Aktualitet

Projekti zviceran, Veliaj: Krijojmë një brez të ri të kërkuesve socialë

Bashkia e Tiranës sjell risi në hartimin e politikave sociale në Shqipëri. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Menaxheri i projektit zviceran “PERFORM”, Martin Dietz, nënshkruan një marrëveshje e cila nxit kërkimet shkencore, ofron ekspertizë dhe të dhëna për bërjen e politikave sociale.

Ky bashkëpunim synon të krijojë një brez kërkuesish të rinj, që do të ndihmojnë Bashkinë e Tiranës në përkthimin e statistikave dhe rezultateve të marra nga terreni në politika konkrete.



“Jemi shumë të interesuar për të pasur një brez të ri të kërkuesve socialë, të cilët do na ndihmojnë që shumë prej statistikave, datave, informacioneve që vijnë nga terreni të përkthehen në politika konkrete, në mënyrë që në të ardhmen vendimet e Këshillit Bashkiak të bazohen mbi këto statistika e jo mbi kakofoninë që mund të krijojë një minorancë e zhurmshme në një moment të caktuar të vendimmarrjes. Kësisoj, sjellim një risi në politikëbërjen lokale në Shqipëri dhe besoj se pas Tiranës edhe qytete të tjera mund ta ndjekin këtë model”, tha Erion Veliaj.

Sipas tij, ky projekt mundëson që studiuesit e rinj socialë të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e bashkisë për të evidentuar problematikat, si dhe për të dhënë zgjidhje afatgjate për to.

“Zakonisht, në Shqipëri jemi mësuar të punojmë ‘me vesh’, por nga tani duhet të ecim me ‘partiturë’. Ky projekt na siguron një ‘partiturë’, pra nuk duam të dimë vetëm që plehrat duhet të pastrohen, por sa herë në ditë pastrohen; nuk duam të dimë që një shkollë është e tejmbushur, por pse tejmbushjet, si mund të planifikojmë ndërtimin e një shkolle të re”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, tha se ky bashkëpunim do të prodhojë të dhëna të sakta, të cilat do t’i shërbejnë politikave dhe vendimeve të Bashkisë së Tiranës

PERFORM do të angazhojë ekspertë nga International Centre for Policy Advocacy (ICPA) dhe Akademia e Studimeve Politike (ASP) – një tjetër institucion me mbështetje zvicerane – për të rritur kapacitetet e studiuesve, të cilët do të punojnë për projektet kërkimore. Projekti financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas