Kryesore, Op Ed

Politika amerikane dhe bota shqiptare në Gadishullin Ilirik

Nga Spartak Ngjela

Pyetja që duhet të ngrihet është kjo: pas konsolidimit të pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të federatës shqiptaro-bullgare në Maqedoni, e cila duket se është në proces, a do t’iu drejtohet USA edhe shqiptarëve të Greqisë për t’iu dhënë atyre të gjitha të drejtat e mohuara nga ardhacakët e Mikroazisë dhe të një kishe greke që ka afër 150 vjet që është një detashment ushtarak i ngritur kundër shqiptarëve dhe gjuhës shqipe? Po Vatikani a do t’i ekspozojë të gjitha dokumentet në mënyrë që të rishkruhet historia e shqiptarëve ashtu siç ka qenë, një heroikë antiosmane dhe në mbijetesë nga lufta shfarosëse që kanë dashur t’i bëjnë Arbërisë me asimilim rusët, serbët dhe osmanët? Politika Austro-Hungareze ishte e para ajo që e kapi që, me përjashtim të kroatëve dhe sllovenëve, politika sllave në Ballkanin Perëndimor ishte kryekëput antiperëndimore, sepse drejtohej tërësisht nga Rusia. Por, ishin austriakët dhe gjermanët gjithashtu, që e kapën të parët se vetëm shqiptarët janë faktori vendimtar që Perëndimi të fitonte luftën kundër Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë ishte dhe ndërhyrja amerikane që e mposhti valën më të madhe antishqiptare të traktatit të Londrës për aneksimin tërësor të territoreve të Shqipërisë dhe shuarjen e saj si shtet. Ndërkaq, duhet të themi se e gjithë historia e Gadishullit Ilirik, që nga viti 1100 e deri më sot, ka qenë vazhdimisht një luftë kundër arbërit dhe gjuhës shqipe. Pikërisht këtu, te shqiptarët, është mbështetur sot edhe filozofia amerikane për shkatërrimin e prezencës ruse në këtë zonë. Se pyetja mbetet të jetë kjo: me kë do të jenë pesëmbëdhjetë milionë shqiptarët e Gadishullit Ilirik?



II.
Po cila ka qenë kapja amerikane dhe si ka ecur politika shqiptarë në Ballkanin Perëndimor? Kapja amerikane ka qenë faktori specifik se vetëm bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor mund ta mposhtë egërsinë ruso-serbe në këtë zonë. Dhe, kjo kapje konsiston në faktin se të gjitha shtetet sllave të Ballkanit Perëndimor potencialisht janë të dominuar nga shqiptarët, sepse shqiptarët kanë qenë luftuar në mënyrë çnjerëzore nga serbët dhe, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë shtete sllave që janë ngritur mbi territoret shqiptare dhe me anë të gjenocidit antishqiptar. Çlirimi i shqiptarëve, do të shkatërronte Rusinë në Ballkan – kjo ishte filozofia e re amerikane pas rënies së komunizmit. Dhe ky proces filloi nga Amerika në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës. Pastaj vijoi me Luftën e shqiptarëve në Maqedoni, fitimin e të drejtave nga shqiptarët dhe krijimi i shtetit të ri që do të vendoset brenda kësaj vjeshte. Tani dihet se luftën e UÇK-së në Maqedoni në vitet 2000 – 2001 e ka drejtuar politika amerikane. Së shpejti pritet të dalë edhe republika shqiptare brenda federatës së shtetit të riemëruar maqedon, por procesi është ende në mes të ecurisë së tij, sepse pyetja që duhet të ngrihet është kjo: Po të drejtat e shqiptarëve të persekutuar në Greqi, a do të kërkohen nga USA?

III.
Por ka edhe një sërë pyetjesh që janë edhe më kruciale: A e di USA që në Greqi vetëm arvanitasit dhe çamët janë proamerikanë? A e di USA që nëse shqiptarët do të përkrahen, politika ruse humbet çdo shpresë në Greqi? A e di USA se arvanitasit janë pjesa më e pasur e Greqisë?
A e di USA që çamët ortodoksë që i kanë shpëtuar gjenocidit antishqiptar janë pjesa më e persekutuar në rrafsh botëror? A e di USA që nëse triumfojnë arvanitasit me gjuhën e tyre shqipe në Greqi, Rusia e humbet përfundimisht luftën kundër Amerikës në Ballkanin Perëndimor?
A e di USA që në Greqi nuk ka grekë, por vetëm shqiptarë dhe ardhacakë të Mikroazisë që e quajnë veten grekë? A e di USA që historia e arbërit është e fshehur dhe që greqishtja e vjetër e Sokratit sot shpjegohet vetëm me gjuhën shqipe? A e di USA që Çamëria është Shqipëri dhe shqiptarët nga Janina e deri në Prevezë janë vazhdimësi e shqiptarëve të Shqipërisë? A e ka studiuar USA gjenocidin antishqiptar në Çamëri, e cila është vepër çnjerëzore më e rëndë se holokausti i hebrenjve? Sigurisht që politika amerikane i di të gjitha këto, se tani këto ia ka hedhur në tryezë shkenca historike amerikane. Shqiptarët e Greqisë janë: shqiptarët e vjetër të Akropolit (arvanitasit) dhe shqiptarët e rinj si zgjatim i shtetit shqiptar: territoret nga Janina e deri Prevezë, ku sigurisht që hyn edhe Çamëria. Por, pikërisht te Çamëria e shkatërruar me gjenocid antishqiptar do vijë sot e do të bëhet Thembra e Akilit ku duhet të mbështetet fillimisht politika amerikane, për ta trajtuar realisht njëlloj si çështja e Kosovës edhe çështjen e Çamërisë. Se pastaj, procesi shqiptar ecën vetë. Zotërinj, historia është shkencë dhe historianët e mëdhenj amerikanë dhe britanikë e kanë zbërthyer plotësisht historinë nëntëqind vjeçare antishqiptare në Gadishullin Ilirik.

lV.
Po politika shqiptare në Shqipëri si e sheh këtë fenomen? Shqipëria sot drejtohet jo vetëm nga injorantë të korruptuar, por edhe me politikanë të rangjeve të ulëta dhe me kryeministra që janë të blerë nga Beogradi dhe nga Athina, aneksuesit e mëdhenj të territoreve shqiptare. Reforma në Drejtësi, e formuluar nga Amerika dhe Gjermania do të sjellë likuidimin e të gjithë halldupëve të pavlerë që janë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo tani është një kastë politike që ka jetuar me korrupsion dhe me shitjen e interesit kombëtar. Kurse politika e re shqiptare pa dyshim që do të ecë sipas doktrinës amerikane për bashkimin tërësor të të gjithë botës shqiptare në Gadishullin Ilirik, për të sjellë realisht frymën perëndimore në Ballkanin Perëndimor.

PasPara

3 komente

  1. E vjeter loja ta perdoresh historine, per politike, Hitleri, Musolini, stalini, izrealitet, etj e kane perdorur ku me sukses e ku me pasoja katostrofike. Taku ben mire tja leje historine historianeve, e ai te beje zanatin e tij te juristit, ka pune sa te duash.

  2. …” E verteta te ben te lire…ka thene JEZUSI…” Shqiptaret e bere me “SHENJE”, i frikesohen kesaj te VERTETE…! Keta vdekatare me “SHENJE”, kane 600-vjet te roberuar, dhe ne sherbim te “duvase” se KOLERES TURKO-GREKO-SLLAVE…!

  3. …” E verteta te ben te lire…ka thene JEZUSI…” Shqiptaret e bere me “SHENJE”, i frikesohen kesaj te VERTETE…! Keta vdekatare me “SHENJE”, kane 600-vjet te roberuar, dhe ne sherbim te “duvase” se KOLERES TURKO-GREKO-SLLAVE…!..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas