Kryesore

Pikëpyetja pikante e pedagogut të UET: A ka ardhur moda e ferexheve në Tiranë?

Pedagogut të UET, filozofit të ri Klementin Mile, nuk i shpëtojnë nga ‘radari’ gjëra pikante nga qyteti.

Këtë herë, në kolumnën e tij Peripatos, ai pyet nëse në Tiranë ka ardhur moda e ferexheve, duke bërë një analizë për pushtetin e modës.



“Fustane deri në fund të këmbëve, aq sa shpeshherë prekin pluhurin e rrugëve të Tiranës. Në piskun e vapës së kryeqytetit është e zakontë të shohësh femra të të gjitha moshave të veshura në këtë mënyrë. Nuk duket të jetë veshje funksionale. Me të tilla fustane që i mbulojnë deri në fund të këmbëve, vajzat dhe gratë lëvizin me vështirësi dhe, me siguri, nuk e përballojnë lehtë vapën.

Ato fustane duken si ferexhe, edhe pse janë në ngjyra të ndryshme dhe nuk kërkohet domosdo mbulimi i fytyrës. Të përbashkët me ferexhenë ato kanë atë ndjesinë që të krijojnë se personat që i veshin nuk lëvizin rehat, nuk ndihen rehat.

Natyrisht, mund të argumentohet se ka një dallim esencial midis atyre femrave që veshin ferexhe dhe të tjerave që veshin fustane deri në fund të këmbëve. Dallimi, thuhet, është te liria. Femrat që veshin ferexhe, nëse duan të vazhdojnë në rrugën e besimit të tyre, nuk janë të lira ta heqin ferexhenë e të veshin diçka tjetër në publik; ndryshe nga femrat, që këtë verë po veshin fustane deri në fund të këmbëve dhe një verë më parë dilnin me pantallona të shkurtra”…

“Por, nëse i besojmë gjërave që shkruan sociologia italiane Elena Esposito për modën, është e qartë se as ferexheja autentike nuk shpreh mungesë lirie dhe as ferexheja e imituar (si fustan deri në fund të këmbëve) nuk shpreh liri. Funksionaliteti i modës është se ajo na mundëson një orientim më fleksibël ndaj ndryshueshmërisë së kohës dhe të personave. Moda reflekton kalimin filozofik të njerëzimit nga përhershmëria te koha, nga kozmosi te shoqëria. Të ndjekësh modën do të thotë të shqetësohesh për të vendosur një rend, i cili mund të vijë vetëm nga çrregullimi i orientimeve të ndryshueshme të njerëzve dhe nga raportet ndërmjet tyre – por jo nga ndonjë forcë hyjnore e përtejme.

Pushteti i modës vjen nga dy mekanizma paradoksalë. Së pari, është stabiliteti i tradicionales: zbulimi tronditës se gjithçka ndryshon dhe se kjo është e vetmja gjë ku mund të mbështetemi, e vetmja siguri që kemi. Ky është gjithashtu një tipar tipik i kohës moderne, që e dallon atë nga shoqëritë tradicionale, të cilat e themelonin stabilitetin duke parë pas te tradita dhe zakonet, te çka ishte e vlefshme dhe për t’u mbështetur, pasi kishte qenë gjithmonë e tillë. Shoqëritë tradicionale e vlerësonin shumë të vjetrën dhe e refuzonin të renë, pasi kjo e fundit para së gjithash si korrupsion, devijancë dhe telash. Ndërkohë që shoqëria moderne është obsesive ndaj së resë, e cila është bërë tashmë kushti i domosdoshëm për të vlerësuar  gjërat: njerëzit jo vetëm e pëlqejnë gjënë e re, por ata pëlqejnë vetëm gjënë e re.

Mekanizmi i dytë, paradoksal i modës është konformiteti me devijancën. Çfarë ose kë imitojmë ne, kur imitojmë modelet që na paraqiten? Ne imitojmë refuzimin e konformitetit, pra devijimin dhe origjinalitetin: ne imitojmë ata që nuk imitojnë askënd dhe ata që janë unikë dhe origjinalë. Këtu biem në paradoks sepse ne imitojmë refuzimin e imitimit dhe duke e bërë këtë jemi njëkohësisht konformues dhe devijantë: konformues sepse bëjmë si të tjerët dhe devijantë sepse i referohemi refuzimit për të qenë si të tjerët,” shkruan Mile.

“Ky është një nga sukseset më befasuese të modës, e cila, ashtu siç vihet re këto ditë të nxehta vere në Tiranë, përtej çdo lirie dhe detyrimi arrin të imponojë ligjin kontradiktor të origjinalitetit ndaj gjithkujt: gjithkush dëshiron të jetë unik dhe origjinal, pa imituar askënd – por në këtë dëshirë gjithkush është si gjithkush tjetër. Dhe gjithkush e arrin origjinalitetin përmes imitimit; këtë herë, të ferexhesë”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas