Arkiva 2

Policia “mësyn” në Shkodër, bllokon makina të blinduara

Lagjet periferike të Shkodrës kanë përjetuar orë “shtetrrethimi policor”. Rezultati i aksionit ka qenë bllokimi i 4 mjeteve të blinduara dhe 20 persona të shoqëruar në komisariat. 6 ngjarjet e fundit kriminale, dhe rreth 16 vrasje të tjera pa autor kanë bërë që policia të ndërmarrë një aksion të gjerë për kapjen e personave në kërkim dhe kontrollin e individëve me precedentë penalë.

Prej mbrëmjes së të martës Shkodra është në shtetrrethim! Forca të shumta të policisë, reparti RENEA, Shqiponjat dhe Ndërhyrja e Shpejtë kanë zbarkuar me urdhër të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, me kontrolle intensive në lagjet ku dyshohet se qëndrojnë persona me precedentë penalë ose në kërkim. Deri pas mesditës së djeshme policia e shtetit konfirmoi bllokimin e 4 automjeteve të blinduara. Ndërkohë forcat e policisë kanë “krehur” zonën e Livadheve, Dobraçin dhe Kirasin, zona që cilësohen problematike në lidhje me rendin publik.



20 të shoqëruar

6 vrasjet pa autor dhe 2 personat e rrëmbyer një javë më parë, janë bilanci i këtyre ditëve në Shkodër, për të cilat policia është vënë në lëvizje, ku burimet saktësojnë se janë shoqëruar në komisariat mbi 20 persona në këto orë ndërsa shoqërimi i personave të dyshuar po vazhdon.

Të gjithë personat e dyshuar dhe ata me precedentë penalë po merren në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokuroria e Shkodrës në bashkëpunim me Krimet e Rënda. Krehja që po ju bëhet zonave në fjalë, është shoqëruar nga autoblindat e policisë dhe snajperë të vendosur në pika të larta, që mbajnë nën kontroll të gjithë territorin.

S’ka detaje të operacionit

Gjithashtu, forcat policore kanë hyrë edhe në disa banesa, por pa dhënë më shumë detaje nëse kanë arritur të gjejnë armë, apo sende të tjera të ndaluara. Detajet e operacionit po mbahen të fshehta dhe pritet që në përmbyllje të dilet me një deklaratë për shtyp nga ana e strukturave që udhëhoqën këto grupe në terren. Mësohet se mbrëmjen e së martës kur nisi aksioni blic, ishte në kryeqendrën e veriut vetë drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu. Zhurma politike dhe akuzat e opozitës duke se nxiten policinë e shtetit të vihej në lëvizje, pasi një operacion i këtyre përmasave kishte vite që nuk shihej në këtë qytet, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura.

Në 10 vitet e fundit Shkodra numëron mbi 20 vrasje të bujshme që ende nuk janë zbuluar dhe dosjet e tyre kanë përfunduar në arkivat e policisë dhe organeve të tjera të drejtësisë, duke i zënë pluhuri i kohës.

Apeli i klerikut

Ndërsa rrugët e Shkodrës ishin blinduar nga forcat speciale, RENEA e FNSH, në shtëpinë e misionareve të Nënë Tereza, u mbajt mesha me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës. Kleriku i Shkodrës, ish-famullitari i këtij qyteti, dom Artur Jaku nuk ka munguar të përcjellë një mesazh të fortë. “Sot nuk kam apel për qeverinë sepse ajo e ka ditën kur do të gjykohet, ditën e votimeve, por sot kam për ata që vrasin. Për hatër të Zotit mos me vrasje, mos me dhunë. Mos të harrojmë se ne mundemi t’i shpëtojmë policisë, gjykatave e shtetit por nuk mund t’i shpëtojmë Zotit. Nëse ne vrasim nuk mund t’i fshihemi Zotit. Nuk mund t’i ikim gjykimit të tij që sheh e vlerëson gjithçka. Ju bëj thirrje, kthehuni nga Zoti sa nuk është vonë”, -tha Jaku.

40 bandat

“Forca e ligjit” e dështuar, ende asnjë kryemafioz i arrestuar

Ende asnjë rezultat në kapjen e ekzekutorëve të veprave kriminale jo vetëm në Shkodër, por edhe në Durrës, Vlorë, Tiranë, Elbasan. Asnjë nga drejtuesit e 40 bandave, të cilat i pranoi edhe vetë ministri Xhafaj nuk janë kapur. Operacioni Forca e Ligjit thuhet se po vijon, por herën e fundit në operacionin “Balerina”, në Shkodër, u kap vetëm pronari i një lokali tallavaje dhe dy prej familjeve të mëdha që kanë marrë formën e organizatave mafioze që vendosin gjoba, zhvatin, vrasin e zhdukin njerëz nuk u prekën. Operacioni forca e ligjit ka nisur në nëntor të vitit të kaluar. Gati një vit më pas, ministri Xhafaj bëri këtë deklaratë në Kuvend. “Gjatë muajve Shtator-Tetor në saje të provave të mbledhura, në saje të punës intensive që kemi bërë gjatë kësaj periudhe, jemi të bindur që do të goditen një pjesë e mirë e këtyre grupeve kriminale”. Kjo deklaratë e shoqëruar me statistika nga koha e PD e më pas nga koha e PS është ndër të rrallat që ka dhënë Xhafaj që kur doli herën e fundit për çështjen e të vëllait. Po përtej deklarimeve situata me rendin publik nuk duket optimale. Thjesht lufta mes bandave, siç po ndodh në Shkodër ku viti u hap me atentate me tritol ku kontrollin edhe në dy lagjet që hyri policia nuk e ka shteti, por padrinot. Në Shkodër parashikohen ndryshime në komandën drejtuese të policisë lokale. Por i njëjti veprim u krye edhe në Elbasan disa muaj më parë. Policia në rrugë me blinda dhe shefat e rinj nuk i dhanë fund pushtetit të krimit të organizuar, një pjesë e të cilit ka lidhje shumë të forta politike.

Korçë

Grabitja e Katedrales, policia zbardh ngjarjen, 2 të arrestuar

Policia e Korçës ka arritur të zbardhë ngjarjen e të hënës, kur u grabit Katedralja e qytetit dhe të vërë në pranga dy prej autorëve. Kështu uniformat blu të Korçës bënë të ditur se janë arrestuar dy shtetas si autorë të dyshuar, të vjedhjes si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër si bashkëpunëtor i tyre. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve Joan Cigare, 23 vjeç,(i dënuar më parë për “Vjedhje”) dhe Genci Arifi, 42 vjeç, banues në Korçë. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi 26-vjeçar A.N., që ka qenë pjesë e grabitjes së Katedrales “Ringjallja e Krishtit”, në qytetin e Korçës, ku thyen arkën e dhurimeve dhe morën paratë.

Itali

Sherr mes shqiptarëve, ndërron jetë babai i dy fëmijëve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Chiari të Italisë, ku një shqiptar 32 vjeç ka mbetur i vdekur pas një përplasjeje fizike me një tjetër shtetas shqiptar. Policia italiane ka bërë të ditur se viktima është identifikuar si shtetasi Arben Kola, baba i dy fëmijëve. Ende janë të paqarta rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, por nga të dhënat e para dyshohet se 32-vjeçarit i ka rënë koka në trotuar, ndërsa më pas është transportuar me shpejtësi për në spital, por mëngjesin e sotëm fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Policia ka vënë në pranga 26-vjeçarin tjetër shqiptar, i cili dyshohet si autor i kësaj ngjarjeje dhe me marrjen e tij në pyetje pritet të zbulohet më shumë në lidhje me ngjarjen./Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas