Aktualitet

Plagos shokun në orën e mësimit, vihet në pranga nga policia

BURREL-Plagos shokun e klasës në orën e mësimit, vihet nga pranga nga policia lokale. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:00, në shkollën e mesme “28 Nëntori” të Burrelit. Sipas policisë, 17-vjeçari Donald Nuzi ka plagosur me armë zjarri pistoletë shokun e tij të klasës, Rexhep Stafalla, banues në fshatin Batër të komunës Komsi. Policia dhe drejtoria e shkollës e konsiderojnë ngjarjen aksidentale, madje fillimisht është menduar se plagosja e Stafallës ka ardhur nga fishekzjarrë apo mjete të tjera. Vetëm dërgimi i nxënësit në spitalin e qytetit dhe operimi i tij nga kirurgët ka zbuluar se Stafalla është plagosur me armë zjarri poshtë barkut, në ijën e majtë.

Policia njoftoi se ka ndaluar si të dyshuarin kryesor 17-vjeçarin Donald Nuzi, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nxënësit që janë ndodhur në klasë janë shprehur për MAPO-n se Stafalla dhe Nuzi ishin shokë me njëri-tjetrin dhe nuk mendojnë që plagosja të jetë e qëllimshme. Sipas tyre, ata duhet të kenë qenë duke luajtur me armën e zjarrit me njëri-tjetrin dhe në një moment ajo është aktivizuar pa dashje. “Dëgjuam një krismë, por nuk na u duk si armë zjarri. Rexhepi u rrëzua në dysheme dhe e nxorëm shpejt nga klasa. Gjetëm një makinë aty pranë shkollës dhe e nisëm drejt spitalit me shpejtësi. Mjekët sapo e panë gjendjen e të plagosurit e dërguan në sallën e operacionit. Ata ishin të parët që thanë se plagosja ka ndodhur me armë zjarri. Nuk besojmë që Donaldi ta ketë plagosur shokun e tij të ngushtë me armë zjarri”, – thanë nxënësit që ishin në klasën ku ndodhi plagosja. Nuk është hera e parë që nxënësit e shkollave të mesme mbajnë armë zjarri me vete, madje edhe në orët e mësimit. P. HASA



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas