Op Ed

Platforma “Shqipëria që duam” ose “vetingu” i administratës publike

Nga Përparim Xhafa

Shkatërrimi i plotë i administratës shtetërore filloi në vitin 2009 me koalicionin qeveritar PD-LSI, kur postet në administratë u ndanë plotësisht sipas parcelave partiake, gjë që vazhdoi me koalicionin qeveritar PS-LSI, dhe pse jo edhe me qeverinë aktuale. Duhet thënë se edhe më herët administrata ishte në fakt në gjendje të keqe, por ky moment qe shkelmi i xhelatit në stolin ku ende i varuri mbante këmbët.



Në gjysmën e dytë të mandatit të parë qeverisës, Kryeministri Rama, inicioi nismën “Stop Korrupsionit”, ku qytetarët kishin mundësi të raportonin për ankesat e tyre apo të denonconin raste korrupsioni në platformën online www.stopkorrupsionit.al, të cilat shqyrtoheshin nga institucioni përkatës, në emër të të cilit ishte drejtuar rasti.

Por platforma aktuale e bashkëqeverisjes me qytetarët “Shqipëria që duam”, e lançuar dhe e promovuar fort muajt e fundit nga Kryeministri Rama, është një risi dhe “e gjithë qeveria është në dispozicion të qytetarit për zgjidhjen e problemit apo të hallit të tij”.

Sipas një raporti të publikuar për nismën “Stop Korrupsionit”, në platformën stopkorrupsionit.al, përgjatë viteve 2015-2017 janë raportuar mbi 11 mijë ankesa të qytetarëve, nga të cilat vetëm 7 mijë ose 64%, e tyre, kanë marrë zgjidhje, ndërkohë vetëm për një periudhë 7-mujore nga momenti i krijimit, në platformën shqiperiaqeduam.al, janë adresuar rreth 10 mijë raste, nga të cilat janë evaduar rreth 9 mijë raste dhe kanë marrë zgjidhje rreth 8 mijë ose 90% të rasteve të adresuara nga qytetarët.

Shifrat e mësipërme, tregojnë qartë si për ekzistencën e korrupsionit dhe të paaftësisë së punonjësve të administratës shtetërore, por edhe për një rritje të besimit të qytetarëve dhe një eficiencë të lartë të platformës aktuale.

E ndërsa për Kryeministrin Rama, platforma e bashkëqeverisjes “Me ty për Shqipërinë që duam”, është “…rruga më e shkurtër dhe më e drejtpërdrejt për të marrë qeverinë në dispozicion, për zgjidhjen e halleve dhe të problemeve të tyre, me zero vonesë dhe me zero ryshfet…”; për shumë politikanë, analistë, gazetarë, akademikë dhe qytetarë të ndryshëm kjo është: “…..pranim i faktit që administrata publike është e korruptuar, e paaftë, e mbushur me militantë partie…”; “…që Departamenti i Administratës publike nuk ka as kapacitetet e as integritetin për të bërë ndershmërisht detyrën…”; .. “që kjo është një lëvizje populiste e Kryeministrit..”; madje shkojnë më tej “..që koordinatorët e bashkëqeverisjes, nuk janë gjë tjetër, përveçse struktura paralele që vijnë nga radhët e Partisë Socialiste, jo për të bashkëqeverisur, por për të kontrolluar punën e Ministrave…” etj. etj.

Pyetja më e shpeshtë është: Po pse me platforma, a ka legjislacion, rregulla, procedura? Pse duhet të investohet personalisht Kryeministri, a ka drejtor, sekretar të përgjithshëm, ministër?

Në fakt me asistencën e ndërkombëtarëve është hartuar një legjislacion i plotë, i standardeve europiane për administratën publike, është krijuar një institucion i veçantë për rekrutimin e nëpunësve civilë (departamenti i administratës publike), janë bërë ndryshime strukturore, janë trajnuar staf pa fund brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Qeveritë, të majta apo të djathta, gjithmonë kanë premtuar për një administratë të aftë, të pakorruptuar dhe në shërbim të qytetarëve, kanë hartuar strategji për reformimin e administratës publike. Në finale, politika ka prodhuar një administratë që vetëm publike nuk mund t’i thuash, një administratë që ka qenë dhe është super e aftë për çdo gjë të jashtëligjshme dhe të pamoralshme, por vetëm në funksion të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve, nuk ka qenë. Megjithëse të gjithë, edhe procedurat, edhe njerëzit paguhen me taksat tona.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjyqtarët dhe prokurorët. Ka ekzistuar dhe ekziston një legjislacion i standardeve europiane. Edhe për to ka patur titullar institucioni që monitoronte dhe mbikëqyrte punën e tyre. Ka patur edhe filtra kontrolli, si: Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili drejtohej nga Presidenti i vendit, e shumë filtra të tjerë, por vitet prodhuan pafund gjyqtarë e prokurorë të korruptuar dhe të paaftë, që vetëm drejtësi nuk jepnin.

Për t’i filtruar dhe për t’i identifikuar këta të korruptuar e të paaftë, filluam vetingun e tyre dhe na u desh të krijonim disa struktura të veçanta (në dukje jashtë normales) si: ONM-ra, KPK-ra etj., ndërkohë që i kishim strukturat përkatëse. Rezultatet nga vetingu erdhën.

Ndërkohë, nëpërmjet ndërveprimit në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, qytetarët janë realisht duke u bërë pjesa më e rëndësishme e procesit të vetingut të administratës publike, që do të thotë rivlerësim të figurës së nëpunësit të administratës publike, me qëllim rritjen e profesionalizmit, luftimin e korrupsionit, frenimin e ndikimit të presionit politik, të ryshfetit dhe të elementëve të tjerë korruptiv në procesin e rekrutimit dhe të mbajtjes në sistem të nëpunësve të padenjë për administratën publike.

Atëherë pse të mos e shohim që edhe platforma shqiperiaqeduam.al, edhe pse në dukje jashtë normales, do të mundësojë, jo vetëm zgjidhjen në kohë rekord të halleve dhe problemeve të qytetarëve, por edhe si një mundësi për të identifikuar punonjësit e korruptuar dhe të paaftë në administratën publike. Gjë që realisht po ndodh.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas