Mapo Letrare

Preç Zogaj: Disave prej nesh u mungojnë shekuj civilizim në fytyrë

prec zogajKa poezi edhe në publicistikën e Zogajt. Madje, nëse kërkohet thellë në arsyet se pse ai shkruan sikur ngashënjen kuptimi, duhet gjetur se poezia është zeu i tij i parë. Poetic sense i Zogajt është një cipë e butë mbi hekurin e botës, mbi duraluminin e hi tech-ut dhe mbi retorikën, edhe në gazetari, edhe në politikë, edhe tjetërkund, që i ngjan më shumë një propagande të jetës sesa poezisë së saj. Dritë është fjala e shqipes që e magjeps. Pirdhu, fjala tjetër që e tmerron. Standardin e do, por me më shumë gegnisht në të e sidomos me paskajore. Me dashtë…me dittë…me falë.    

  • Ç’do të thotë për ty të jesh shqiptar?

Të jem çfarë nuk mund të mos jem. Më kujtohet ravigimi i pagjasë i filozofit franko-rumun Emil Cioran, i cili pasi qe vendosur në Paris dhe kishte filluar të shkruante në frëngjisht, i vuri vetes për detyrë të “dilte” nga rumanishtja. U përpoq deri sa vdiq, nuk e di mirë prej çfarë trilli a mallkimi. Kuptohet se nuk ia doli. Rasti na lejon të kuptojmë se përkatësia kombëtare është diçka objektive, por edhe sakrale në njëfarë kuptimi. Do të thotë, të jesh ky që je dhe që nuk varet nga ti.



A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?

Ka. Në të tria fizionomitë që thoni ju. Nuk mund të ndodhte ndryshe, po të mbajmë parasysh faktin se kemi qenë më shpesh të pushtuar sesa të lirë. Sa herë kaloj nëpër mend qindvjeçarët e pushtimit të trojeve ku kanë banuar të parët tanë, mendoj me habi, por edhe me krenari pa dyshim, për ruajtjen e gjuhës shqipe si një prej gjuhëve më të vjetra të botës. Shqipja është një enigmë vërtet e madhe e kësaj bote. Shqipja është vendbanimi i pamposhtur i racës shqiptare. Natyrisht, siç ka huazime dhe barbarizma në gjuhë, ka edhe në fizionominë sociale dhe fizike të njerëzve që banojnë në këtë gjuhë. Kam vënë re, për shembull, se disave prej nesh u mungojnë disa shekuj civilizim në fytyrë.  Mua më duket se kjo mungesë nuk është shenja jonë iliro-pellazgjike.

Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?

Në qoftë se e keni fjalën për vendbanimet e sotme, Shkodra dhe Korça, mendoj unë.

Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?

Dritë. Kjo është fjala që më magjeps gjithnjë. Ne si qenie jemi krijesa drite, jemi dritë e kondensuar. Fjala që nuk e duroj dot është “pjerdhu”.

Gegnishtja apo standardi?

Standardi me elementë të shtuar të gegnishtes. Sidomos me fjalorin e pasur dhe me përdorimin e përditshëm të paskajores. Unë jam duke “e normuar” paskajoren në poezitë e mia të viteve të fundit. Ja një varg nga poezia “E diel”: Me imitue Krishtin është me thellue distancën…

Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?

Shqipëri e bashkuar në BE.

A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?

Jo. Myslimanët shqiptarë janë në shumicë dërrmuese perëndimorë. Edhe po të bëhet aktiv një skenar fantomatik i fuqizimit të Turqisë dhe Polonisë pas pesëdhjetë vjetëve, Shqipëria ndërkohë, falë anëtarësimit në BE, do të jetë në zonën e influencës polake!!!!

A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Jo. Ka patur një shans anglo-amerikan për Shqipërinë, që humbi menjëherë pas çlirimit të vendit nga etja dhe egoja e Enver Hoxhës dhe  bashkëpunëtorëve të tij për të sunduar si pashallarë të kuq në këtë vend.

A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?

Ka, por jo aq e fortë sa është kjo ndarje në Itali, fjala vjen.

Si do e përkufizonit një toskë, e si një geg?

Nuk kam një përcaktim në këtë moment.

A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo, krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?

Po, po shkruhet. Poezia ka përfituar shumë nga liria. Në kompleks, poezia pas viteve nëntëdhjetë është më e mirë se ajo para viteve nëntëdhjetë. Proza gjithashtu ka përfituar nga liria. Prozat e reja të Kadaresë, Agollit, Fatos Kongolit, Rudolf Markut, Besnik Mustafajt, Ylljet Aliçkajt, Bashkim Shehut,  Diana Çulit, Ben Blushit, Bahri Myftarit e mjaft të tjerëve, reflektojnë hapjen e madhe edhe në letërsi.

Përmendni një shqiptar/e që ju frymëzon?

Nga të vdekurit po përmend Marin Barletin, megjithëse e di se do të pendohem që nuk përmenda De Radën. Nga të gjallët, po përmend Petro Zhejin.

Kontesha hungareze Geraldine Apponyi u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve. Duke dhënë e marrë, Shqipëria e Geraldina e kanë plotësuar apo zbehur njëra-tjetrën?

E kanë plotësuar.

Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?

Tirana. E cila, kur u bëra unë tifoz me të, në shkollën tetëvjeçare, rreth vitit 1968, quhej “17 nëntori”.

Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…

Koha që ndau më dysh Jezusi dhe ngjarja që ndan më dysh jetën e një biri të tij… Çfarë kontrasti! Të merren mendtë edhe ta mendosh. Megjithatë, ju doni një përgjigje. Jam në dilemë midis Uollt Uitmanit si poet, që hyri në jetën time si një zot në një mbrëmje vere të vitit 1975, dhe vitit 1990 që ndryshoi kahun e historisë së vendit dhe rrjedhën e jetës sime gjithashtu.  Por seç kam një përshtypje se ekziston një lidhje midis Uitmanit si poet i lirisë dhe vitit 1990, si viti i lirisë shqiptare.

A ekziston një Shqipëri europiane dhe një orientale?

Po, ekziston europiania, orientalja dhe miksimi i tyre.

Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?

I njoh, i sundoj.

Haxhi Qamilin e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. A është ai një gjemb në histori, dhe pse Enver Hoxha u mundua ta paraqiste lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë?

Një aksident i historisë në kohërat e mbushura me injorancë dhe dëshpërim.

Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan. Po ju?

Edhe unë kështu mendoj, është një utopi mizore.

‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?

Premtim romantik.

Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?

Shqiptaria nuk ekziston si fe.

Për këtë diell! Për ideal të Partisë! Për nder të familjes! Për Shqipëri apo, për Zotin?

“Për Zotin”, që në njëfarë mënyre ngjan me “për diellin”, duke qenë se koncepti më i vjetër për Zotin është ai i sferës së ndriçuar, ku çdo pikë është e baraslarguar nga qendra dhe perimetri nuk i duket gjëkundi.

Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?

Nuk është krejt kështu. Njohin edhe duelin. Prita gjithashtu nuk është vetëm shqiptare.

Duket se të gjithë e përdorin Kanunin si strehë: ca për të përligjur një veprim gjakatar e ca për të përkufizuar një impas social që nuk arrijnë ta shpjegojnë. A mund të jemi më pak kanonikë ndaj Kanunit?

Patjetër që po.

Çfarë ju ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?

Nuk më ka ndodhur të bëhem konician në këtë pikë. Unë them, ky vend kështu është. Do vazhdojë të bëhet vetë dhe do vazhdojë të refuzojë të bëhet “me dorë” nga udhëheqësit shelbues.

Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrënqetheni?

Jam indiferent, por respektoj emocionin e vajzës sime, e cila gati sa nuk përlotet duke e deklamuar me tifozerinë kuq e zi.

Kriza e zgjatur ka bërë që në aula të ndryshme të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli atë. A jemi në një botë pa rend shoqëror, por me ndarje të thella klasore?

Liberalizmi, mendoj unë, është e vetmja ideologji që nuk ka dështuar. Falë liberalizmit do të jemi në rendin shoqëror të klasës së mesme, por jo në format e vjetra. Të klasës së mesme popullore, do të thosha.

Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?

Në mister. Por jam në patronatin e Paskalit që kërkonte të pajtonte fenë me shkencën, duke thënë se mohimi, besimi dhe dyshimi i plotë janë njëlloj siç është  vrapi për kalin. Mesazhi i ateistëve është “po nuk pati Zot, gjithçka lejohet”. Është një mesazh krejtësisht logjik, thoshte poeti nobelist çek Milosh, por që e çliron veprimin njerëzor nga nyjet e etikës. E bën të tmerrshëm, me pak fjalë.

Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtrit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. A ka një shpjegim për këtë?

Ka. Fan Noli gjente kohë t’i binte klarinetës, duke qenë kryeministër.  Shqipëria nuk e bën kollaj pushtetin që nuk ngrihet mbi majën e shpatës dhe mbi vulgun.

1913, 1939, 1944, 1997…cilin konsideroni ‘Vit të mbrapshtë’ për shqiptarët?

1913.

Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

Do të mbijetojë, do të përshtatet në botën e re të ndërkomunikimit, do të  ngulet fort në këndin e vet të pazëvendësueshëm të profesionalizmit dhe do t’ia dalë.

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

Kam dashur të pyes Papa Gjon Palin e Dytë, ç’është vdekja. Nuk kam mundur.

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?

Ç’kuptim ka emri që mbaj?

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas