Kryesore, Politika

PS-LSI përplasen për projektbuxhetin

klodi_spahiu_dhe_petrit_vasiliDeputeti i PS, Vladimir Kosta ka akuzuar ministrin Panariti për ndarje preferenciale të fondeve për bujqësinë. Deputeti i LSI, Petrit Vasili ka paralajmëruar PS-në se nuk bën kompromis me fondin për punësimin dhe fasonët

 



Kur ka kaluar pak më shumë se një vit qeverisjeje së bashku, mes dy forcave kryesore që përbëjnë koalicionin qeverisës, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë krijuar jo pak pakënaqësi.

Ndonëse mes dy drejtuesve kryesorë të kësaj force, Rama dhe Meta, janë evituar përplasjet direkte, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për përfaqësuesit e tjerë të këtyre dy forcave, kryesisht në parlament.

Një gjë e tillë ka ndodhur dje në dy komisione parlamentare, në atë të Veprimtarisë Prodhuese dhe atë të Shëndetësisë, ku është diskutuar projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin e ardhshëm nen për nen.

Veprimtaria Prodhuese

Debati në komisionin e Veprimtarive Prodhuese, në fakt është zhvilluar mes deputetëve të Partisë Socialiste, Vladimir Kosta dhe Eduard Shalsi, por objekt debati është bërë pikërisht ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe puna që ka bërë ministria e drejtuar prej tij.

Pas dëgjesës së ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, deputeti Kosta ka deklaruar se ky i fundit nuk duhet të largohej nga komisioni pa dhënë sqarime për një sërë problematikash që ai kishte ngritur më parë.

Madje ai duke përfituar nga prania e Panaritit, e akuzoi atë për ndarje preferenciale të fondeve që menaxhon kjo ministri.

“Unë e kam thënë dhe herë tjetër dhe po e them dhe tani se Ministria e Bujqësisë ka bërë ndarje preferenciale të fondeve. Madje po deshe të them se të gjitha fondet për Gjirokastrën i ka marrë Vangjel Tavo dhe menaxhohen prej tij. Po deshe ju sjell dhe fakte për këtë gjë”, – tha deputeti socialist, Vladimir Kosta.

Por pavarësisht insistimit të tij, kryetari i komisionit, Eduard Shalsi e ka lejuar ministrin Panariti që të largohet nga mbledhja, çka ka revoltuar edhe më tej deputetin Kosta, i cili ka theksuar se përgjigjet e dhëna nga Panariti ishin të pakënaqshme dhe të dobëta.

Shëndetësia

Por sikur të ishte e koordinuar dhe në shenjë hakmarrjeje për kryqëzimin që deputetët socialistë i bënë ministrit Panariti në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, deputetët e LSI-së nga ana tjetër në komisionin e Shëndetësisë kanë kritikuar ministrin socialist të Mirëqenies Sociale.

Në fakt kritikat e tyre kanë patur të bëjnë me mënyrën sesi qeveria kërkon të ndajë paratë në buxhetin e ardhshëm, si dhe përcaktimin e taksave të reja.

Deputeti i LSI, Petrit Vasili tha se për fondin e nxitjes së punësimit dhe me amnistinë e kamatëvonesave të biznesit fason nuk negocion dot me PS.

Sipas tij, janë premtimet të cilat duhet të realizohen dhe duhet të përfshihen si zë në buxhet. Për fasonët, LSI nuk negocion me PS. Janë dy pika të paketës fason që deputeti i LSI-së, Petrit Vasili replikoi me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

“E para lidhet me fondin prej 5 milionë dollarësh që nuk është përfshirë fare në buxhet, ndërsa për 2014 është alokuar vetëm një fond prej 2.5 milionë dollarësh. E dyta, me faljen e kamatëvonesave për sigurimet shoqërore për biznesin fason. Nuk jeni transparent për fondin e punësimit për biznesin fason. Nga 5 milionë dollarë, për 2015 parashikohen 2.5 milionë dollarë. Kërkoj sqarime çfarë po bëhet me faljen e kamatëvonesës për sigurimet shoqërore për biznesin fason. Buxheti i parashikuar për këtë është 100 milionë dollarë”, – tha Vasili.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri Erion Veliaj, i cili ka sqaruar se është rënë dakord që të ketë një fond me të lartë për fondin e punësimit të biznesit fason.

“Fondi prej 2.5 milionë dollarësh është për gjysmë viti kur hyri në fuqi. Unë kërkoj rritje të fondit. Amnistia do të bëhet për fasonët dhe sektorët e tjerë. Efektet mblidhen nga Ministria e Financave. Jemi në bisedime për ta finalizuar atë”, – tha Veliaj.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas