Kryesore, Mapo Letrare

Promovimi i librit nga UET-PRESS, ‘shpërthimi’ i Maks Velos: Enveri e pati të lehtë të krijonte mitin e tij, e ndihmuan…

UET-PRESS botoi një ditë më parë librin “Jetë paralele”, një botim për përndjekjen që i është bërë Maks Velos në diktaturë.

Në një rrëfim të gjatë për autoren, Alda Bardhyli, Maks Velo ‘shpërthen’ jo vetëm për atë kohë, por edhe për periudhën post-komunizëm.



“Historia e diktaturës në Shqipëri u ushqye dhe u mbajt gjallë edhe nga një masë e madhe shkrimtarësh dhe artistësh. Nuk ishte i kotë dhe pa arsye zhgënjimi që bota perëndimore pati nga vonesa dhe zgjatja e jetës së regjimit në prag të nëntëdhjetës. Të mësuar me zgjedhën e gjatë osmane ishim çmësuar me lirinë. Varfëria dhe injoranca janë sindromat e zgjedhave. Enver Hoxha e pati disi të lehtë të krijonte mitin e tij. Ndihmuan shumë shkrimtarët dhe artistët. Lidhja ishte organi i ngarkuar për këtë. Sidomos pas 1973-shit, Dritëro Agolli si kryetar dhe Kujtim Buza si sekretar bënë një punë të madhe për këtë. Tani të gjithë duan të lajnë duart. Prandaj botojnë kujtime. Këto kujtime kanë shumë pak objektivitet dhe vërtetësi. Më shumë janë si fiksione. Edhe një herë tregojnë veten. Por harrojnë se një ditë (sado që të shtyhet kjo ditë) dosjet do të hapen. Arti pa moral është anije e mbytur në liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral. Popujt perëndimorë i ka edukuar feja dhe arti,” thotë Velo.

I pyetur se përse nuk kemi një histori të artit dhe kulturës në komunizëm, Velo thotë: “Nuk mund ta kemi, nuk do ta kemi edhe për 50 vjet akoma. Nuk e shihni se si duan të manipulojnë historinë tonë të dhembshme nën sundimin osman? Tani tërë protagonistët janë gjallë. Dosjet nuk janë hapur. Dokumentet kryesore të Lidhjes nuk gjenden. Tërë këto kujtime duan të falsifikojnë. Është domethënëse një fakt. Në vitin 1994, piktorët Hasan Nallbani dhe Sotir Capo, shkojnë në Galerinë e Arteve në Berat, marrin portretet e Enver Hoxhës, bërë prej tyre, por të blera nga shteti dhe i djegin. Në vitin 2000 i propozova drejtorit të Galerisë, Abaz Hados, dhe së bashku me studiuesen Suzana Varvarica ngritëm një muze në natyrë (në kopshtin e Galerisë) me vepra të vogla (buste, torse, monumente). U bë edhe ndriçimi. Reaksioni i autorëve ishte i papritur për mua. Të gjithë nuk e donin dhe bënë çmos deri sa e prishën. Nuk duan asnjë alibi. Por asnjëri deri më sot nuk ka dorëzuar titujt dhe dekoratat që ka marrë me ato vepra. Asnjë shkrimtar, kineast, piktor apo skulptor. Pastaj që të shkruhet historia e artit ose e letërsisë duhet të detektohen plagjiaturat. Ka shumë në muzikën e lehtë, atë simfonike, në skulpturë, pikturë, poezi etj. Këtë nuk ka historian dhe studiues që ta bëjë. Arti duhet patjetër të jetë origjinal. Si vetë njeriu. Nuk ka njeri kopje. Kopja, plagjiatura nuk ka vlerë. Po si mund të mbrohet e drejta e autorit, kur shteti stimulon ndërtimet pa leje duke i legalizuar. Kemi 400 000 ndërtime pa leje. Ky është treguesi. Kjo është historia më e rëndë, po këtë kush do e shkruajë? Përderisa ne sillemi me natyrën dhe territorin në këtë mënyrë, çfarë t’i thuash një artisti se vjedh një melodi dhe shkon në Eurovizion…?”

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas