Aktualitet

“Piro, Shkëlzeni, Albani”, shqiptarët që kontrollojnë tregun e heroinës në Itali

Grupet kriminale shqiptare në Itali janë fuqizuar së tepërmi dhe tani kontrollojnë tregun e shitjes me pakicë te heroinës, duke e trafikuar përmes kanaleve nga Afganistani.

“Il Giornale” shkruan se është një grup shqiptarësh që vepron në Milano, në Italinë Veriore por edhe në Zvicër. Madje, “mafia shqiptare” ka krijuar edhe fabrika të përpunimit të heroinës në Lombardi, shkruan kjo media. Në një artikull të sotëm, përmenden emrat e disa shqiptarëve, që sipas Il Giornale, janë të përfshirë në trafikun e heroinës në Itali.



“Ata janë gangsterët që kanë ardhur nga Durrësi dhe Tirana. Dokumentet e operacionit “Shqiponja e Zezë” tregojnë 16 emra, të gjithë shqiptarë. Emri më i rëndësishëm mungon në këtë listë. Është ai i një 50-vjeçari me banim në Durrës, në bregdetin e Adriatikut. Emri i tij është Fatos Brakaj, por ai e quan veten Piro. Në Itali ai qarkullon prej 20 vitesh, që në kohën kur shqiptarët erdhën masivisht me anije dhe gomone.

Në vitin 2004 ai trafikonte drogë në Romë dhe më pas u burgos për 3 vjet. Më vonë përfitoi leje për të dalë nga burgu i Modenës dhe u arratis për të rifilluar aktivitetin. Në vitin 2011, Prokuroria e Milanos nxorri sërish urdhër arresti për të dhe në vitin 2012 policia shqiptare e arrestoi atë në Durrës. Në vitin 2013 ai u ekstradua në Itali dhe ndodhet në burgun e Saluzzos. Megjithatë, ai vijon që të jetë kapoja, pika e referimit për trafikantët dhe mafiozët të përfshirë në tregun e drogës në Lombardi”, shkruan Il Giornale.

Përmes rrugëve nga Afganistani, shqiptarët e transportojnë heroinën në Lombardi me kosto të ulët dhe më pas e shesin në Italinë Veriore dhe Zvicër.

Njësoj sikurse Piro alias Fatos Bakaj, vepron edhe një tjetër shqiptar. Ai është Shkëlzen Tafa 38 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë 14 akuza, duke iu referuar dosjes “Shqiponja e Zezë” së autoriteteve italiane.

“Tafa dhe bashkëshortja e tij Adelina jetojnë në Como. Shtëpia e tyre është bërë bazë e shpërndarjes së drogërave për tregun zviceran që prej Dhjetorit të vitit 2013. Në këtë periudhë, Shkëlzen Tafa u arrestua pasi iu gjetën 2 kilogramë heroinë”, vijon artikulli i Il Giornale.

Në këtë listë përmendet edhe emri i një tjetër shqiptari, të përfshirë në aktivitetin kriminal. Ai është Alban Shehu, që gjithashtu vepron në zonën e Como dhe kujdeset për anën financiare dhe mbledhjen e pagesave nga shitja e heroinës përtej kufirit italian, në Zvicër.

“Është ai që më pas i sjellë paratë në Shqipëri tek babai i tij Tomorri, me korrier ose me kanale të ndryshme financiare, i cili më pas zbret nga shuma komisionin për shërbimin dhe qarkullon shumën e parave tek bosat e organizatave lokale. Vetëm në periudhën e kontrolluar nga Guardia di Finanza, Tomorri dhe djali i tij qarkulluan më shumë se 1 milion e gjysmë Euro. Tarifë kjo për rreth 100 kg heroinë, me çmimin aktual në Shqipëri. Në “qeset” që shpërndarësit shesin në sheshet milaneze, nga “malli” ka më pak se 10%. Llogaria sesa shkon ky biznes kolosal, bëhet shpejt”, mbyll artikullin Il Giornale.

Burimi: Il Giornale

Përshtati: tvklan.al

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas