Aktualitet

Privatizimet, AlbPetroli 100% në shitje

Me kapital 100% shtetëror dhe numër aksionesh 10 200 000, kompania AlbPetrol pritet të privatizohet 100%. Formula e privatizimit të kompanisë në fjalë u miratua në dhjetor të vitit të shkuar në parlament vetëm me votat e mazhorancës. Asetet e AlbPetrolit vlerësohen të jenë rreth 420 milionë euro dhe kompania ka një licencë pa afat për shfrytëzimin e disa vendburimeve të naftës. AlbPetrol sh.a ka një fond prej më pak se 1700 pusesh në prodhim. Patos-Marinza shfrytëzohet nga kompanitë “Banker’s Petroleum”, “Sherwood”, “Wek”, “Stream oil” etj. Por, procesi i privatizimit të kompanisë së AlbPetrolit sh.a mendohet të finalizohet me shkarkimin e rreth 2500 punonjësve, nga rreth 3000 të tillë që janë aktualisht. Por për këtë arsye, në projektligjin e shitjes është parashikuar edhe se si do të bëhet trajtimi i punonjësve të shoqërisë ‘AlbPetrol’ pas privatizimit të saj, me të cilët do të bëhen të gjitha marrëveshjet për kontratën kolektive të punës. Ndërsa në ato raste që sigurisht do të ketë reformë strukturore, nga të ardhurat e privatizimit punëtorët do të kenë të sigurt në çdo rast pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës. Në projektligjin e miratuar në parlament është parashikuar që një pjesë e të ardhurave nga privatizimi do të shkojë për punëtorët e larguar nga puna si pasojë e shitjes së kompanisë një kompanie tjetër strategjike. Drejtuesit e AlbPetrolit kanë gati listën me 2500 punonjësit e saj që do të pushohen nga puna, pasi në këtë mënyrë kompania ka më pak detyrime financiare. Pritet që AlbPetrol sh.a të blihet nga një kompani e huaj. Deri tani përveç kompanive nga Europa janë interesuar kompani amerikane dhe nga Amerika Latine.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas