Kryesore, Mapo Format

PROTAGONIST/ Gruevski, njeriu që e luajti politikën si futbollin

Thonë se Nikola Gruevski luante në politikë ashtu si në futboll. Nuk shihte shumë majtas apo djathtas, por thjesht i pëlqente që ta çonte topin sa më shumë përpara. I vogël dhe me një trup të lidhur, ai vraponte me shpejtësi pas topit. Ekonomisti 48-vjeçar është për momentin njeriu më i përfolur jo vetëm në Ballkan. Ish-kryeministri i Maqedonisë, i dënuar me dy vite burg dhe me një sërë procesesh mbi shpinë, u arratis nga vendi i tij drejt Hungarisë, duke lënë pas një furtunë me reaagime.

Këtë javë ai mbërriti në Budapest, pasi thuhet se zbrazi të gjitha llogaritë e tij bankare. Por ndërsa Hungaria thotë se nuk ka gisht në arratinë e tij, tashmë është mësuar se ai është larguar përmes Shqipërisë, duke përdorur një makinë të ambasadës hungareze.



Misteri mbetet pasi atij ia kishin konfiskuar pasaportën, ndërsa Maqedonia thotë se do të kërkojë ekstradimin e tij. Sapo u mësua se Gruevski është në Hungari, Mapo shkroi se kishte shkuar te miku i tij, kryeministri hungarez Viktor Orban, të cilët i bashkon ideali i lëvizjes anti-Soros. Hungaria thotë se e cilëson kërkesën për azil thjesht ligjore, pa asnjë implikim politik, por në fakt Orban ka bërë fushatë në krah të Gruevskit.

Historia e arratisë përmes Shqipërisë ka zgjuar pasione të shumta në vendin tonë. A do arrestohen edhe në vendin tonë zyrtarë kaq të lartë? A mundet që blerja e një makine të rrëzojë një politikan kaq të fortë? Kush ia mundësoi arratisjen përmes Shqipërisë? Avokat Ngjela thotë se e ka një përgjigje. Ashtu si gjithmonë. Sipas tij, pas arratisë qëndron Ilir Meta, presidenti i vendit. Për të tjerë, kjo akuzë ngjan qesharake, pasi Ilir Meta nuk e kontrollon policinë në vend. Pastaj, një ditë pasi u mësua arratia e Gruevskit, Ilir Meta tha se diçka e tillë duket se provon fajësinë e ish-kryeministrit maqedonas. Madje Meta tha se atij i kanë ofruar më shumë se dy dekada më parë azil politik në Itali e Greqi, kur ai pati një përplasje me mazhorancën demokrate të Sali Berishës, por ai nuk e pranoi.

Prova e zjarrit tashmë është në duart e Viktor Orban, njeriut që ka krijuar armiqësi me Europën për shkak të qëndrimit ndaj azilkërkuesve. Tani në duar ka një kërkesë për azil, jo të zakonshme, por nga një politikan ballkanas, nga ata që akuzohen për korrupsion. Sikur të mos mjaftonte kjo, si për ironi, kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se Gruevskin mund ta ketë rrëmbyer, duke nënkuptuar se ai nuk ka ikur me dëshirë.

E vërtetë apo jo, jeta e Gruevskit nuk do jetë më e mirë tani e tutje, edhe sikur të qëndrojë në Hungari, të ikë në Rusi ose të kthehet në Maqedoni.

Por si arriti në këtë pikë një nga politikanët që ka dominuar skenën politike në Maqedoni pas ndryshimeve të mëdha? Ekonomisti Gruevski punoi për një seri bankash të ndryshme, u mor me bursën dhe krijoi zona të veçanta ekonomike për të favorizuar investitorët. Një nga arritjet e tij ishte edhe vendosja e taksës së sheshtë.

Kur mori postin e kryeministrit në vitin 2006, Perëndimi e shihte si një reformator, shkruan DerStandard. Shumë shpejt nisën tendencat autoritariste. Së bashku me kushëririn e tij, ish-kreun e shërbimit sekret Saso Mijalkov, ai krijoi një shtet brenda shtetit.

Partia e tij, VMRO-DPMNE nënshtroi të gjitha institucionet. Kontratat publike shkonin për kompanitë e miqve, shtypi i lirë nisi të persekutohej, madje u krijuan edhe trupa banditësh për të intimiduar median.

Sipas gazetares Adelheid Woelfl, një njohëse shumë e mirë e Ballkanit Perëndimor nga bota gjermanishtfolëse, Gruevski ngriti një sistemi që nënshtroi shtetin e të drejtës, politizoi administratën dhe instrumentalizoi strukturat e sigurisë kundër opozitës. Ishte agresiv me fqinjët dhe simpatizonte modelin qeverisës të Vladimir Putinit duke glorifikuar ‘kombin maqedonas’.

Problemi më i madh i tij, sipas gazetares, ishte se humbi kontaktin me realitetin. Ai e la pas Shkupin me statuja pa shije heronjsh kombëtarë, që u kushtuan taksapaguesve miliona.

Bomba shpërtheu në vitin 2015. Opozita publikoi në YouTube bisedat e përgjuara të qeveritarëve. Ministri i Financave do shprehej se Gruevski e ka humbur ndjenjën e realitetit. ‘Është një çmenduri, ne jemi të sëmurë mendorë. Shpenzojmë para për çokollatë, kur nuk kemi bukë’.

Mbi të gjitha, maqedonasit po mësonin edhe se si ishin manipuluar në mënyrë sistematike zgjedhjet. Një vit më vonë, Gruevski u largua nga detyra.

Në maj të këtij viti ai u dënua për shpërdorim detyre, por që nga e hëna duhej të ishte në burg.

E kjo ndoshta dihej. Ish-ministrja e tij e Brendshme, Gordana Jankullovska dëgjohej në një nga përgjimet duke thënë: “Në një moment do të shkojmë të gjithë në burg”. Gruevskit i janë hapur dyert e qelisë fillimisht për një Mercedes luksoz.

Ndërkohë shqiptarët janë me sytë nga vendi fqinj, që nuk ka bërë reformë në drejtësi, por e ka shkaktuar tërmetin para nesh. Kush do jetë në radhë?

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas