Op Ed

Platforma digjitale “School Me” në shërbim të kurrikulës së re

Nga Prof. asoc. dr. Pëllumb Karameta

Gjatë vitit shkollor 2018/2019, në 30 institucione tona të arsimit bazë (kl. I-IX), do të pilotohet platforma digjitale “School Me”. Ajo është përgatitur si projekt europian, nga specialistë të teknologjive të informacionit, akademikë, mësues, ekspertë britanikë dhe ndërkombëtarë, të formuar në Oxford, Cambridge, University of London. Për nevojat e kurrikulave të reja, që po zbatohen në Shqipëri dhe Kosovë, platforma është zhvilluar nga profesionistë të talentuar shqiptarë dhe evropianë të profileve shkencore, të mbështetur nga një grup mësuesish shqiptarë të përkushtuar dhe me eksperiencë. Ajo drejtohet dhe menaxhohet nga Thames Online Education, një kompani me qendër në Londër. Pilotimi, që konsiderohet investim në shërbim të kurrikulës së reformuar, është miratuar nga MASR-i dhe do të lehtësohet e vlerësohet nga institucionet vartëse të saj. Procesi do të ketë dhe mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.



Platformat digjitale ose online (Facebook-u, p. sh., është një ilustrim), si pajisje teknologjike, integrojnë miliona aplikacione e sensorë. Përdorues të panumërt mund t’i aksesojnë, njëherazi, nga një mori pikash hyrëse, për t’u lidhur, informuar, mbështetur dhe frymëzuar. Për të qenë të dobishme, ato duhet të mbrojnë vlerat themelore të pranuara si: të jenë të besueshme, transparente, të sigurojnë drejtësi, të mos diskriminojnë dhe të nxitin zhvillimet ekonomike e shoqërore, bazuar në të dhëna të sigurta, të besueshme dhe të vlefshme. Ndërveprimi i përdoruesve, grumbullimi dhe përdorimi i të dhënave për qëllime ekonomike, kërkimore, edukative ose argëtuese janë disa nga shërbimet e vyera që ato ofrojnë përmes internetit.

E tillë është dhe platforma digjitale “School Me”, e pilotuar tashmë në disa shkolla të Kosovës me logon “Më mëso mua”. Platforma, me disa përditësime, do të pilotohet vitin e ri shkollor, në sistemin tonë arsimor. Ajo është konceptuar dhe zhvilluar për të ndihmuar përdoruesit e saj (më së pari, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre, ) që zbatojnë kurrikulën e re. Gjithashtu, platforma është e dobishme për zhvillimin kulturor dhe gjuhësor të fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në diasporë, veçanërisht për ndërtimin dhe ushtrimin nga nxënësit të kompetencave kyçe dhe specifike. Në vijim, lexuesit informohen për karakteristikat tipike dhe vlerat e platformës.

Në aspektin e përgjithshëm, ajo jetëson tiparet kyçe të çdo platforme digjitale. Zëvendëson përdorimin e “lapsit dhe të letrës” me “tastierën dhe ekranin”, lehtëson ndërveprimin aktiv të përdoruesve nëpërmjet situatave të posaçme (kuiceve, ushtrimeve, situatave problemore) dhe rrit ndjeshëm sasinë e informacionit të përpunuar në njësinë e kohës. Platforma zgjeron konceptin tradicional për librin e shtypur si burimin kryesor të nxënies, duke përdorur, përveç tij, edhe të burimeve të tjera alternative, në dobi të cilësisë së arritjeve të nxënësve.

Në aspektin konkret, platforma mundëson qasje të përhershme audio dhe video, në të gjithë aspektet kurrikulare. Për çdo klasë, përmbajtjet lëndore respektive dhe renditja e temave, përputhen me kurrikulën zyrtare, në sinkron me kalendarin shkollor. Lëndët e nivelit arsimor 9-vjeçar shpjegohen në shqip nga mësues të regjistruar. Ato shoqërohen me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike etj. Kjo shtjellon, thellon dhe përditëson të gjitha temat mësimore. Platforma u ofron përdoruesve të saj mijëra video, të zhvilluara nga institucione arsimore e shkencore ndërkombëtare, për të thelluar dhe përfshirë në kurrikul dijet e reja dhe metodat bashkëkohore të nxënies. Funksionalitete të platformës janë dhe pyetësorët, mbajtja e shënimeve vetjake, krijimi i teksteve nga çdo përdorues dhe përgatitja e ditarëve nga mësuesit. Këta të fundit, mund të lidhen në forum, për të komunikuar dhe krijuar portofole të ndryshme. Mjafton një lidhje interneti dhe platforma bëhet e disponueshme në të gjitha pajisjet IT: kompjuter, laptop, tabletë, telefon celular, televizor (nëpërmjet kabllos USB ose direkt për TV internet).

School Me” – komenton znj. Iris Gjinovci, Drejtore e menaxhimit të Platformës – shoqëron online, mësimin e zhvilluar në klasë (apo mjedise të tjera të nxëni), me filma, harta, laboratorë, imazhe. Teknologjia 3D, si thuhet tani, bëhet horizonti i ri për nxënësin. Asnjë shkollë në botë nuk mund të krenohet, të themi, se do të demonstro në laboratorët e saj ndërtimin e atomit, ose të ketë në dollap hartat e një kryengritje të vitit 1537, për të materializuar periudhën dhe çështjet e kohës. “School Me” e ofron këtë mundësi. Mjafton një ekran ose projektor i thjeshtë në shkollë, që të shihet eksperimenti, skena, personazhet apo dokumentet historike, relievi, planet, monumentet historike që e bëjnë një ngjarje të prekshme dhe të paharrueshme, apo të perceptohen vizualisht tablotë e piktorëve të mëdhenj që e kanë materializuar atë”.

Kësisoj, platforma mund të përdoret nga mësuesi dhe nxënësi në klasë ose jashtë saj, në shumë mënyra: si mjet për nxënie ndërvepruese ose për vlerësimin e arritjeve të nxënësve apo si bazë materiale (dokumente, harta, eksperimente, laboratorë). Gjithashtu, ajo lejon që nxënësit të mund t’i shikojnë paraprakisht videot në shtëpi, për t’i diskutuar, më pas, në klasë ose mjedise të tjera të nxënies.

Në Kosovë, nga shtatori i vitit 2016, platforma ka filluar të pilotohet në 16 shkolla. Ndërsa, gjatë këtij viti shkollor, atë e kanë përdorur 23 shkolla. Përvoja po tregon se demonstrimi ose komentimi i videos kryesore dhe i videove shtesë, e bëjnë mësimin tërheqës, çka lehtëson ndërtimin nga nxënësit të njohurive dhe të kompetencave (asaj digjitale, veçanërisht). Ata, me ndihmën e platformës, mund të konkretizojnë kuptimet që janë përpjekur të ndërtojnë gjatë nxënies, të përfitojnë nga shtjellimet alternative, nga pyetësorët apo nga trajtimi i situatave problemore që ofrohen, në të gjitha lëndët. Me qenë se, zbatimi i nxënies online, përmes platformës “Më mëso mua”, ishte risi për komunitetin e mësuesve në Kosovë, gjatë vitit të parë të pilotimit, në fokusin e Ministrisë së Arsimit, qenë aftësimi dhe këshillimi i vazhdueshëm i mësuesve dhe drejtorëve, për përdorimin e saj në procesin mësimor. Shkollat e Kosovës, me këtë platformë, po hyjnë me dëshirë dhe mendje të hapur në botën e arsimit audioviziv, që është risia më e fundit në Europë. Rezultatet e deritanishme tregojnë për ndikimin e platformës në rritjen e cilësisë. Kjo, në sajë të kuptimit më të mirë nga nxënësit të përmbajtjeve mësimore të konkretizuara, të lehtësimit të punëve për mësuesit, nxënësit dhe prindërit, të rritjes së veprimtarisë së pavarur të nxënësve në situata të larmishme dhe të kuptueshme, të rritjes së vetëbesimit dhe kureshtjes së nxënësve etj. Përvoja e Kosovës provon se, platforma, si pajisje teknologjike: a) u mundëson nxënësve shndërrimin e dijeve të kodifikuara në tekstet shkollore në njohuri të reja vetjake, përmes veprimeve të tyre në situata të larmishme online të cilave ua kuptojnë domethëniet; b) zhvillon mënyra me të cilat krijohen dhe komunikohen kuptimet sot (imazhet, fjalët e shkruara ose pamjet vizuale, grafikët, tingujt, informacioni digjital ose ai mediatik); lidhjet, ndërveprimet dhe marrëdhëniet mes sistemeve të ndryshme të dijes dhe mënyrave të paraqitjes së njohurive që ndërtohen nga nxënësit; c) respekton dallimet dhe shumëllojshmëritë në procesin e nxënies, duke mënjanuar qasjet uniforme që “i përgatitin të gjithë fëmijët me një kut”. Njëherazi, ajo zhvillon proceset mendore, bazë për trajtimin kompetent të situatave jetësore, jo thjesht operacionet mendore të standardizuara që krijohen nga memorizimi i dijeve lëndore. Me fjalë të tjera, platforma siguron ndërveprimin efikas të nxënësit me situatat tërheqëse (mësimore ose jo) dhe kthen dijet e teksteve shkollore, nga qëllim i nxënies, në mjet për plotësimin e qëllimeve të reja arsimore. “Më mëso mua” po dëshmon se e-learning, tashmë, është realitet në shkollën shqiptare. Njëherazi, ajo u mundëson nxënësve të gëzohen kur zbulojnë dhe ndërtojnë vetë njohuri dhe ushtrojnë kompetencat përmes kërkimit, por dhe të ndjejnë e kuptojnë që nuk ka gjë më të bukur se “një trokitje e lehtë” në njohuritë dhe në përvojat e njerëzve të tjerë, me të cilët ndërveprojnë online. Nëse gjëja më e rëndësishme, që mbart çdo person, është dëshira e tij e lindur për të zbuluar, përmes platformës digjitale kjo dëshirë zhvillohet më tej, duke bërë që ky thesar i veçantë, domethënë, dëshira për të nxënë në mënyrë të pavarur, të mos humbasë. Përkundrazi.

 

Tiranë, më 23. 05. 2018

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas