Kryesore, Universitet

Projekti për Filozofinë Analitike në UET, ja idetë e filozofit Klementin Mile

12 vite nga themelimi, pasi ka kaluar me sukses procese certifikuese dhe akredituese nga agjenci ndërkombëtare, Universiteti Europian i Tiranës, në këtë dekadë të dytë, po riorganizon ofertën e tij akademike, duke kaluar nga një universitet me tri fakultete, në një universitet të madh me karakter universal, duke hapur të tjera fusha studimi si: arkitektura, mjekësia, filozofia, inxhinieritë, artet etj.

Është pikërisht filozofia, që prej vitesh ka marrë një vëmendje të veçantë në Universitetin Europian të Tiranës. Hapja e saj si një degë më vete shënon një moment të rëndësishëm në atë që konsiderohet si dekada e “zgjerimit” dhe zhvillimit për UET. Në kuadrin e politikës së re të bursave për studentët, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet në këtë degë, do të ofrohen edhe bursa studimi.



Përgjatë gjithë këtyre viteve, në këtë universitet janë ndërmarrë iniciativa të shumta, të cilat kanë pasur në qendër promovimin e filozofisë, që nga klubi studentor “Russell”, Anuarët e Filozofisë, Shkolla Kontekstualiste etj. Krahas këtyre strukturave dhe aktiviteteve, Universitetit Europian të Tiranës i shtohet edhe seksioni i Filozofisë Analitike, i cili do të jetë pjesë e departamentit të Shkencave Humane në UET. Një grup pedagogësh që kanë studiuar të paktën në një prej tri cikleve të studimit, Bachelor, Master apo Doktoraturë, për filozofi, i janë bashkangjitur kësaj nisme për ta kthyer Filozofinë Analitike në një bazë studimore për studentët e UET-it.

Lënda e Filozofisë Analitike do të aplikohet në mënyrë universale në Universitetin Europian të Tiranës, duke qenë pjesë e kurrikulave formuese të të gjitha degëve të tij në vitin e parë të studimit, që nga Juridiku e Letërsia te Mjekësia e Arkitektura. Disiplina e Filozofisë Analitike, për shkak të rëndësisë që i jep logjikës dhe arsyetimit, bën që ata të cilët do ta studiojnë, të kenë dobi në formimin e tyre, pavarësisht profesionit që do të kenë në të ardhmen.

Libri i Filozofit anglez Rogert Scruton “Filozofia moderne; nga Aristoteli te Filozofia Analitike”, i përkthyer me parathënie nga Spartak Ngjela, do të jetë edhe teksti bazë, me të cilin do të zhvillohet lënda. Ky libër do të shoqërohet edhe nga një manual filozofie për të gjithë studentët.

Klementin Mile, i cili është pedagog i Filozofisë në Universitetin Europian të Tiranës, njëkohësisht pjesë e kësaj iniciative që ky universitet ndërmerr për krijimin e një seksioni të Filozofisë Analitike, tregon më tepër në lidhje me arsyet se përse UET ka përzgjedhur të bëjë pjesë të kurrikulave të saj, Filozofinë Analitike.

“Filozofia Analitike është trendi kryesor në universitetet më të shquara të Europës dhe botës. Nuk e shohim vetëm në vendet me një traditë të tillë të gjatë të filozofisë analitike, si Britania e Madhe apo SHBA, por e shohim edhe në universitetet franceze apo gjermane, që deri disa dekada më parë kanë qenë më së shumti të fokusuara te Filozofia Kontinentale. Ka mjaft dallime mes filozofisë analitike dhe asaj kontinentale, por një dallim që ka rëndësi që të bëhet është që Filozofia Kontinentale është një lloj filozofie pa argument ose më saktë argumentimi në filozofinë kontinentale ka rol dytësor, më shumë rol ka imagjinata, metaforat ose hedhja e tezave në mënyrë intuitive në një farë sensi. Ndërkohë që në filozofinë analitike rëndësinë parësore e ka argumentimi i tezave që hidhen, qartësia e gjuhës me të cilat ato shprehen, në mënyrë që të shmanget përdorimi i panevojshëm apo i pavend i metaforave që do errësonin gjuhën dhe, sipas filozofëve analitikë, edhe kuptimin”.

Filozofi i UET, Klementin Mile, së fundmi ka publikuar punimin e tij doktoral. Botimi vjen nën titullin, “Kafsha e pabindur e pushtetit”. Një punim, për të cilin autori shprehet se ka filluar të mendojë dhe të punojë që përpara 10 viteve, pa e nisur punimin zyrtarisht.

Për sa i takon studimit, që është edhe teza e tij doktorate, ai shprehet: “Në punimin tim flitet për shtetin e së drejtës, flitet dhe për pushtetin. Ideja është sesi mund të rregullohet pushteti politik, me atë lloj mënyre që të jetë i përshtatshëm për t’u aplikuar në një shtet të së drejtës. Nuk ka edhe aq shumë lidhje siç mund të duket me reformën në drejtësi, për të cilën flitet sot e kësaj dite, sepse kur unë kam filluar ta shkruaj, nuk kishte nisur ende aktivisht kjo çështja e reformës në drejtësi. Ka megjithatë një lidhje indirekte ose inverse me anën e kundërt. Këtu bëhet fjalë jo për të disiplinuar drejtësinë, por për të disiplinuar pushtetin. Dhe përgjigjja që unë jap e ndoshta do ta shikoni të argumentuar më gjerë dhe me evidenca, është që pushteti nuk mund të rregullohet së jashtmi. E njëjta gjë për mua vlen edhe për ligjin, edhe për drejtësinë, nuk mund të rregullohet apo disiplinohet së jashtmi, që do të thotë nga një logjikë e zëmë ekstra ligjore, ashtu siç pushteti nuk mund të rregullohet nga një logjikë ekstra pushtetore”.

Pedagogu i filozofisë, Klementin Mile, shprehet se pasojat e rregullimit të pushtetit së jashtmi janë të dukshme në realitetin e sotëm.

“Pushteti mund të rregullohet dhe drejtësia për analogji mund të rregullohet, nëse nuk arrin ta bëjë dot këtë, thjesht mund të shkatërrojë vetveten. Pushteti mund të shkatërrojë vetveten edhe ligji mund të shkatërrojë vetveten dhe ne po shohim, për mua pa asnjë lloj çudie te reforma në drejtësi, duke qenë se është një lloj rregullimi që po vjen së jashtmi, që kemi ca pasoja të tipit që po mbesim pa gjykatës në gjykata, si ajo e Apelit. Kjo nuk është aspak për t’u habitur, është një pasojë e zakontë kur nuk e lejon sistemi të vetërregullohet ose kur vetë sistemi nuk e ka mundësinë e vetërregullimit pasi ka çeduar shumë dhe për shumë kohë”.

<
>
0667ce3b-8ebf-4a00-881c-55b4f0add662 516f990e-0d5e-4493-aab5-4c22d778fdce
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas