Mapo Letrare

Petrit Ymeri: Politikat për librin, nevojë urgjente

ymeriU çel ditën e djeshme në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ashtu siç edhe ishte lajmëruar prej ditësh, Panairi i Librit, i cili mirëpriti për të shtatëmbëdhjetin vit shtëpi botuese dhe dashamirës të librit, duke u bërë edhe njëherë pikëtakimi mes tyre. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri theksoi nevojën urgjente për një politikë të librit. Ai vuri në dukje rënien e shitjeve të librave me 40 për qind.

 



Në ceremoninë që hapi edhe siparin e këtij edicioni, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri e quajti si ngjarjen më të madhe kulturore dhe promovuese të librit.

“Gjatë pesë ditëve që zhvillohet aktiviteti, sipas të gjitha përvojave të viteve të kaluara, këtu kalojnë me dhjetëra mijë lexues. Kjo festë e librit dhe e leximit, siç jemi mësuar ta quajmë tashmë, është festa e autorëve dhe përkthyesve, botuesve dhe bibliotekave dhe synon të inkurajojë të gjithë lexuesit e pasionuar ose ende potencialë, për të eksploruar kënaqësitë e librave dhe leximit, duke u ofruar atyre mundësinë që të shohin në botën e pafundme të tij”, – u shpreh Ymeri në fjalën e tij, duke e cilësuar librin si mjetin më të rëndësishëm për përcjelljen e diturive dhe emocioneve, për të cilat ka aq nevojë njeriu. Këtë vit në panair marrin pjesë 95 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Pritet që gjatë këtyre ditëve të prezantohen dhjetëra tituj të rinj të letërsisë shqipe dhe letërsisë së huaj, si dhe do të ketë mjaft autorë shqiptarë në stenda, të cilët do të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me lexuesin.

Një tjetër ngjarje e këtij panairi është edhe figura e poetit arbëresh Jeronim De Rada. I gjithë ky panair është një homazh në nder të figurës së De Radës, në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së tij.  Sot në orën 12 do të zhvillohet edhe një konferencë për Jeronim De Radën, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, ku do të referojnë Prof. Dr. Emil Lafe me “Botimet shqiptare për De Radën”, Prof. Diana Kastrati mbi veprën e Prof. Jup Kastratit –“ 45 vjet studime mbi De Radën dhe universin arbëresh”, Dr. Moikom Zeqo, “Kënga e këngës dhe Milosao” Dr. Lili Sula me “Si të lexojmë De Radën”, duke e përmbyllur konferencën me Mehmet Gëzhillin”, i cili do të sjellë “Një vështrim bibliografik për veprën e Jeronim De Radës”.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve do të jepet edhe një çmim i veçantë i jurisë, “Jeronim De Rada”-  çmim që do të shkojë për një personalitet të letrave shqipe, siç është bërë me dije nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

“Një vend që lexon, është një vend që përparon. Ajo që i duhet vendit tonë, sipas nesh, është një politikë e mirë e promovimit të leximit. Kemi vite që themi që një politikë për librin është urgjente. Jemi në dy vite kur faturimi, pra xhiroja dhe shitjet kanë rënë në përqindje mjaft të dukshme, deri në 40 për qind”, – vijoi Ymeri duke shtuar se në disa qytete, të mëdha e të vogla, po mbyllen libraritë ose pikat e shitjes dhe kriza e pagesave ka ardhur duke u rënduar gjithmonë e më shumë. Sipas tij, janë goditur fillimisht libraritë e vogla, pikat e shitjes dhe si një efekt zinxhir edhe shtypshkronjat, distributorë dhe shtëpitë botuese. “Në këto kushte, edhe botuesit janë treguar më dorështrënguar me botimin e titujve të rinj. Kjo do të thotë që libri ka shkuar tek më pak lexues. Sigurisht që në kushtet e krizës së vendit dhe krizës globale, synohet gjithmonë rimëkëmbja e ekonomisë. Por nëse rimëkëmbet kultura, i ke dhënë një dorë edhe ekonomisë së vendit”. Kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë bëri thirrje që shteti të ndihmojë botimet. “Nuk bëhet fjalë që shteti të ndihmojë me para botuesit. Po letërsinë shqipe, po. Gjithashtu edhe lexuesin. Edhe bibliotekën, duke zgjedhur librat e duhur”.

Ai theksoi ngritjen e një Qendre Kombëtare për Librin, që të synojë përhapjen e librit dhe leximit në Shqipëri dhe me politika të studiuara. Po kështu z.Ymeri ka bërë një krahasim mes vendeve fqinje ku jepen fonde miliona eurosh për botimet, ndërsa në Shqipëri këto fonde kanë qenë të pakta dhe jo gjithmonë transparente.

Komuniteti i botuesve ka ngritur zërin dhe me anë të këtij eveniment synon të promovohet leximi, sidomos te moshat e reja, të cilët janë shumë të varur nga përdorimi i teknologjive të reja dhe informacioni masiv.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas