Aktualitet

Provimi i shtetit, mësuesit e rinj nisin praktikën

Nis praktika profesionale për kandidatët që i kanë përfunduar studimet e ciklit të dytë në mësuesi nga viti akademik 2011 e në vazhdim. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, praktikën profesionale do ta zhvillojnë të gjithë ata që kanë përfunduar pas datës 12 janar 2011 studimet e ciklit të dytë, me kohë të plotë dhe kanë fituar diplomë “Master Profesional” ose“Master Shkencor” ose diplomë ekuivalente me to në mësuesi, të cilët aktualisht janë pa punë. Ndërsa mësuesit që janë në punë dhe përfundojnë studimet e ciklit të dytë, pa shkëputje nga puna, nuk do t’i nënshtrohen praktikës profesionale, por vetëm vlerësimit të aftësimit praktik. Nëse vlerësohen pozitivisht, ata kanë të drejtë të regjistrohen për dhënien e provimit të shtetit dhe të fitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit. Drejtoresha e Arsimit Profesional në MASH, Dorina Rapti shpjegon disa nga detajet e realizimit të praktikës, e cila do të zgjasë rreth 1 vit, dhe aplikuesve do t’u paguhen gjatë kësaj periudhe sigurimet shëndetësore dhe ato shoqërore. “Praktika profesionale është një procedurë, e cila zhvillohet nën mbikëqyrjen e mentorit. Në lojë janë futur të gjithë mësuesit, të cilët janë mësuesit më të mirë që ne kemi në profilet përkatëse, të cilët tashmë do të luajnë rolin e mentorit, do të mbikëqyrin praktikantin, i cili zhvillon praktikën profesionale njësoj si një mësues tjetër i shkollës. Me mbarimin e praktikës profesionale në mënyrë të suksesshme, pasi merr certifikatën që e ka kryer me sukses praktikën profesionale ai i nënshtrohet provimit të shtetit”, – shpjegon Rapti. Në përfundim të praktikës profesionale, praktikanti do të vlerësohet nga mentori, drejtori i institucionit të arsimit të lartë publik, si dhe komisioni i vlerësimit të praktikantit. Certifikata e praktikës profesionale do të përgatitet nga DAR/ZA përkatëse. Vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik, praktikanti mund të regjistrohet në provimin e shtetit. Pas përfundimit me sukses edhe të provimit të shtetit, praktikanti aplikon për punësim pranë DAR/ZA-ve që kanë vende të lira pune. Këtë vit, një tjetër risi që pritet të zbatohet në të gjithë sistemin parauniversitar është edhe testimi i të gjithë arsimtarëve që dëshirojnë të konkurrojnë për postin e drejtuesve të shkollave. Deri tani, autoritetet e arsimit janë në fazën e përgatitjes së rregullores për zhvillimin e testimit.

 



 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas