit 2015 ndërsa udhëtonte nga Fushë-Kruja në Tiranë. Ai mbeti i plagosur lehtë dhe pas marrjes në pyetje u la i lirë. Por vetëm një vit më pas u arrestua pas denoncimit publik që u bë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

 

PasPara

1 koment

  1. si nuk paska prokurore, ata i marrin shpirtin atij qe ben gardh pa leje, vendos kondicionerin apo lyen ballkonin pa leje, rilidh dritat dhe mbyt krejt doktorat qe kane kerkuar furnizim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas