Kryesore, Politika

Propozimet e PD: Sulm ndaj kapitalit apo një nismë e nevojshme?

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet të prezantojë sot nismën ligjore për të përfshirë në ligjin antimafia abuzimet me koncesionet, lejet e ndërtimit dhe tenderat. Plani i opozitës për nismat ligjore dhe projekti për të ofruar alternativa. Krahas ndryshimit të ligjit antimafia opozita ka kërkuar dhe paraqitur draftin për vettingun në politikë.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk heq dorë nga nismat ligjore që sipas tij do të ndikojnë jo vetëm në largimin e politikanëve të lidhur me krimin, por do mundësojë një kontroll më të rreptë në nismat e qeverisë nëpërmjet dhënieve me koncesion të punëve publike. Kreu i Partisë Demokratike pritet që të prezantojë gjatë ditës së sotme nismën që do të kërkojë ndryshimin e ligjit antimafia, që kanë për qëllim sekuestrimin e pasurive publike të fituara me kontrata në kundërshtim me ligjin.



Tre pikat ku do të prezantohen janë: Abuzimi me koncesionet, lejet, tenderat; Kostot e abuzimeve nga koncesionet/PPP, por edhe Alternativa e zgjidhjes. Kjo nismë sipas burimeve nga Partia Demokratike do të merret për të përfshirë në ligjin antimafia edhe këto dy shtylla kryesore, që lidhen me koncesionet, tenderët dhe abuzimet që sipas opozitës vijnë edhe nga nisma e qeverisë me PPP (Partneritetin Publik Privat).

Më herët ka qenë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që e konsideronte një problem serioz ligjin për PPP, pasi pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë konkurrimin e ndershëm dhe i shërbente një klientele të paracaktuar qeveritare.

Ligji antimafie ka hyrë në fuqi në vendin tonë në vitin 2006 dhe për të ndjekur hetimet kryesisht për organizatat kriminale u krijua edhe Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda. Krahas dënimit penal, kjo strukturë shërbeu edhe për hetimin e pasurive të organizatave kriminale, që përkthehen në sekuestrimin e pasurive që dyshohej se ishin vendosur nga aktivitete të paligjshme.

Nisma e PD-së synon që në këtë ligj specifik të përfshihen edhe hetimet për tenderët publikë, koncesionet, lejet e ndërtimit etj. Pas depozitimit ligjor të nismës së opozitës pritet që të kalojë në Parlament për shqyrtim. Në kuadër të “nismave ligjore” opozita ka paraqitur në Kuvend draftin ligjor dhe amendamentet kushtetuese për vettingun në politikë.

Propozimi ndonëse do të diskutohet në komisionin e ligjeve dhe më pas në Parlament pritet që të rrëzohet nga ana e mazhorancës. Sipas deklarimeve publike të deritanishme PS ka paralajmëruar se propozimi i PD-së për “vettingun në politikë” do të rrëzohet, pasi sipas saj vettingun e vërtetë, edhe në rangje të larta politike do ta kryejnë institucionet e reja të drejtësisë, siç është SPAK dhe BKH.

Në vijim të propozimit të saj eksponentë të lartë të PD-së kanë argumentuar se drafti i paraqitur prej tyre për vettingun në politikë nuk krijon mbivendosje me hetimin dhe gjykimin që do të bëjnë SPAK dhe BKH.

Sipas tyre, ajo që propozon opozita është një ligj që do të largojë nga politika personazhe të lidhur me botën e krimit, ndërsa dokumentacionet mund të shërbejnë më vonë edhe nga institucionet e drejtësisë si një indicie për nisjen e hetimeve.

Drafti është i ngjashëm me ligjin e dekriminalizimit që largoi gjashtë deputetë dhe një numër të lartë zyrtarësh të lartë të administratës lokale. Në lidhje me vettingun në politikë ende nuk ka qartësi se cilat institucione do ta kryejnë, por PD këmbëngul se do të jenë personalitete të fushave të ndryshme të pavarur nga politika. Në vazhdën e nismave ligjore të propozuar nga opozita do të jetë edhe tentativa për të futur në ligjin antimafia edhe koncesionet apo lejet e ndërtimit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas