Mapo Format, Mapo Letrare

Poezi, fenomenologji, shqip

Poezia është fjala më e largët e mendjes që ka pjesë në shpirtin më të afërt të njeriut. Ajo trajton, rimon ose thyhet, për të identifikuar thellësinë me sipërfaqen, ku ndodh perceptimi në mendim. Vështirësia e perceptimit të kulluar është e ngjashme me vështirësinë e çdo komunikimi: fjala është krijuar për të determinuar një gjendje. Por ajo vetë është një shenjë e një rrethane paraprake, të determinuar më parë në të.

Nga Doc. Mimoza Ahmeti



Poezia është fjala më e largët e mendjes që ka pjesë në shpirtin më të afërt të njeriut. Ajo trajton, rimon ose thyhet, për të identifikuar thellësinë me sipërfaqen, ku ndodh perceptimi në mendim.

Vështirësia e perceptimit të kulluar është e ngjashme me vështirësinë e çdo komunikimi: fjala është krijuar për të determinuar një gjendje. Por ajo vetë është një shenjë e një rrethane paraprake, të determinuar më parë në të. Fjalët në vend që të shënojnë, mbulojnë, kështu. Një rrethanë i bie përsipër një tjetre, duke e zëvendësuar atë me një fjalë, pra me një rrethanë të gatshme të fjaluar.

Është kjo rutineri që i bën edhe poetët më të famshëm, monotonë për shpirtin e lexuesit rebel të kultivuar me lirinë e vëzhgimeve të holla.

Nga ana tjetër, kultura krijon një linkazh intelektual. Vazhdojnë konceptet e njëjta të lakohen, stërhollohen, ripërjetohen. Koncepti është një marrëdhënie me një tendencë përjetësie, që në fillim të entuziazmon kur e zbulon, pastaj bëhet i padurueshëm.

Ikja nga bota e kuptimeve është një arrati po aq akute, e njeriut, ngadonjëherë ndoshta edhe më shumë sesa nga tërmetet a kataklizmat natyrore që, larg qoftë, i bien.

Përse e bëj këtë parantezë? Isha e lodhur sot dhe mendova se poezia konvencionale, pra ajo e botuar, nuk më tërheq më. Të paktën, jo sot, jo tani, jo këtë çast. Por duhet të dorëzoj një artikull…

Atëherë hyra on line për të gjetur identitete poetike të panjohura. Nuk u zhgënjeva. Asnjë letërsi nuk mund të më shkaktojë kënaqësinë që më krijon poezia fenomenologjike…shqipe.

Poezia është shumë e gjerë, thoshte dikur, Alfred Uçi, profesori im madhështor, i estetikës…

Mamaja ime këndonte duke larë rroba, kjo ishte tepër poetike për senset e mia… Por sot nuk po flas për pafundësinë e shtrirjes së saj nëpër jetë, të poezisë…Por për disa poetë të pabotuar, që jetojnë ashtu të pashfaqshëm, me poezi për shokë, ose krejt për vete…

Sa poetë kam takuar në jetën time që shkruajnë dhe nuk botojnë…plot!

Disa i kam lexuar, por disave u thosha rreptësisht- Jo: “nëse poezitë e tua nuk i ka lexuar njeri, nuk mundem t´i lexoj. Nuk mund të jem vetja jote e dytë, fill pas teje. Vetja e satë jam në leximin e një poeti? Kavafis, për shembull, më korrupton gjithmonë. Edhe nëse sot mund të jenë bërë një miliard lexues, mua më duket sikur jam vetja e parë pas tij që i lexon ato poezitë. Ndoshta jam vetja edhe para tij, nëse i ndjej. I ndjej…, përderisa ai ka vdekur. Asnjë njeri nuk vdes përpara ndijimit të tij…

Më duket sikur jam tërhequr në një mashtrim të pafundëm me artin…por ky nuk është momenti i duhur për të definuar raportin tim me të…Do të kthehem te fenomeni i poezisë së pabotuar, shqip, te disa zëra që kanë hedhur vargjet e tyre on line, thjesht me një emër, disa emra pa foto, pa biografi, pa vendlindje apo vendndodhje…

Impresive poezitë e një djaloshi me emrin Adrian Llanaj, për të cilin nuk di asgjë më shumë, gjetur on line te një faqe për poetë të rinj, rreth të cilëve kërkohet nga botuesi i faqes, ndonjë informacion apo qoftë edhe foto.

– Adrian Llanaj

Ëndrrat janë mushka të hazdisura

Ëndrrat janë mushka të hazdisura,
që të qëllojnë me shqelm, janë dhe të bukura,
mbrëmjes ato dalin në kullotë, kur yjet
shndrijn´ lart në qiell e hëna shënon e plotë.

Aty rrotull hënës kullosin, larg nuk shkojnë dot
këmbët e para penguar i kanë,
ja pse i shohim sikur vrapojnë-vrapojnë
e kurrë s’mbërrijnë dot. 

Na lodhin gjumit të thellë, 
na çojnë deri përposh-
rrugëve që kurrë s´do t´i shëtisim,
u biem kryq e tërthor.

Ëndrrat janë mushka të hazdisura:
Pa fe, pa kalorës, të pa hypura janë,
në shtrat me shpirtin lozin veç me përqafime-
kokrra nga pema magjike, sdo të bien as këtë natë.

Bletë që s’vijnë më

Kaq shumë mendje 
që s’thonë asgjë 
për të njëjtën gjë… 
Kaq shumë mendje 
që do të jepnin gjithçka 
për të thënë asgjë… 
Kaq shumë mendje 
që jetës i shkojnë nëpër-të… 
Koshere bletësh 
që ikin e s’vijnë më.

Cikli i jetës

Vijmë në këtë Botë 
për të soditur një copë herë 
gjithçka pamë, shijuam- 
ngelen veç kujtime 
Të shkrirë pa lënë gjurmë, 
yjeve të bërë erë… 
Ne s’do të jemi më 
kur të vijnë të tjerë.

Maskarenjtë e vendit tim

Pse, 
pse njeriut të ndershëm 
i lexohen mendimet dhe maskarait, jo… 
A ke parë, a ke lexuar diku apo marrë një përgjigje…? 
Po për maskarenjtë që tentojnë kundrejt rrjedhës, 
dhe që iu qesh fati në vela.. Ke dëgjuar­­­­…? 

Mblidhe mëndjen, o qenie e anës së mirë… 
Ata do të jenë aty.. 
Pjesa ndryshe në jetët tona, përgjithmonë… 
deri sa te ketë njerëz, 
deri sa hëna të rrijë pa mbjellë, 
deri sa koha e denjë, një brez të ri të vjellë…

 
Ç’ngelet at´here? Ah po, poezia! 
T´i gjuajmë me llastiqe! 
Poezia, thjesht ndërton mbikalime, 
pa e tharë dot këtë kanal, 
këtë kënetë me ujëra të ndenjura. 
ku malaria rikthehet çdo sezon, kur vijnë dallendyshet…

Njerëz që ua hedhin fajin yjeve

Njerëz 
që bazohen te krenaria për të mundur dallgët 
pelivanë të rregullt të madhështisë 

Njerëz 
që s’kanë kënde as forma brenda shpirtit- 
qënie kohore të rrumbullakta 

Njerëz 
që s´e kanë problem t’i quash krriç-gomari 
kujtojnë se do rrinë gjithmonë të vegjël.

Njerëz që ua hedhin fajin yjeve.

Tej kësaj bote

Të mund të shkohej tej kësaj bote 
të shihnim aty se çmund të jetë: 
në jemi uqër që në nisje 
apo është koha që na pjek?

Po vidhet kungulli

Ka ardhur një kohë 
që vjedhja e ideve, 
të hyjë në shkolla 
si lëndë mësimore. 

Ka ardhur një kohë, 
ku vjedhja e ideve 
shikohet gati-gati 
si dobi 
çliruese. 

E vetmja kënaqësi ajrore 
që ngelet në emrin tënd, 
është se, zbatimi 
në të zezë i saj, 
ndodh vite më pas… 

Ka ardhur një kohë e bukur 
në njerëz kalë-karroce, 
ku ca do kenë ide- 
të tjerët bletë punëtore. 

Erdhi prapë ajo kohë 
koha e begatë, 
ku kungujt 
peshoheshin pa numra 
kur çoheshin në merkatë.

Po çfarë është një model fenomenologjik? Është një model që na përshkruan relacione empirike të fenomenit, brendshëm tij, në një mënyrë që nuk rrjedh nga ndonjë teori, pra, me fjalë të tjera, një model fenomenologjik që nuk buron nga principet e para.

Ky lloj modeli nuk merret me shpjegimin se përse variablat logjikë ndërveprojnë siç veprojnë. Ato vetëm thjesht përshkruajnë vetveten, relacionin, duke tejkaluar ato që janë matur si vlera normale.

Zhgarravinat e Picos

Vepra të mëdha që seç duan të thonë: 
hëna që kafshohet nga një kufomë, 
forma pa jetë me dhëmbët jashtë, 
bishta kuajsh në barkun e një lope, 
duar që mbysin një tullac 

Unë s’do t’i dua kurrë 
zhgarravinat absurde të Picos. 
Ju mund të më dënoni për këtë, 
më quani dhe të pa-udhë. 

A thua vërtet Njerëzit, Koha, Shoqëria 
në pikën më të lartë të ekstazës mendore 
gjejnë vetën në këto vepra gjysmako-gjithkohëshe?! 

Eh ç’kam dëshirë në këtë çast, të jem në një lëndinë. 
Një lëndinë me lule natyre.

Mendimet

Pyeti mendimet që në mëngjes 
se ku do të shkojnë sot për kullotë? 
Atje poshtë rrugicës çoje çelsin- 
do ketë ndonjë që kthehet kot.

(Adrian Llanaj)

Principet e para apo postulatet iu mësuan të tjerëve prej Aristotelit. Për nuancat e versioneve të principeve parësore flet edhe Kanti. Në fizikë ato quhen ab inicio (premisat). Kurse në matematikë ato janë aksioma, pohime që merren pa vërtetim.

Poezia fenomenologjike është më e gjerë edhe pse signifikanca e saj nuk bën sipërfaqe. Pra mbetet e mbuluar (fshehur) nga vlera normë. Por modeli empirik ka përgjithësimin e vet dhe parametrat e tij të rënies mëformë, gjë që e bën atë shumë origjinale. Kjo është arsyeja që gjenitë mësojnë nga amatorët dhe i shijojnë ata. Eshtë njësoj si  të jetosh jetën me shqisën e tjetrit, pasi, duke qënë e pakontaminuar, ajo është më jetë se jeta jote.

“në guackën e përqasjes fenomenologjike është përshkrimi i eksperiencës së gjallë të jetuar të poezisë, dhe prurja e kuptimit te fjalët zbuluar prej experience. Nuk dua ta quaj si metodën e privilegjuar që duhet të përjashtojë të tjerat…megjithatë është ndryshe krejtësisht nga metodat dokmatike të pavlefshme…dhe jo vetëm prej historisë së vet por edhe prej objektit të saj të pazbuluar që përshfaq por edhe për tërësinë e hijeve.

Fenomenologjia e poezisë prin drejt një ontologjie të re dhe kështu përmban bazat e një interpretimi tjetër.

Këngë e padukshme

Sa të njelmëta rrugët e qytetit tim 
putrat e të papunëve kripë e egër i gërryen 
Dredhëzat e qershitë janë larg, 
tepër larg… 
Çudi – edhe pa to 
na rriten e zbukurohen fëmijët… 

Kur bie shi 
Qyteti mbetet edhe pa jargët e kotësisë së vet, 
që ia zbraznin lukthin 
që e gërryente përbrenda. 
Mllefi im i heshtur- 
një përbindësh i padukshëm, 
më i madh se dinosaur. 
Posa teret qyteti. 
rrugëve të kriposura zvarritet 
duke lëpirë kështu fatin tim… 
edhe fatin tënd të shqepur 
ëndërrueshëm të shtrirë nën kësulat gri…

… 
– Agim Deva

Kosovë

Atdheu im i bukur 
me qiell të kthjellët, me diell të zjarrtë, 
Fusha të gjelbëra e lule plot 
venlindja ime e artë … 
sa dëshmorë ranë për tënden liri 
Sa flijime u bënë për gjith këtë bukuri!

– Eriona Kolica

 

 

 

 

 

 

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas