Kryesore, Mapo Format

Promovimi në UET: Barjaba dhe Gjuraj sjellin librin “Lexim bashkëkohor i klasikëve të sociologjisë”

Është promovuar në ambjentet e Universitetit Europian të Tiranës, libri “Lexim bashkëkohor i klasikëve të sociologjisë” me autorë Prof. Dr. Kosta Barjaba, Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe Dr. Joniada Barjaba.
Ky libër është një përmbledhje refleksionesh mbi pikëpamjet kryesore të disa prej themeluesve, lëvruesve dhe protagonistëve bashkëkohorë të sociologjisë, të paraprira nga një përshkrim i shkurtër i objektit të sociologjisë, si dhe i teorive sociologjike bashkëkohore.

Parathënia e këtij libri është shkruar nga Prof. Dr. Aleksandër Dhima, “Profesor emeritus”, i cili u shpreh se ky punim vjen me një qasje ndryshe nga librat e derimëtanishëm të shkruar për këtë temë.



“Historitë e mendimit sociologjik janë shkruar sipas qasjeve të ndryshme. Qasja e autorëve të këtij libri, diferencon. Ata kanë përzgjedhur ata klasikë, ndoshta më mirë do të ishte të thonim kontribuues të mendimit sociologjik, idetë e të cilëve kanë një tingëllim më akutal. Një nga thesarët e teorive dhe analizave sociologjike gjatë dy shekujve të fundit janë veçuar një pjesë e atyre që ndihmojnë të shpjegohet më mirë shoqëria e sotme, me vlerat, konfliktet dhe rreziqet e saj”, shprehet Prof. Dr. Dhima në lidhje me këtë libër.

Përzgjedhja e autorëve të përfshirë në libër vjen mbi disa kritere të përcaktuara nga vetë autorët e tij.
“Ne kemi patur një kriter në përzgjedhjen e autorëve që kemi përfshirë në libër. Kriteri mbi të cilin ramë dakort para se të fillonim të shkruanim këtë libër, ishte përzgjedhja e teorive apo ideve të disa prej përfaqësuesve të medimit sociologjik, të cilat mund të kenë një tingëllim sadopak aktual. Ne kemi marrë refleksione dhe jemi përpjekur të hedhim në libër refleksionet tona, për të parë se sa këto aplikohen, si zbatohen në shoqërinë shqiptare, në sistemin tonë ekonomik, në sistemin tonë politik e me radhë”, është shprehur Prof. Dr. Tonin Gjuraj. Gjatë promovimit të librit Prof. Dr. Kosta Barjaba ka ndarë me të pranishmit edhe tre “leksione” të rëndësishme që ai vetë ka përftuar nga disa prej autorëve të përfshirë në libër.

“Hantington ka qënë pedagogu im, ka qenë nga mendimtarët më të guximshëm të kohës. Ka dhënë ide brilante, origjinale por ka qenë dhe shumë i kundërshtuar, me teori me të cilat ne nuk biem dakort…Midis tyre ka qënë një ide pak e rëndë për rolin e Islamit në shoqërinë bashkëkohore, me të cilën as bota akademike nuk ka rënë dakort, ai vazhdoi në këmbënguljen e tij. Mësimi është njerëzit e mëdhenj mund të bëjnë edhe lapsuese, të kenë edhe qëndrime të gabuara. Ata duhen mirëkuptuar dhe koha do t’i riparojë këto qëndrime. E dyta është nga Fukuyama. Kur bëra takimin e parë me të mendova se do më pyesë për Shqipërinë, për teoritë e mëdha, por ai më bëri një pyetje shumë të thjeshtë: më thuaj cili është roli i familjes  në ekonominë e Shqipërisë? Teksa i flisja për përqindje më tha, shumë keq, dhe shtoi se bizneset familjare janë joproduktive, jokonkurente dhe mori shembull turizmin grek dhe turizmin turk. Mësimi që nxora unë është se shpesh teoritë e mëdha dalin nga fakte shumë të thjeshta.  Ndërsa Russell King, jep një mësim shumë të madh jo vetëm ne por gjithë Albanologjisë Shqiptare. Na mëson se Albanologjia Shqiptare nuk është vetëm për historinë, nuk është letërsia, nuk është gjuhësia, nuk është vetëm e kaluara.

Është ekonomia shqiptare dhe shoqëria shqiptare, është e sotmja dhe e ardhmja dhe emigrantët shqiptarë janë një rezervuar shumë i madh studimi për studimet albanologjike të Shqipërisë”, tregon Barjaba i cili ka qenë student i Hantington, në një nga klasat më interesante të Universitetit të Harvardit, Feja në Politikat Globale, në vitin akademik 2004 ‒ 2005. E ftuar në promovimin e librit “Lexim bashkëkohor i klasikëve të sociologjisë” ishte edhe Vasilika Hysi, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo është shprehur në lidhje me rëndësinë praktike që ky libër ka në kuptimin e realitetit dhe problematikave që e shoqërojnë atë.

“Është një libër mbi historinë e mendimit sociologjik, por aty gjeta shumë ide, fillesat se si funksion shoqëria dhe doktrinat. Në çdo paragraf gjeja realitetin e Shqipërisë. Ishte shumë interesante analiza që i bëhet shtrirjes dhe forcës, por ajo që më ra në sy ishte mënyra e funksionimit të shoqërisë në ditët tona. Largpamësia e ideve sociologjike, por dhe mënyra se si janë sjellë ato në një gjuhë shumë të thjeshtë dhe për ne që nuk jemi sociologë apo filozofë e bën ktë libër të jetë një pasqyrë shumë e mirë e shoqërisë së sotme. Këtu shumë mirë kupton edhe defektet që kemi ne sot, sfidat, arritjet, pengesat, detyrimet ose përgjegjësitë që ne kemi për ta bërë këtë shoqëri shumë më të mire. Duke lexuar ndjeja se ku jemi ne sot dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë pikërisht për ti kthyer këto vlera meritokracisë.”

<
>
42242890_399323677269655_5195569608089665536_n 42303250_478581815977893_6588602818452520960_n 42305833_661447804255336_3361788103646773248_n
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas