Kryesore, Mapo Format

Promovimi në UET, Ilollari: Superkujdesi i Bankës Qendrore mbrojti vendin nga kriza financiare

Drejtoresha e Masterit në Universitetin Europian të Tiranës, Orkida Ilollari, botoi doktoraturën, në fokus të së cilës ishte tema e politikave makroprudenciale duke marrë në analizë Bankën Qendrore. Kriza globale financiare e shpërthyer në vitin 2007, përtej pasojave të saj shumë të rënda në tregjet monetare e financiare, si dhe në ekonominë reale, i hapi rrugën një serie analizash, debatesh, polemikash dhe propozimesh nga ana e bankave qendrore, institucioneve financiare ndërkombëtare, mjediseve akademike etj, të cilat lidhen si me shkaqet e faktorët që çuan në këtë krizë globale financiare, më e madhja pas Depresionit të Madh të viteve 1929 – ‘33, ashtu edhe me masat e politikat monetare, financiare e bankare që mund të parandalojnë kriza të tilla në të ardhmen.

Synimi kryesor ishte përgatitja e një arsenali legjislativ dhe rregullator kompleks përpara se kujtimet e hidhura të krizës të harroheshin, siç ka ndodhur jo rrallë me kriza të ngjashme në të shkuarën. Libri është promovuar në UET në prani të shumë ekspertëve të ekonomisë.



“Pa dyshim që një nga pjesët më interesante të punimit ka të bëjë me analizën e detajuar dhe profesionale të përmbajtjes, ecurisë së zbatimit dhe efekteve të politikave makroprudenciale të zbatuara nga Banka e Shqipërisë në periudhën 2006 – 2014, nëpërmjet të cilave evidentohen politikat dhe masat kryesore të ndërmarra, konvergjenca e tyre në raport me të njëjtat politika e objektiva të realizuara nga Banka Qendrore të vendeve të tjera, veçanërisht Banka Qendrore Europiane, FED, Banka e Anglisë, Banka e Suedisë, Banka e Italisë, Banka e Francës etj. Realizimi i një anketimi me ekspertë bankarë, drejtues të bankave tregtare, akademikë etj., në lidhje me eficiensën dhe efektet e politikave makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë na jep një tablo plotësuese edhe për perceptimin dhe vlerësimin e ekspertëve dhe akademikëve për eficiencën e politikave të Bankës së Shqipërisë”, u shpreh Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici.

Ndërsa dekani i Fakultetit Ekonomik në UET, Selami Xhepa u shpreh se: “Libri, trajton një temë shumë kritike dhe që sot përbën një nga fokusimet kryesore në debatin mes akademikëve dhe bankierëve qendrorë.”

“Mbikëqyrja e sistemit bankar dhe financiar në mënyrën e vet tradicionale, i çdo banke në mënyrë individuale dhe të ndarë veçmas, tregoi se është një model jo i përshtatshëm për të gjykuar mbi gjendjen e përgjithshme të shëndetit financiar të tregut”, tha Xhepa.

Sipas tij, ky studim është përpjekur të ndalet në disa aspekte të rëndësishme që lidhen me këtë shqetësim global, duke vendosur edhe kontekstin e përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për adoptimin e parimeve dhe standardeve më të mira.

Për librin kanë folur dhe Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave dhe Artur Ribaj ish-nëndrejtor i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë. Sigurisht që libri do të ngjallë diskutime, sidomos tek ata që merren me sistemin bankar.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas