Kryesore, Mapo Letrare

Projekti për kujtesën, misioni i Institutit Europian Pashko për të njohur të shkuarën

“Zëra nga errësira”, gazetarja Eni Vasili sjell në një libër 7 dëshmi tronditëse të personazheve që jetuan tmerrin komunist. Klara Merlika, Simon Miraka, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Gjon Rrethi, Eugjen Merlika sjellin dëshminë e një kohe që nuk duhet harruar… Libri pjesë e misionit të UET PRESS e Institutit Europian Pashko për të kontribuar në njohjen e kujtesës…

Gati 30 vjet nga rënia e komunizmit, përballja me të shkuarën ka qenë një ndër aktet e vonuara të shoqërisë shqiptare. Debatet mbi hapjen e dosjeve të komunizmit, apo publikimi i dokumenteve mbi atë periudhë është shoqëruar shpesh me debate por që ende nuk kanë sjellë një qëndrim të qartë moral të shoqërisë sonë ndaj komunizmit.



Që me krijimin e tij Instituti Europian Pashko është angazhuar në një projekt që synon njohjen e së shkuarës komuniste, duke e parë këtë si një proces të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare. Për gati një dekadë UET PRESS, pjesë e Institutit Europian Pashko, ka kontribuar me botime të dëshmive të atyre që e jetuan komunizmin, libra historik mbi këtë periudhë apo kujtime, që sot përbëjnë ndoshta kolanën më të plotë në tregun e botimeve shqip mbi atë periudhë.

Emra të njohur të mendimit, personazheve që i jetuan burgjet komuniste i kanë besuar rrëfimet e tyre UET PRESS, duke zgjuar përmes tyre debate dhe analiza mbi mënyrën sesi duhet ta shohim të shkuarën, por shpesh dhe duke mbajtur qëndrime apo hedhur ide. Për Henri Çilin, themeluesin e Institutit Europian Pashko, libri i Eni Vasilit “ vjen si një brilant për vetë përmbajtjen dhe kontekstin që ka”.

“Të botosh në mënyrën e një projekti afatgjatë gati 10 vjeçar një numër librash, që janë shkruar mbi komunizmin, mbi 25 tituj dëshmi, dokumente, kujtime, letërsi, refleksione mbi të kaluarën komuniste, për ne ka qenë një lloj misioni, i cili është paksa me kosto. Me kosto se janë tema të ndjeshme e të debatueshme, janë tema të cilat prekin ndjeshmëri të rëndësishme, prekin nervin e shoqërisë shqiptare. Kujtoj debatet që na shoqëruan në botimin e dokumenteve për Ismail Kadarenë apo raste të tjera.

Kur në këtë mision na bashkohen figura të shquara si gazetarja Eni Vasili apo logo të rëndësishme si emisioni ”Studio e hapur”, apo  News 24 ne përforcohemi në këtë mision për ta shndërruar periudhën e komunizmit në një periudhë transparente, të njohur të studiuar, të reflektuar. Për dy vjet bëhen gati 30 vjet nga përmbysja e diktaturës në Shqipëri dhe është kohë e mjaftueshme ende e nxehte, por e prekshme mund preket me dorë, ka ardhur koha që në kuadrin e një angazhimi të gjerë që zhvillohet në shoqërinë shqiptare ne të japim kontributin tonë modest”, tha Çili.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas