Aktualitet, Kryesore

Plani i ri urbanistik, puna nis me rehabilitimin e Lanës

Jonida Tashi

 Bashkia e Tiranës do të nisë këtë muaj konsultimet me qytetarët për planin e ri urbanistik të Tiranës, që parashikohet të jetë gati në muajin maj të këtij viti. Grupi strategjik i hartimit të tij do të nisë diskutimet publike me qytetarët, për të marrë edhe mendimet e tyre rreth zhvillimeve infrastrukturore të Tiranës. Ekspertët e grupit të punës për planin urbanistik të kryeqytetit thonë se duhet ndërhyrë me emergjencë në dy faza. E para lidhet me rehabilitimin e lumit të Tiranës, i cili është në gjendje të mjerueshme, ndërsa faza e dytë janë ndërhyrjet në infrastrukturë që kërkojnë energji pa ndërprerje në 24 orë. Sipas ekspertëve, duhet bërë pastrimi i lumit përpara zgjatimit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Stacionin e Trenit dhe në vazhdimësi. Sipas planit të ri, stacioni aktual i trenit do të zhvendoset pranë vendit të quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, ndërsa në vend të tij do të vendoset tramvaji. Më konkretisht, vendi ku do të ndërtohet stacioni i ri i trenit, stacioni i autobusëve interurbanë të të gjitha drejtimeve, me përjashtim të lindjes, është një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë që i përket zonës së Kasharit. linja e tramit, që do të përshkojë distancën nga Lapraka deri në sheshin “Nënë Tereza”, pritet të zgjidhë ndjeshëm problemin e transportit publik në kryeqytet. Po kështu, është parashikuar që në zonën e Laprakës, veç terminalit të ri të trenit, të jetë edhe ai i autobusëve urbanë dhe interurbanë. Falë kësaj ndërhyrjeje, prej zonës së Laprakës do të nisë edhe projekti i njërit prej linjave të Tramit, Laprakë-sheshi “Nënë Tereza”, që do të bashkojë perëndimin, veriun, jugun dhe drejtimet e ndërmjetme. Sipas Planit të ri Urbanistik të Tiranës, brenda në kryeqytet të vetmet stacione do të jenë ato për 2 tramvajet, një nga Stacion i Trenit-sheshi “Nënë Tereza” dhe një nga Kombinat-Kinostudio. Aktualisht, grupet e punës të ngritura për hartimin e planit të ri rregullues po studiojnë edhe vlerat arkitektonike dhe historike të Tiranës. Arkitekti Flamur Kuçi, drejtuesi i grupit teknik për konceptimin e planit territorial të Tiranës dhe këshilltar i kryeministrit për çështjet urbane, duke argumentuar vizionin e planit të ri urbanistik në këtë drejtim dhe mënyrën se si plani do t’i përgjigjet dëmeve urbanistike, thekson se Tiranës i duhet një vlerësim serioz profesional mbi atë çka është realisht vlerë arkitektonike dhe historike në qytet. “Jemi dëshmitarë që për arsye joprofesionale i jepen vlera historike edhe objekteve që kanë shënuar momente regresive në historinë e kombit, si rasti i Piramidës, apo rasti i lagjeve autoktone. Konsiderojmë që nuk është reale dhe e drejtë që lagjet autoktone, jashtë kushteve bazë të banimit, të konsiderohen historike pa një bazë profesionale dhe duke privuar këta njerëz nga zhvillimi i drejtë i pronës së tyre, ndërkohë që plani urban i Tiranës duhet të parashikojë instrumente reale të mbrojtjes dhe zhvillimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike”, – u shpreh Kuçi. Sipas tij, plani i ri urbanistik për herë të parë do të ketë një metodologji shkencore. Ai nuk do të jetë një plan “vizatim”, por një plan me përllogaritjet e duhura, duke iu përgjigjur realisht dhe me eficiencë nevojave të qytetit.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas