Op Ed

Protesta, mos e kujtoni Lëvizje Anti-reformatore

alfred lelaNga Alfred Lela

 



Protesta e së shtunës e ka futur në një stinë të re ligjërimin dhe aksionin politik në Shqipëri. Sa i takon kursit të ri opozitar, por edhe një reflektimi, apo mosreflektimi të qeverisë në raport me mesazhin e emëtuar nga protestuesit. Ligjërimi nuk mund të jetë ai i deritanishmi, përqendruar te dikotomia reformë-antireformë, dmth mazhorancë reformatore dhe opozitë konservatore. Populli në shesh, (numrat nuk kanë rëndësi perceptimi i sasisë mjafton) duket se bëri shenjë për një kuptim të ri të sjelljeve politike. Që pak a shumë thotë: ne arrijmë ta kuptojmë kur qeverisemi dhe kur menaxhohemi.

Reformë-antireformë është teza e përkrahur nga komentatorët afër qeverisë. Thelbi i saj sillet rreth idesë se e ka një rezistencë ndaj aksionit qeveritar, por kjo është klasike dhe e pritshme; veç kësaj ndodh gjithkund sepse natyra njerëzore e ka të trashëguar refuzimin e ndryshimit. Me pak fjalë, rezistenca do të bjerë dhe pakënaqësia do të kalojë.

Qeverisje-menaxhim, më anë tjetër, ka të bëjë me prirjen e menaxhimit të popullit nëpërmjet formave të komunikimi politik ose të ashtuquajturit PR (public relations- marrëdhënie me publikun) në vend të qeverisjes me anë politikash (policy). Nën menaxhim bie edhe aktiviteti qeveritar i së shtunës, vizita në bunkerin atomik të Enver Hoxhës ndërsa opozita organizonte protestën anti-varfëri në Bulevard. Po kështu edhe shashka, atomikja e së cilës është shpërbërë nga tejpërdorimi, e hapjes së dosjeve. (Në këtë vitin e fundit, qyshse ka ardhur në pushtet e majta, kemi parë aq shumë portrete të Enverit, aq shumë thirrje për rikonsiderim të tij, aq shumë ngashnjime për Komandantin nga ish-sigurimsa që shfaqen si veteranë lufte, sa hapja e dosjeve ngjan me një grotesk artistik. Pse, a nuk janë dosje që ecin ata që u shfaqen krerëve të koalicionit qeveritar sa nën sqetulla e sa pas shpine në çdo takim? Po ata që i drejtohen kryeministrit me ‘shoku Edi’, a nuk janë hartues të djeshëm të dosjeve që ai kërkon të hapë sot?)

Reformat, për të kënaqur të gjithë ata që i besojnë parimit të tyre, do të shihen si të tilla kur qeverisjes t’i hiqen leskrat e menaxhimit të publikut.

Nëse doni një rast ekselent të menaxhimit publicitar, kujtohuni për nismën e madhe të qeverisë së re për drejtorët e drejtorive arsimore që ‘do të merreshin në punë nëpërmjet konkursit’. Për ta kuptuar se ky nuk ishte një akt qeverisjeje, por menaxhimi, mjafton, besoj, arrestimi i së shtunës në Lushnjë i drejtoreshës së Arsimit, e cila merrte deri në 5 mijë euro për një vend pune. Dy janë gjasat: ose garë nuk ka patur dhe konkursi është menduar si gjest publicitar për t’i thënë publikut ‘ja, po i ndryshojmë gjërat’, ose konkursi është zhvilluar për ‘Menaxher zarfesh’.

Protesta, kumt kryesor këtë ka patur: Pavarësisht stunt-eve publicitare, ne shohim edhe kuptojmë.

Në të majtë, ndoshta ende i kanë trupat e emocioneve të ngrohtë nga plaga e habisë, dhe protesta ende nuk është analizuar. Nuk është anti-reforma mesazhi i saj. Padurimi dhe e drejta për të parë të zbatuar kontratën e firmosur para zgjedhjeve, po. Nëse për vete shfaqesh anti-kontraktual nuk mund të akuzosh të tjerët për anti-reformatorë. Konsidero për shembull ndërtimet pa leje: kush mund ta thotë se si legalizimi i tyre, ashtu dhe prishja nuk janë, që të dyja, reformë? Në raport me statuskuonë. Cilën Reformë ke shije të zgjedhësh, atëherë?

Një analizë i kërkohet edhe opozitës. Shefi i saj, Basha, përmendi disa herë fjalën ‘kontratë’ gjatë fjalimit. Atij i duhet megjithatë të kujtojë kontratën që elektorati ka nënshkruar me të si eksponent politik. Rreshtat e saj gjenden në zgjedhjet lokale të vitit 2011, dhe pak a shumë lexojnë: shohim te ti një mjet të pozitivizmit, dhe jo të konfliktit të pashtershëm. Konflikti e djeg vetë mjedisin ku rritet dhe nuk ka nevojë për një anti-konflikt si vaksinë për të. Protesta e një opozite jorevolucionare me kërkesa normale kundër varfërisë, premtimeve të pambajtura dhe antiligjshmërisë e dëshmoi këtë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas