Aktualitet

Presidenti Meta çel sezonin turistik në Skrapar

Presidenti Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti hapjen e sezonit turistik, duke përuruar Panairin e përvitshëm të Produkteve Bio të Skraparit, ku ishin ekspozuar prodhimet e zonës, i shoqëruar nga Kryebashkiaku, Nesim Spahiu dhe autoritet vendore, deputetë të zonës, etj.

Në fjalën e Tij Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që: “Marr pjesë në këtë ceremoni për të çelur sezonin turistik, por njëkohësisht edhe për të festuar 9 Majin, Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores ndaj Fashizimit! Dhe këtë të fundit më mirë se në Skrapar, që është krahina e parë e çliruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, vështirë ta festosh dikur tjetër.”



Është e vështirë të gjesh dhoma në Skrapar për të sjellë miq e të ftuar, dhe kjo është një gjë pozitive ashtu sikurse është edhe një sfidë, sepse rritja e turizmit dhe e vizitorëve kërkon edhe rritjen e kapaciteteve akomoduese. Kërkon edhe përmirësimin e infrastrukturës, por kërkon edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe në mënyrë të veçantë, kërkon edhe ruajtjen e traditave të zonës, të karakteristikave të saj më specifike, të cilat do t’u lënë mbresë vizitorëve vendas apo të huaj.

Ndaj edhe ky Panair i produkteve të zonës është shumë i rëndësishëm dhe mjaft nxitës për zhvillimin e mëtejshëm të të gjithë zonës. Ashtu sikurse turizmi dhe zhvillimi i bujqësisë janë mjaft të ndërlidhur me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht janë një mundësi e shkëlqyer për të gjitha familjet që të përfitojnë përmes punës së tyre.

Kushdo që viziton Skraparin ndihet i impresionuar nga bukuria e zonës, nga traditat e nga mikpritja dhe mezi presin të rikthehen përsëri këtu. Sigurisht që e ardhmja e Skraparit mbështetet fort te turizmi, te bujqësia, te ruajtja e traditave të kësaj zone në të gjitha sferat.

Dua të theksoj besimin se Skrapari shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin, sepse vende të tjera investojnë për të krijuar mjedise artificiale për ‘rafting’, kurse ne i kemi unikale dhe të papërsëritshme edhe në krahasim me vendet më të njohura e më të mëdha. Por nuk është vetëm kaq: turizmi është i gjithanshëm, është edhe kultura, historia, gjithçka që ka të bëjë me traditat dhe veçantitë e një zone të tillë. Mendoj se duhet t’i kushtojmë vëmendje ruajtjes së këtyre karakteristikave të veçanta që e dallojnë Skraparin nga krahinat e tjera të vendit”.

Ndërsa duke folur për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Sot është edhe Dita e Evropës. Me këtë rast besoj se jemi në një moment pozitiv, i cili me punë dhe me më shumë përqendrim mund të finalizohet me një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian gjatë muajit qershor dhe po të punojmë edhe mëmirë të gjithë së bashku do të jemi edhe më të përqendruar te sfidat, me të cilat ndeshet vendi dhe familjet shqiptare. Jam i sigurt se ky vendim mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i tillë duhet të jetë. Kështu që gëzuar 9 Majin! Një sezon të mbarë turistik dhe mbarësi në familjen tuaja!”, – u shpreh Presidenti Meta.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas