Editorial

Po, Janullatosit për President të Greqisë






               Publikuar në : 07:44 - 04/02/15 |
mapo.al

artur zhejiNga Artur Zheji


Refuzimi zyrtar i Hirësisë së tij, kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare, për të vijuar më tej negociatat drejt rrugës presidenciale në Republikën Greke, uroj dhe shpresoj të mos jetë përfundimtar. Sepse kjo do të ishte një zgjidhje ideale, për një ngërç shumëvjecar për Kishën Shqiptare. Për të kuptuar se sa i rëndësishëm ka qënë dhe është në të vërtetë roli  i Hirësisë së tij, për fqinjin tonë të rëndësishëm jugor, u kuptua dhe u zbardh nga oferta më e fundit e kabinetit të Kryeministrit Tsipras, që e fton Janullatosin, hic më pak, por për të veshur kostumin e pazakontë dhe të shquar, të Presidentit të Republikës Greke, në këtë moment kaq të vështira për atdheun.

Pra, Hirësia e tij, ftohet nga Kryeministri helen, si një përbashkues shpirtëror dhe institucional i të gjithë popullit grek. Padyshim, për vetitë e tija të larta, kulturore, fetare, morale, e pra, si një grek me “G” të madhe, i denjë për të drejtuar presidencën, pikërisht kur Greqia, sinqerisht ka nevojë për bijtë dhe pinjollët e vet më të mirë e më të devotshëm.

Dhe, ashtu si edhe e ka gjykuar me të drejtë kryeministri Tsipras, Hirësia e tij, është jashtë çdo dyshimi një grek i mirë, madje nga më të mirët dhe më të sprovuarit, që plotëson, pse jo,  të gjitha kriteret për të qenë qytetari i parë i Greqisë.

Është karizmatik, i ditur, fetar dhe mbi të gjitha besnikplotë i interesave, të kombit dhe shtetit grek. Padyshim, oferta e Tsipras për Janullatosin, është e qëlluar në disa plane.

Së pari, në sfondin e një patriotizmi sfidues, të shpallur apo të pashpallur ende plotësisht, të Qeverisë së re Greke, radikalizmi i Majtë, i SYRIZA-s, në program, në ngjyra, në reformat ekonomike stataliste apo në ngritjet lart të grushteve përshëndetëse, disi bolshevike, nuk e rrok dot frymën e një popullariteti gjithë përfshirës, për të cilat kryeministri i ri, ka, mesa duket ende nevojë. Për reformat e veta dhe përballjen e shpallur me Bashkimin Europian për cështjen e borxhit kolosal që Greqia detyrohet të shlyejë. Për të sfiduar me sukses kritikat jo të pakta që kanë filluar të breshërojnë andej këtej ndaj programit të tij.

Në mënyrë gjeniale, Tsipras, do të donte në krye të Shtetit, një klerik të lartë, me sprova të qarta patriotike, që simbas tij Hirësia e tij Janullatos i paska, për të thithur simpatinë e kockës së fortë ortodokse të popullit grek dhe për ta pasur kësisoj Presidentin, Janullatosi është zgjedhja e tij e parë, një “Noter Exellent”, që garanton besueshmërinë dhe trasversalitetin gjithë kombëtar, të fizionomisë së pushtetit të ri.

Çështja që shtrohet për ne shqiptarët, që e dinim dhe njëkohësisht ca syresh që bënin sikur nuk e dinin, apo që u interesonte të bënin sikur nuk e dinin, që Hirësia e tij, Kryepeshkopi zyrtar i Kishës Ortodokse Shqiptare, vlerësohet kaq lart nga bashkombasit e tij, për merita që i dimë dhe për merita që nuk i dimë, aq sa ti vendoset në një pjatë të artë, propozimi për President të Republikës Greke.

Sigurisht pra, për vlera dhe shërbime,  në dobi shumë të madhe e shumë të vlerësuar, për popullin dhe shtetin grek. Mirëpo Hirësia e tij, përveç  karrierës universitare dhe fetare dhe kulmit të mbërritur në Shqipëri, si kreu i kontestuar, i Kishës Ortodokse të Fan Nolit dhe Xhuvanit, nuk ka kulme te tjera.

Do të ishte krejt e pazakontë, për një njeri që zyrtarisht nuk ka bërë asnjëherë politikë, dhe që zyrtarisht nuk ka shërbyer kurrë për shtetin e një vendi, të kandidohej në krye të Shtetit. Por ja që Kryeministri Tsipras dhe ata që e këshillojnë atë, mendojnë ndryshe dhe kanë padyshim të drejtat e tyre…

Dhe rezulton pra, se ata, de facto, tanimë edhe de jure, mendojnë se Janullatos, paska bërë politikë në Shqipëri. Dhe unë personalisht, si gazetar dhe si ndjekës i vëmendshëm, prej sëpaku 30 vitesh i politikës në vendin tim,  jam krejtësisht dakort në këtë pikë me Kryeministrin helen.

Pikërisht, po aq sa ka qenë dhe është i papërshtatshëm, për Kishën Shqiptare Ortodokse, nëse besojmë, ashtu si unë dhe ca pak të tjerë që guxojnë të shprehen hapur në media, se ortodoksët në Shqipëri, në shumicë të tyre, janë Shqiptarë.

Duhet të pohoj në këtë rast edhe dyzimet e mia. Jo të gjitha parashtrimet që kam bërë, në lidhje me mospërputhjen problematike të funksionit të tij, në krye të Kishës Shqiptare, një Kishë , që në drejtimin e tij, ka humbur edhe atë pak vlerë autoktone që kish nga historia dhe kultura jonë kishëtare shqiptare,  jo të gjitha parashtrimet e mia pra, më janë dukur plotësisht të provueshme. Sepse në këtë rrumpallën tonë shtetërore, ku janë lejuar çakërqejf e pa vizion, ngritje e kostituime varrezash e monumentesh fetare, me prapavijë të kthjellët e të mirëlexueshme politike, ku kryekomunarë apo qeveritarë me biberon në gojë dhe zarfa të rënda plot evro në xhep, jepnin leje e lehtësira pa hesap, është e vështirë të dekriptosh qartësisht, figurën e plotë të këtij puzzle. Apo të këtij “pushtimi” me monumente kujtese, shpesh kujtesë e rreme.

Por, fatmirësisht, kryeministri grek, pasi i tërhoqi  veshin qeverive të mëparshme të Athinës, për tolerancë të tepruar ndaj Shqipërisë, në lidhje me Marrëveshjen e dështuar të Detit ndërmjet dy vendeve tona, pasi shpalli Linjën e vet të Kuqe, në lidhje me Shqipërinë, deklarata të cilat nuk tërhoqën fare vëmendjen e mediave dhe politikës së Fshatit Tonë, propozon  “Krypeshkopin tonë”, për President të Greqisë.

E pra, vërteton kësisoj me bollëk, shqetësimet e disave prej nesh, që prej vitesh themi se Hirësia e tij, Janullatosi, është një grek i mirë, madje një grek i shkëlqyer sipas zotit Tsipras, por, nënvizojnë ca si ne, jo një Kryepeshkop, nga ata që i duheshin dhe i duhen, një Kishe Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ku e përsëris, besimtarët shqiptarë ortodoksë, janë pjesë dërmuese.

Dhe kryeprovën për këtë mospërputhje, sapo na e ka dhënë orët e fundit, vetë kryeministri Tsipras me propozimin e tij ndaj Janullatosit, për poltronën e e lartë presidenciale të Republikës Greke.

Faleminderit, zoti Kryeministër dhe sukseset më të përzemërta zotit Janullatos.



CLOSE
CLOSE
Pas