Kryesore, Mapo Letrare

“Politika e sotme të mësojë nga kompromiset e Zogut”

fevzo1Një autograf dhe një foto me gazetarin Blendi Fevziu. Ishte e njëjta skenë e ripërsëritur si një de javu nga një vit më parë, kur i njëjti autor kishte thithur gjithë vëmendjen e lexuesve me librin mbi Enver Hoxhën.

Këtë herë, sërish Fevziu ka goditur me zgjedhjen e tij të zgjuar, një libër për Ahmet Zogun, një personazh për të cilin janë ngritur mite të kundërta, një personazh që në penën e një gazetari të njohur dhe shumë popullor si Fevziu e bën suksesin e sigurt.



Të paktën kështu rezultoi herën e parë (me Hoxhën) dhe kështu po ndodh edhe me librin mbi Zogun, i cili sipas gjasave do të thyejë rekordet e librit mbi diktatorin. 5 mijë kopje të shituara vetëm disa ditë pas daljes në treg, libri mbi Zogun duket se po lufton të thyejë rekordin e 50 mijë kopjeve të shitura të librit mbi Hoxhën.

Po pse është kaq interesant Zogu si personazh?

Autori thotë se ai është një personazh më interesant se Hoxha për disa arsye. “Është më i hershëm, por jo më pak i njohur dhe njëkohësisht më interesant se Enver Hoxha, sepse distanca me kohën ka krijuar një tjetër përqasje ndaj tij dhe e dyta, sepse ka qenë një personazh i anatemuar për shumë gjatë dhe një personazh që nuk ka lënë kujtime të shkruara në vetën e parë, gjë që bënte shpeshherë një lloj miksimi të legjendave urbane të librave të shkruar shpesh nga kundërshtarë ose njerëz të afërt të tij.

Pra dikush e glorifikonte, dikush e anatemonte dhe kjo ka krijuar gjithnjë një situatë ndaj Zogut, i cili ka qenë një personazh i parë shumë nga të huajt, por më pak nga shqiptarët.

Ka rreth 21 libra rreth tij nga autorë të huaj dhe më pak libra nga autorë shqiptarë”, – thotë Fevziu gjatë qëndrimit në stendën e UET-Press.

Ndërsa ka arritur të tërheqë vëmendjen e familjes mbretërore, pasi nipi i Mbretit Zog, Princi Leka së bashku me të fejuarën erdhën të blinin librin e të merrnin dhe autografin e autorit, gazetari Blendi Fevziu u përgjigjet disa pyetjeve mbi arsyet pse Ahmet Zogu po tërheq kaq shumë lexues.

Një gjë që bie në sy në karrierën e tij është fakti se ai kishte një moshë shumë të re kur ngjiti shkallët e politikës nga deputet në president e më pas Mbret…

Është befasuese. Kjo është një nga misteret dhe pashpjegueshmëritë e karrierës së Zogut, i cili ka qenë 17 vjeç në Kuvendin e Pavarësisë. Unë e kam thënë dhe herë të tjera që ai shkon 21 vjeç dhe bëhet kolonel i ushtrisë austro-hungareze, 25 vjeç ministër i Brendshëm, 26 vjeç Kryeministër, 28-29 vjeç President dhe 30 vjeç Mbreti i Shqipërisë. Pra, nga ky këndvështrim është një personazh që e ka kryer karrierën e tij në limitet moshore, ose siç mund të quhet, konturet që nuk e lejojnë një personazh të arrijë disa nivele të caktuara, por në anën tjetër është po ashtu një nga personazhet që dolën nga politika në një moshë shumë të re.

Cila ishte marrëdhënia e tij me kundërshtarët, disa prej tyre u vranë, a i eliminonte ai kundërshtarët e tij?

Ka pasur më shumë një mit mbi ekzekutimin e kundërshtarëve. Zogu ka qenë një personazh që kanë tentuar ta vrasin dhe ka vrarë kundërshtarë të tij politikë. Kundërshtarët kanë dashur ta vrasin, ai ka dashur t’i eliminojë; me disa ka arritur, me disa s’ka arritur. Raporti i Zogut me kundërshtarët është shumë interesant për një arsye të thjeshtë. Ai tentonte t’i joshte dhe t’i blinte, më shumë sesa t’i eliminonte kundërshtarët e tij. Kjo ka qenë filozofia më e fortë politike e Zogut dhe nuk di të them nëse është e mirë apo e keqe.

Po marrëdhënia e tij me miqtë?

Një formë normale politike, nëse e sheh politikën shqiptare, miqtë e dikurshëm bëhen armiq, pastaj kthehen sërish miq… kjo lidhet me zhvillimet politike. Çështja është që miqësia dhe armiqësia të qëndrojnë brenda kontureve të politikës. Kur bëhet fjalë për eliminimin fizik, kemi parasysh se bëhet fjalë për një kulturë 80 vjet më parë, atëherë kjo kthehet në një gjë problematike.

A krijoi Zogu shtet, shtetin e parë shqiptar, siç thuhet?

Është udhëheqësi i parë i shtetit shqiptar, në kuptimin që është i pari politikan që krijoi një unitet territorial të Shqipërisë, pra arriti të unifikojë territoret shqiptare që ishin në atë kohë të ndara në principata e të drejtuara nga bejlerë e bajraktarë lokalë. Ai e ktheu në një shtet nga Vermoshi në Konispol, edhe pse në një shtet me shumë probleme, me shumë defekte.

A ka diçka që politika e sotme mund ta mësojë nga Zogu?

Politika e sotme ka shumë nevoja, por nuk duhet të kthehet pas. Ajo që ishte karakteristikë e Zogut në ditët e para të tij ishte aftësia për të bërë kompromise, gjë që politika e sotme nuk më rezulton që ta ketë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas