Dikur, Kryesore

Projekti serb për ndarjen e Kosovës

Nga Mitro Çela

Ideja e Presidentit të Kosovës për shkëmbime territoresh me Serbinë, nuk është e re. Kemi të bëjmë me një projekt të vjetër serb. 25 vjet më parë unë kam shkruar një ese për këtë projekt.



Në një nga ditët e Pranverës ‘93 shkova në zyrën e Genc Pollos. Në atë kohë ishte këshilltar i Presidentit Berisha. Tablo e zakonshme: mbi tavolinë e nën tavolinë, në dysheme e në karrige – libra, revista, gazeta. Shumica në gjuhë të huaja. Në pritje të një faksi që do të niste Pollo, kapërdiva një “gurmaz” xhin.

Ra zilja e telefonit: “Më kërkon Doktori, tha Pollo. Nuk vonohem!”…Për të vrarë kohën nisa të lexoj revistën e parë që më zuri dora…“Limes”. Revistë italiane për gjeopolitikën. Numri 1-2 e vitit 1993. Në kopertinë, nën një pikturë mesjetare shkruhej me germa kapitale: Lufta në Evropë (Adriatiku, Jugosllavia, Ballkani.) Nisa shfletimin. Ngeca në faqen 275: PROJEKT SERB PËR NDARJEN E KOSOVËS!

“Kosova të copëtohet midis Jugosllavisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë”. Nisa të lexoj: “Propozimi në formë harte që është botuar, ka ardhur në redaksi nga një qark intelektual serb. Është e para herë që ky projekt, i diskutuar tashmë në Beograd, hidhet në letër. Ideja: Shqiptarët të kenë 4/5 e provincës autonome të Kosovës, me Prizrenin si kryeqendër. Kufiri i ri do t’i jepte Serbisë rajonet e veriut, të populluar kryesisht me serbë, të pasur me vende simbolike (manastiret e Graçanicës, të Banjskës dhe fushën e Merlit, e famshme për betejën e 1389). Malit të Zi do t’i shkonte rajoni i Pecit, i populluar nga shqiptarë, myslimanë dhe nga një minoritet serb. Qyteti i Prishtinës do të ndahej në dy pjesë: Perëndimi për serbët, me Kosovën Polje ( Fushë). Pjesa lindore për shqiptarët. Rrafshnalta trekëndore e Podujevës shqiptare do të lidhej me pjesën tjetër të Kosovës nëpërmjet Prishtinës së Lindjes..”.

Harta dhe teksti më befasuan, aq sa nuk e ndjeva që kisha dy orë që rrija si hu në zyrë duke pritur Pollon. Në shenjë “hakmarrje” mora revistën me vete. Në vjeshtën e atij viti, ashtu rastësisht u bëra “personazh” në një tavolinë rotondo në Romë…

 

Telefonatë në mesnatë…

Tetor 1993. Ora 23. Ra telefoni…Alo…Singor Mitro! Jam Viçeco Palia…Të flas nga Roma…7 muaj më parë kemi botuar në revistën “Limes” një hartë të re për Kosovën dhe disa shënime. Pas një jave do të organizojmë një tavolonë rotondo në Romë. Veç stafit të gazetës do të jenë edhe dy deputetë të Rugovës dhe dy profesorë serbë. Do të ishte me interes të kishim edhe një deputet nga Tirana…

…Alo…Bisedova me zotin Sereqi, ministrin tuaj të Jashtëm në qeverinë Meksi…Më tha se nuk mund të dërgojmë asnjë deputet, sepse është problem me zarar për karrierën e deputetëve të pozitës. Unë i thashë: sikur të lajmërojmë zotin Mitro Çela? Ai më tha: në asnjë mënyrë, sepse do ta marrësh në qafë!…Ju do të pranonit një vizitë në Romë me shpenzimet tona?

Unë:- Jam dakord të nisem, vetëm me një kusht: kur të kthehem në Tiranë, të informoj zyrtarisht Presidentin Berisha për debatet që do të bëhen në Romë.

Viçenco Palia:- Është një kërkesë krejt normale…

Lashë telefonin dhe fillova të bëj teatër me vetveten, sikur të isha Hamleti kur tha: “To be or not to be!” ( Të jesh a mos të jesh!) Pse pranova? Për inat të Sereqit që tha: mos e merr Mitron në qafë? Çfarë do të thonë njerëzia kur të marrin vesh vizitën ikonjito në Romë?…Me këto gër-mërre mbeta pa gjumë tërë atë natë. Më të gdhirë e gjeta “ilaçin” me pyetjen:

Kush është Viçenco Palia? Zyrtarisht është prift. Pra, de juro-asgjë. Po de fakto? Një vëzhgues i hollë i jetës politike, nuk u habit për këtë fakt: kur erdhi Papa në Shkodër, në një krah u ul një Kardinal. Në krahun tjetër prifti ynë! Po të interesohesh, merr vesh se mund të jetë ose mund të ketë qenë ndërmjetës i kryeministrave (që në Itali bien si gjethe fiku) me Papën! Ka miq kudo në botë. Ka edhe në Shqipëri. Miqtë e tij në Shqipëri, për sa i përket kolorit politik, formojnë ngjyrën e ylberit!

Një lexues i rregullt, që ka ndjekur hap pas hapi jetën politike shqiptare në këtë fundshekull ka vërejtur një nuancë: Sa herë që Shqipëria bën zgjedhje, në Romë ( San Exhidio) bëhet një Seminar me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. ( Mars 1991; Shkurt 1992; Prill 1996; Mars 1997-të.) Sa herë që bëhet Seminar në Romë, do të ketë për regjisor priftin e thjeshtë me emrin Viçenco Palia.

Bile kush ka qenë më i vëmendshëm ka vënë re se prifti ynë ka qenë edhe arkitekt i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Vatikanit dhe Shqipërisë; i Marrëveshjes për Arsimin në Kosovë midis Rugovës dhe Millosheviçit etj.

Dhe së fundi, portreti interesant i Paljes, u shfaq në Beograd në kulmin e luftës midis NATO-s dhe Serbisë në vitin 1999. Sebepi? Rugova, i burgosuri i Millosheviçit. Dy ditë pasi e pamë priftin në Beograd, Rugova fluturoi nga Prishtina në Romë! Nga i burgosur i Millosheviçit në qytetar evropian! Paradoks! Jo. Në politikën moderne nuk ka vend për paradokse!

 

“Piaca di Gezu”

Bileta e udhëtimit më erdhi në shtëpi. Në Romë më shoqëronte një miku im gazetar, Franc Zhupa. I njohur i Viçenco Palies, sepse ishte ndërmjetës në ndërtimin e disa kishave katolike në Shqipëri, që ngriheshin me ndihmën e Vatikanit. Zumë hotel me pesë yje-paratë i paguanin italianët. Në një nga libraritë para hotelit, bleva një libër. E mora sepse tregonte për historinë e masonerisë italiane, për të cilën unë kisha disa njohuri dhe isha bërë personazh në një nga vizitat e mia në Greqi. Në rreshtin e parë lexova: qendra e masonerisë italiane është në “Piaca di Gezu”. Ndërkohë pashë ftesën ku do të zhvillohej tavolina rotondo. Përsëri i njëjti shesh! Mos kemi të bëjmë me ndonjë “Lozhë masonerie”, pyeta gazetarin. Ai ngriti supet.

Në orën 18 mbërritëm në shesh, një ndër më të bukurit e Romës. Një ndërtesë sa e vjetër aq dhe interesante nga arkitektura. Hapim një derë dhe ngjitim një palë shkallë. Në katin e dytë, drejt nesh erdhi një burrë. Fisnik nga pamja. Elegant nga veshja. Jam Luçio Caracciolo, drejtor i revistës “Limes”.

 

Tavolinë rotondo e trazuar

Një tavolinë e rrumbullakët ishte “instaluar” në mes të një salloni. Vështrova rreth e rrotull. Mure të veshur me dru. Tavan i skalitur. Piktura të pakta por me vlerë. Zumë vend njëri pas tjetrit. Të shpërndarë bordi i revistës. Ballë për ballë dy profesorët serbë dhe dy deputetët nga Kosova. Unë ndenja në krah të Viçenco Palies. Nuk duhet të harrojmë se jemi në vjeshtën e vitit 1993. Një muaj më parë Rugova kishte bërë një vizitë në Itali. Ndërmjetës ishte prifti ynë. Rugova kishte takuar Papën, Presidentin, Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Italisë. Nga “gjerësia” e protokollit për Rugovën kuptohej edhe “pesha” politike e mikut tonë Viçenco Palia.

Në tavolinë ndihej tension. Dy kosovarët flisnin shqip me zë të lartë: “Më mirë të ikim! Jemi të tepërt në këtë tavolinë, ku janë ulur edhe serbët!”. Edhe serbët nuk ishin të qetë. Hartën e kishte bërë opozita. Ata përfaqësonin Millosheviçin. Unë hiqja vija në bllokun që mbaja përpara, duke mallkuar atë fjalën e urtë popullore që merret me vjehrrën dhe millonanë. (Unë udhëtova për inat të ministrit Alfred Sereqi, që i tha Viçenco Palias mos e merr në qafë Mitron duke e thirrur në Romë!?).

 

Regjisori propozon një kafe!

Regjisori prift e ndjeu i pari rrezikun e dështimit të takimit. Mjeshtër i zanatit të vet, pasi bëri prezantimin e pjesëmarrësve në debat tha: “Tani do të lëmë tavolinën për të pirë nga një kafe!”. U ngritëm. Me filxhanët e kafesë në duar erdhëm vërdallë nëpër korridore. Pastaj u ulëm. Më dukej sikur ishim personazhë të një teatri absurd.

Debatin e nisi drejtori i revistës “Limes”. Në fillim tregoi hartën e ndarë të Kosovës. Tha se ishte hartuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë. Kishte marrë edhe miratimin e disa opozitarëve me emër. Kuptohet nënë zë, në tavolina në dhoma të mbështjella nga errësira. Sipas drejtorit harta ishte një “sekret” i nxjerrë nga Serbia…Nisën të lëvizin karriget. I pari foli një nga deputetët e Kosovës. Foli frëngjisht. Prerë. Me doza arrogance:

 

Kosova Republikë!

-Kjo hartë është pjellë e Millosheviçit. Janë marifetet e tij. Por ne i themi Millosheviçit: boll është ndarë Shqipëria në shekuj! Sot nuk do të lejojmë një ndarje të Kosovës. Kush mendon ndryshe, luan me zjarrin. Për ne ka një rrugë: Kosova të bëhet Republikë!

Një nga profesorët serbë shtypi butonin e mikrofonit: “Zotërinj të nderuar! Duhet ta dini se Kosova është djepi i Serbisë! Kosova është toka e premtuar për serbët, ashtu siç është Palestina për hebrenjtë!”. Deputeti tjetër i Kosovës, duke u ngritur në këmbë: “Këto janë përralla nga e kaluara. Çdo copë tokë e Kosovës është vatër shqiptare!”. Drejtori i revistës u drejtua nga unë: “Cili është mendimi juaj, Zoti Çela, si përfaqësues i Presidentit Berisha?”.

Unë:- Në radhë të parë unë nuk kam mandat të flas as në emër të Presidentit e as të Parlamentit, edhe pse jam deputet. Sipas bisedës me zotin Palia, kam ardhur këtu me mandatin e vëzhguesit, të gazetarit. Personalisht jam partizan i Kosovës Republikë. Që të mbijetojë një republikë, ka nevojë të jetë një e tërë: me fushat për bujqësinë dhe minierat për zhvillimin e ekonomisë. Po i hoqe Kosovës veriun e pasur me miniera, do të thotë ta futësh vendin në varfëri!

Një gazetar: – Nuk më befason ideja juaj! Presidenti Berisha dhe qeveria shqiptare janë kundra çdo dialogu…

Unë: – Nuk është e saktë. Shqipëria sot është anëtare e Këshillit të Evropës – shenjë e parë që ka pranuar dialogun. Ka marrëdhënie diplomatike me Bashkimin e Evropës dhe me çdo shtet Evropian, duke përfshirë dhe Jugosllavinë. Një vit më parë Tiranën e vizitoi ish-kryeministri i Jugosllavisë, serbo-amerikani Paniç. Si mendoni ju i nderuari gazetar: Paniç bëri viaxho në Tiranë apo bisedoi me kryeministrin Meksi! Sigurisht që bisedoi. Idetë e tij, si qytetar amerikan, ishin për një zhvillim ekonomik të rajonit. (Ndoshta skicë ideja e parë e Paktit të Stabilitetit për Ballkanin e vitit 1999.) Vetëm një Ballkan i zhvilluar nga ana ekonomike, i tha ai Kryeministrit Meksi, mund t’i bëjë fre nacionalizmit! (Dy muaj pas vizitës në Tiranë, Millosheviçi e shkarkoi kryeministrin e importuar nga SHBA-ja!).

Rreth tavolinës tensioni po arrinte në shkallë kritike. Një kafe intermexo nuk i qetësoi gjakrat. Nga çasti në çast pritesh furtuna…Por furtunë nuk pati. Prifti-diplomat tha një frazë gjithë lezet: “Sikur ta mbyllim debatin për sot? Edhe problemet dolën edhe ju u ka lodhur rruga. Një vizitë në kishën ku unë jap mesha dhe një vizitë në Vatikan do të ishte si një “aperitiv” për debatin e ditës së dytë”.

 

Profesori serb

Darkën e hëngrën në një restorant luksoz në “Piaca di Gezu”. Ishin rezervuar katër tavolina. “Regjisori” kishte bërë shpërndarjen e “aktorëve”. Unë në një krah kisha Viçenco Palian. Në tjetrin një gazetar francez. Përballë një nga profesorët serbë. Francezi pyeti për mënyrën e jetesës në Beograd. Jugosllavia ishte përfshirë nga lufta. Sllovenia kishte fituar pavarësinë e para. Pas saj edhe Kroacia. Bosnja po shkonte me hapa vigane drejt një lufte nga më makabret e shekullit XX.

Profesori serb:- Jeta në Beograd është e vështirë. Bllokada e armiqve të Jugosllavisë ka krijuar pengesa serioze në furnizimin me artikuj ushqimorë dhe sidomos me naftë. Por morali i popullit është i lartë. Perëndimi i bën llogaritë gabim. Mendojnë se mund të gjunjëzojnë popullin serb?! Ne jemi të përgatitur për të bërë një luftë 20-vjeçare! Mos harroni edhe një fakt: populli serb e ka në gjen instinktin e vetëmbrojtjes, d.m.th. të luftës kundër armiqve shekullorë që e rrethojnë…Në radhë të parë gjermanët. Në radhë të dytë…( I mbeti fjala “kobure” kur kryqëzoi vështrimin me mua).

Gazetari francez:- Vështirë që një shtet si Serbia, t’i bëjë ballë një bote të tërë?

Profesori serb:- Jo e gjithë bota është antiserbe! Mos harroni se në krahun tonë është Rusia- një supershtet sllav. Ukraina dhe Bjellorusia. (Në kohën kur nisi konflikti i NATO-s me Jugosllavinë, parlamenti i Bjellorusisë ratifikoi marrëveshjen për bashkimin me Serbinë!?) Pa folur që populli serb ka miqësinë me Kinën e Madhe Popullore dhe sidomos me popullit grek, miqësi që ka në themele fenë e përbashkët ortodokse.

Viçenco Palia:- Rusia e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm! Bota realisht ka një superfuqi…

 

Nga Kushtetuta e Titos te Parlamenti i Kosovës

Dita e dytë na gjeti përsëri rreth tavolinës rotondo. Ne të tre- dy deputetët e Kosovës dhe unë- e kishim bërë besa-besë: nëse do të niste përsëri biseda për copëtimin e Kosovës, do të niseshim drejt aeroportit “Leonardo da Vinçi”. Por prifti-diplomat sikur i kishte “blerë” mendimet tona. Biseda u përqendrua në një tjetër problem: Liritë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. I pari nisi të thurë muhabetin një nga gazetarët italianë, që bënte pjesë në stafin e revistës:

-Në vitin 1989, Milosheviçi bëri shumë hapa prapa në krahasim me Kushtetutën e Titos të vitit 1974…

-Me një gjuhë të tillë mund të flasë vetëm një njeri që nuk e ka lexuar Kushtetutën e Re të Jugosllavisë,- dha hazërxhevap një nga profesorët serbë! Kushtetuta jonë është më modernia në botë…

-Ne nuk e njohim Kushtetutën e Millosheviçit, – tha deputeti nga Kosova.- Populli ynë ka tani Parlamentin me deputetët e zgjedhur…

Viçenco Palia:- Këto janë gjëra të njohura! Por në fakt në Kosovë nuk ka shkolla shqip-kur ato ishin të hapura sipas Kushtetutës së Titos. Deri dje kishte një Universitet në Prishtinë, që sot ka mbyllur dyert. Kishit gazeta, revista, televizionin që fliste vetëm shqip. Sot ato “këndojnë” vetëm serbisht. A nuk do të ishte më mirë që në fillim të rikthehej Kushtetuta e Titos dhe pastaj të shkohej më tej?

-Nga Millosheviçi,- tha deputeti kosovar,- ne mund të presim gjenocid. Kurrë kulturë, të drejta e liri…

 

Libri serb që prishi debatin

Ndërkohë mbi tavolinë “mbiu” një libër. I shkruar anglisht. Drejtori i revistës prezantoi autorin: ishte një nga profesorët serbë! Hapëm kopetinën. Në faqen e parë ishte shkruar me germa kursive: “Kosova është djepi i Serbisë!”. Automatikisht të tre u ngritëm në këmbë! Thamë njëzëri: “Ne po ikim!”

Morëm çantat dhe u larguam nga tavolina. Ndërkohë të gjithë ishin ngritur në këmbë. Në fillim qëndruam të tre së bashku. Më vonë mes nesh erdhën dy-tre gazetarë. Në një cep tjetër qëndronin serbët. Edhe ata të rrethuar nga organizatorët e debatit. Ndërsa Viçenco Palia kalonte sa nga njëri grup në tjetrin. Pas disa ecejakeve, gjithmonë me buzën në gaz, me humor dhe duke shtrënguar duart në shenjë vëllazërie ai tha:

-Sikur ta mbyllim takimin e ditës së dytë? (Takimi “zyrtarisht” ishte mbyllur nga libri i profesorit serb).

 

Shtegtimi i Rugovës në Beograd!

Ditën e tretë nuk u grumbulluam rreth tavolinës rotondo. Bisedat bëheshin në korridor, në sallon a në dhoma të veçanta. Parafytyroni një kënd të mbingarkuar me orendi antike: Musendra, piktura, tapetë, divane. Në një skaj zura vend unë. Përballë kisha Viçenco Palian. Biseda nisi me disa pyetje për Berishën, për reformat në ekonomi. Pastaj “gjuha vajti tek dhimbte dhëmbi”:

-Para disa kohësh në Romë ishte Rugova,- tha mosinjor Palia.- Ju bë një pritje jashtë protokolleve. U trajtua si President i një vendi. Rugova është diplomat i klasit të parë. Jo më kot e quajnë Gandi i Ballkanit. Si thua ti Mitro:” Ndikon Berisha tek Rugova?”.

-Fjala “ndikon” nuk është e përshtatshme. Berisha dhe Rugova janë miq. Duke qenë edhe politikanë të rangut të lartë, ndikohen nga njëri-tjetri për problemet kombëtare.

-Sikur të flasim më konkretisht?- ndërhyri Palia.-Ka një plan që po thuret në kancelaritë evropiane. Zanafillën e ka në Romë: Në një ditë të ardhshme duam që Rugova të shkojë në Beograd. Atje të bisedojë me Millosheviçin një plan për hapjen e shkollave shqip në Kosovë. Nuk është normale që në këtë fund shekulli, fëmijët kosovarë të mësojnë shtëpi më shtëpi si në mesjetë. Mund të ndikojë edhe Berisha për realizimin e këtij misioni të Rugovës në Beograd?

-Vështirë që Berisha të bëhet “ortak” në këtë plan. Me sa di unë, për mentalitetin e Berishës, Millosheviçi është kasap i Ballkanit…

…Disa muaj më vonë, Rugova u takua me Milosheviçin. Midis tyre u firmos një plan për hapjen shkollave shqipe në Kosovë. Por ky plan mbeti në letër dhe nuk kishte si të mos mbeste në letër: Millosheviçi, njeriu i luftës kurrë nuk mund të kthehej në njeri të paqes…

 

Politikë flu…

Ishte prill i vitit 1996. Ditë të bukura pranvere, të mbarsura me ethet e zgjedhjeve parlamentare. Pikërisht në këtë kohë, një delegacion i PD-së la Rinasin dhe mbërriti në Romë. Anëtar të delegacionit ishin Tritani Shehu-një dhe unë dy.

Sipas zakonit, në fillim takuam të djathtët. E nisëm me Butilionen. Vazhduam me Kasinin, por pa i thënë që takuam Butilionen: midis tyre kishte mëri, për trashëgiminë e partisë demokristiane! Mos u habisni, të nderuar lexues! Mëria nuk është vetëm virtyt i politikanëve shqiptarë!

Punë e tyre, tha Tritani, i thekur me jetën politike ndërkombëtare. Pas takimit me Finin, hëngrëm një drekë pune me Andreatën, në takimin tonë i djathtë, por pas fitores së “Polit të Ullirit”, mori portofolin e ministrit të Mbrojtjes në qeverinë socialiste të Romano Prodit. Në vend të Berluskonit, që ishte në Milano për punën e fushatës elektorale, takuam një takëm politikanësh të Forca Italies. Në mitingje nuk morëm pjesë, jo se nuk deshëm, por nuk na ftuan.

Pasi “luajtëm” në skenat e djathta, duke ruajtur parimet e partisë sonë të mos ndërhyrjes në punët e brendshme të politikës italiane dhe asaj botërore, që na dëgjon me gojë hapur, u ngjitëm në të mëngjër të politikës.

Na priti vetë Fassino, numri dy i të mëngjrës italiane. Zumë vend në zyrën e tij. Pasi biseduam kodra pas bregut, dolëm në shtegun që kërkonte Fassino:

-Jam dakord që Nano i takon gardës së vjetër. Por nuk mund të themi këtë për Ilir Metën. Ka qenë së bashku me ju në Lëvizjen e Dhjetorit. Bile është dekoruar nga vetë Presidenti Berisha. I ri, d.m.th., pa komplekse. Ekonomist, flet anglisht dhe italisht, serioz për moshën. A nuk mund të jetë lideri i ardhshëm i Partisë Socialiste?

Më befasoi përshkrimi i Fassinos, të rrahur me vaj e me uthull, për politikanin 26-vjeçar nga Skrapari! Nga ëndërrimet më shkundi zëri i Fassinos:

-Cili është mendimi juaj për zotin Meta!

-Më parë se të jap përgjigje, a mund t’u pyes: nga e njihni zotin Meta?

-Pyetje me vend, po të kemi parasysh moshën. Fillimisht ma kanë prezantuar miqtë e mi nga Austria. Kam parasysh liderët e partisë social-demokrate. Pastaj e kam takuar, nuk më kujtohet në cilin aktivitet partiak…

 

Darkë… ala llozhë masonerie

Ditën e fundit na shtruan një darkë. Një tavolinë. Rreth 15 persona qëndronin ulur. Unë njihja vetëm Forestin, ambasador i Italisë në Shqipëri në vitet 1993-97-të. Më thotë Tritani: “I sheh këto fytyra? Duken njerëz të zakonshëm. Pa shumë poste e grada. Por jo rrallë këta “gatuajnë” fatet e Shqipërisë!”.

Dhe Tritani kishte të drejtë. Në atë darkë, p.sh., u vendos se kush do të ishte, kryeredaktori dhe zëvendësi i tij në gazetën “Shqiptare”. ( Kur u ktheva në Tiranë, lajmin ia thashë unë Kryeredaktorit të ardhshëm të gazetës. Më dëgjoi me sy hapur?! Normale…).

Në krahun tim qëndronte një burrë i gjatë.

-Jam këshilltar i kryeministrit,- më tha. – Ju jeni Mitro Çela? Ju njoh mirë. Dikur kam qenë këshilltar i Zakarisë, njeriut të plotfuqishëm kur ishte kryeministër Andreoti. Kur u krijua Qeveria Teknike e Vilson Ahmetaj, ishit edhe ju, Signor Çela, kandidat për kryeministër. Unë erdha në Tiranë. Prisja në hotel “Dajti”. Një djalë i ri, mik i Vinçenco Palias erdhi në shtëpinë tuaj. Natën vonë. Morët mesazhin tonë, por nuk pranuat asnjë post… (Deri në atë çast unë dija vetëm mesazhin. Asgjë për autorët e tij.) Pastaj ju drejtua Forestit:

-Po të sulmon shumë shtypi i Tiranës, për një bisedë telefonike më Kryetarin e PD-së zotin Tritan Shehu, të regjistruar në kasetë! Por mos e bën qejfin qeder! Ata djemtë që shkruajnë, i kanë buzët me qumësht. Kur të fshijnë buzët do të bëhen këshilltarë dhe ministra… do ta lëpijnë atë që kanë shkruar. Por nejse… Ti çfarë parapëlqen? Ambasador në Kanada apo do të shkosh në Bruksel për problemet e NATO-s… Nuk je ti peshë e lehtë, si ish-Ambasadori i Shqipërisë Kardili, që përfundoi në Afrikë…Ha…Ha…

(Pas disa kohësh Foresti la Tiranën për Brukselin! Ndërsa Kardili la fenë katolike dhe përqafoi fenë myslimane! Ende nuk ka njoftime për synetllëkun!).

… Aty u fol edhe për Kosovën dhe sidomos për Rugovën. Dikush tha: “Ka të drejtë Don Viçenco Palia kur thotë se ai është Gandi i Ballkanit! I lumtë! U takua edhe më Millosheviçin për problemet e shkollës shqipe! Politikan i urtë! Do të ketë të ardhme…”. Nuk e di pse, por kjo darkë më kujtonte një lozhë masonerie… Nga ato lozha që përshkruan Leon Tolstoi në romanin “Lufta dhe Paqja”. ( Fjala e Pjerit në Lozhën e Shën Petërburgut).

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas