Op Ed

Plasja e flluskës së Putinit

paul krugmanNga Paul Krugman

Nëse je tipi që i duket mbresëlënëse qëndrimi macho, Vladimir Putini është tipi yt. Një gjë është mjaft e sigurt, konservatorët amerikanë duket se kanë rënë paturpësisht në gjunjët e fodullit të fortë. “Kjo është ajo çfarë e bën dikë”, u shpreh me entuziazëm Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, pasi z. Putin pushtoi Ukrainën pa debat apo lajmërim.



Por z. Putin nuk i ka patur kurrë burimet për ta mbështetur kryelartësinë e tij. Rusia ka një ekonomi të përmasave të njëjta me atë të Brazilit. Dhe, sikurse po e shohim tani, është tejet e cenueshme nga krizat financiare – një cenueshmëri që ka të bëjë shumë me natyrën e regjimit të Putinit.

Për ata që nuk kanë qenë të azhornuar: Rubla ka patur një rënie graduale që prej gushtit, kur Z. Putin i angazhoi hapur trupat ruse në Ukrainë. Gjithsesi, disa javë më parë, luhatja u shndërrua në greminë. Masat ekstreme, duke përfshirë një rritje të ndjeshme të normave të interesit dhe trysnia ndaj kompanive private që të mos kryejnë transaksione me dollarë, nuk ka bërë asgjë më shumë përveçse e ka stabilizuar rublën mjaft larg nivelit të saj të mëparshëm. Në këtë pikë të gjithë treguesit dëshmojnë se Rusia është drejt një recesioni të rëndë.

Shkaku i përafërt i vështirësive të Rusisë, janë sigurisht rënia globale e çmimit të naftës, e cila në vetvete, reflekton faktorë – prodhimi në rritje i naftës nga shkëmbinjtë ranorë, kërkesa në rritje nga Kina dhe nga ekonomitë e tjera –që nuk kanë aspak të bëjnë me Z. Putin. Dhe kjo ka qenë përcaktuese për t’i shkaktuar një dëm serioz një ekonomie që, sikurse thashë, nuk ka asgjë tjetër që t’i duhet botës përveç naftës; sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për sa i takon konfliktit në Ukrainë i janë shtuar dëmit.

Por vështirësitë e Rusisë janë në disproporcion me përmasën e shock-ut: ndërkohë që çmimi i naftës ka rënë me të vërtetë, rubla ka rënë edhe me shumë, dhe dëmi që i është shkaktuar ekonomisë ruse shkon shumë përtej sektorit të naftës. Pse?

Tashmë, nuk është një puzzle — dhe ky është në fakt një film që lidhet me krizën e entuziazmit të parasë që i nënshkruari e ka parë edhe shumë herë të tjera më parë: Argjentina 2002, Indonezia 1998, Meksika 1995, Kili 1982 dhe lista vazhdon. Lloji i krizës me të cilën po përballet Rusia tani është ajo që shfaqet kur i ndodhin gjëra të këqija një ekonomie që është bërë e cenueshme nga huamarrja në shkallë të gjerë jashtë vendit – specifikisht, huamarrja në shkallë të gjerë e sektorit privat, me borxhin e denominuar në valutë të huaj dhe jo në monedhën e vendit debitor.

Në këtë situatë, një shock i ndërsjelltë si rënia e eksporteve mund të nisë hyrjen në një rreth vicioz. Kur paraja kombëtare zhvlerësohet, bilancet e bizneseve vendase — që kanë asete në rubla (ose pesos apo rupiah) por borxhe në dollarë ose euro — rrënohen. Kjo, më tej,i shkakton një dëm edhe më të madh ekonomisë së brendshme, duke minuar besimin dhe duke e futur në depresion edhe më të thellë paranë. Dhe Rusia i përshtatet më së miri rasteve standarde.

Me përjashtim të një gjëje. Zakonisht, mënyra se si përfundon një shtet me një borxh të madh të huaj është kur thellon deficitin tregtar, duke i përdorur fondet e marra hua për importe. Por Rusia nuk e ka thelluar deficitin tregtar. Përkundrazi, ajo ka shënuar surpluse të mëdha tregtare, falë çmimeve të larta të naftës. Kështu që përse ka marrë kaq shumë para hua dhe ku kanë përfunduar ato?

E thjeshtë, pjesës së dytë të pyetjes mund t’i përgjigjemi po të bëjmë një shëtitje përreth Mayfair në Londër, ose në pjesën e epërme të anës lindore të Manhatanit, sidomos gjatë mbrëmjes dhe të shohim rezidencat e shumta luksoze me drita fikur – rezidenca të blera, sipas radhës: nga aristokratë kinezë, sheikë të Lindjes së Mesme dhe oligarkë rusë. Elita ruse ka grumbulluar kryesisht asete jashtë vendit – pronat luksoze janë vetëm shembulli më i dukshëm – dhe pasoja e këtij akumulimi ka qenë rritja e borxhit në vendlindje.

Ku i ka gjetur elita të gjitha këto para’? Përgjigja me siguri është se Rusia e Putinit është një version ekstrem i një kapitalizmi mes shokësh, një kleptokraci e mirëfilltë në të cilën besnikët arrijnë të përvetësojnë shuma të mëdha për përdorim personal. E gjithë kjo duket e qëndrueshme për sa kohë që çmimet e naftës mbeten të larta. Por tani flluska plasi dhe korrupsioni i madh që ka mbështetur regjimin e Putinit ndodhet në shtigje të rrezikshme.

Si do të shkojë puna?Përgjigja standarde për një vend që ndodhet në situatën e Rusisë është ndonjë program i FMN-së që të përfshijë kredi emergjence dhe durimin e kredidhënësve në këmbim të reformave. Me siguri kjo nuk do të ndodhë në këtë rast, dhe Rusia do të përpiqet t’ia dalë sipas mënyrës së vet, duke vendosur ndër të tjera rregulla për të ndaluar largimin e kapitaleve nga vendi – rasti klasik i mbylljes së derës së hanit pasi oligarku është larguar.

E gjithë kjo do të ishte një hap prapa për Z. Putin. Dhe sjellja e tij prej të forti kryeneç ndihmon në përgatitjen e skenës së shkatërrimit. Një regjim më i hapur dhe i përgjegjshëm – që ndoshta nuk do ta kishte mbresuar Z. Giuliani aq shumë – do të kishte qenë më pak i korruptuar, ndoshta do të kishte marrë më pak borxhe dhe do të kishte qenë i pozicionuar më mirë për t’i bërë ballë rënies së çmimit të naftës. Qëndrimi prej “macho” na del se i bëka keq ekonomisë. / The New York Times

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas