Politika

Preç Zogaj numëron dështimet e Ramës: Si përfunduan shpalljet e bujshme si ajo për ‘Fundin e marrëzisë’

Analisti Preç Zogaj, në një shkrim të publikuar sot nga Panorama, merret me historinë jo vetëm të dështimit të operacionit ‘Fundi i marrëzisë’, por edhe të shpërthimit të pikave të basteve në vend, që kanë arritur në një rekord.

Sipas Zogajt, ky ka qenë në përgjithësi fati i qeverisjes së Edi Ramës.



“Një përmbysje si kjo me lojërat e fatit, kur qeveria niset si me turr për t’i dhënë fund dhe e bën më keq, është në përgjithësi fati i shumicës së shpalljeve të bujshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Lista është e gjatë. Kushdo mund ta bëje vetë. Le të kujtojmë kanabisin. Mbyllën Lazaratin si një oaz shumëvjeçar të kanabisit dhe mirë bënë,- autori i këtyre radhëve e ka mbështetur në kohë reale në gazetën “Panorama “ dhe në emisionin “Opinion” atë operacion,- por lejuan e krijuan me strukturat e tyre të malavitës me dhjetëra lazaratë anembanë vendit.

Le të kujtojmë borxhin. Kush nuk i kujton anatemat e Ramës në opozitë kundër borxhit mbi gjashtëdhjetë për qind të qeverisë së mëparshme! Kush nuk i kujton ulërimat për greminën e afërt, talljet dhe ironitë duke cituar Luigj Gurakuqin, premtimet solemne se me të ardhur ne… Sot borxhi është mbi shtatëdhjetë për qind dhe bashkë me borxhin e fshehtë të projektit 1 miliard euro të PPP-ve, do shkojë më shumë. “Fund marrëzisë”, që përfundoi me katërfishimin e saj është një histori emblematike e qeverisë së Ramës, që tërheq me vete e shpjegon shumë të tjera; është antistrofa tallëse e realitet me premtimet në qeverinë që argëtohet e mburret me sloganin e saj real “E them kështu e për propagandë, e bëj krejt ndryshe në realitet”.

Në këtë klimë të mashtrimit në sistem, të informalitetit të lartë dhe mungesës së një projekti të vërtetë të zhvillimit ekonomik, ka ndodhur që lojërat e fatit të mbijnë si kërpudhat pas shiut bashkë me reklamat e tmerrshme të këtij vesi, ku shohim të rinj që kanë rënë në mërzi se nuk dinë si ta kalojnë kohën dhe papritur u buzëqesh fati sepse dikush u tregon kompaninë e basteve ku mund të luajnë, apo, më tmerrshëm akoma, reklama me dentistin që harron pacientin me gojën hapur në karrige sepse i duhet të mbushë një skedinë online dhe deri në perversione mendjesh të prishura, kur gruaja e re në mundimet e lindjes sjell në jetë një dekodër, duke i mbushur me gëzim gjithë të pranishmit! Lakmia për fitime nuk ka cak, as mëshirë për asgjë,” shkruan Zogaj.

“Është një fuqi madhore që vendos; lojërat e fatit janë para së gjithash biznesi i atyre që i katërfishuan, pasi premtuan t’u jepnin fund. Një biznes me vesin, me depresionin e njerëzve, me vështirësitë e qenies njerëzore për të marrë nën kontroll disa shtytje dhe impulse vetëshkatërruese. Ne kemi në krye njerëz që nuk tronditen, por thjesht bëjnë para me gjakftohtësi me këto sëmundje njerëzore. Biznes-ndyrësia vetë, siç do të thoshte de Mestre. Dhe kanë bërë amendamentin e ri për uljen e normës së fitimit nga biznesi i lojërave. E ktheu Presidenti këtë amendament, por shumica e zotit Rama duket e vendosur ta votojë në shtator. Sepse edhe ky amendament do të sjellë rritje, rritje, rritje! Brenda vitit do të kemi pesëfishim e ndoshta edhe gjashtëfishim… të lojërave të fatit!”

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas