Aktualitet

Prokuroria nis hetimet për sheshin “Skënderbej”

Tiranë Prokuroria e Tiranës ka vendosur të nisë hetimet, pas kallëzimit penal të këshilltarëve socialistë lidhur me ndryshimin e projektit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.  Burime pranë grupit hetimor që kanë në dorë çështjen konfirmuan se organi i akuzës tashmë i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet së cilës kërkon gjithë dokumentacionin lidhur me projektin e sheshit dhe më pas ndryshimin e tij. Sipas burimeve, mësohet se grupi i prokurorëve kërkon fillimisht të kryejnë verifikimet e nevojshme lidhur me procedurat apo vendimet mbi të cilat janë kryer punimet, arsyet e ndryshimit të projektit si dhe koston financiare të këtij projekti. Për këtë arsye “Task Forcë” i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të vërë në dispozicion gjithë dokumentacionin që disponon lidhur me këtë çështje, pasi këshilltarët e majtë që kanë depozituar kallëzimin penal pretendojnë se ndryshimi i projektit është bërë pa vendimmarrje kolegjiale. “Ne synojmë të verifikojmë nëse ka dëm financiar nga ky ndryshim i destinacionit të punimeve në sheshin “Skënderbej”, ndërkohë kemi kërkuar dokumente shtesë edhe nga kallëzuesit”- tha një burim pranë grupit hetimor. Pak kohë më parë grupi i këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak depozitoi në prokurori një kallëzim penal ku pretendon se drejtuesit aktualë të bashkisë pa asnjë vendim kanë ndryshuar projektin e sheshit “Skënderbej”, duke shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm financiar. “Më 25 janar të vitit 2008 u nënshkrua me Këshillin e Ministrave marrëveshja e kontributit me vlerën e 5 milionë eurove nga qeveria kuvajtjane për financimin e projektit të rinovimit të sheshit “Skënderbej” dhe restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë. Duke filluar nga faza e projektimit dhe në vijim e zbatimit të fazës së parë të projektit, janë investuar rreth 5 milionë euro. Aktualisht nuk ka asnjë vendimmarrje ligjore për të ndryshuar projektin dhe lejen e ndërtimit për këto punime”- thuhet në kallëzimin e këshilltarëve të majtë që po verifikohet tashmë nga njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës.

 



 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas